Një artikull që po lexoja për rrëgjimin e filologjisë si disiplinë të dijes
në Perëndim, më bëri të mendoj – pa shumë lidhje – se tek ne filologjia është
gjallë e shëndoshë, madje si emër i një fakulteti të Universitetit të Tiranës;
edhe pse figura profesionale përkatëse, ose ajo e filologut, nuk ekziston (më).
Kur ishte hera e fundit që u fol gjëkundi për këtë apo atë filolog në Shqipëri? Mbase
edhe ka ndodhur, por më ka shpëtuar mua – por gjithsesi
filologu tek ne është specie e rrallë, në mos e
dalë krejt nga qarkullimi; sikurse nuk studiohet më
filologjia, si disiplinë e dijes ose e
albanologjisë. Përkundrazi, vendin filologëve duket t’ua kenë zënë pa shumë bujë studiuesit, për të mos folur
për akademikët dhe publicistët gjithfarësh; me tek-tuk ndonjë historian të letërsisë që
nxjerr kryet si ato personazhet e që dalin nga koma pas 20 vjetësh dhe kërkojnë
VAPIK.
Dhe që të mos harroj – as studiuesit, as akademikët dhe aq më pak filologët
nuk konkurrojnë dot me profesorët dhe doktorët; të cilët e kanë
kompletuar tashmë kalimin nga figura profesionale në diçka si gjeneralë të
armatave intelektuale; për të mos thënë simbole algjebrike abstrakte, të dikujt
që “di të dijë.” Tek e fundit, nëse dikur doktori ishte ai që të shëronte ose të kallte në
varr para kohe, sot doktori është
ai që edhe kur nuk të merr paratë, të merr vendin e punës; çka lidhet edhe me
depërtimin në leksik të fjalëve dhe shprehjeve të tilla si doktorohem, i doktoruar… Së shpejti do
të dëgjojmë edhe i profesoruar.
Dukuria nuk prek vetëm sferën albanologjike – ku, meqë ra fjala, albanologët ende i kanë
mbajtur kokat mbi ujë; edhe pse parapëlqehen albanologë të huaj; por ku figura më e
respektuar mbetet ajo e historianit,
tashmë e dashuruar nga mediat dhe politika, si furnizues sistematik argumentesh
në tryezat e betejave nacionaliste, për të mos thënë mitike mes fqinjësh; dhe
ku vërehet një rritje dhe fuqizim i antropologut, figurë profesionale që i ka kartat
në rregull, por që pakkush e di se me çfarë merret pikërisht (por që gjithsesi
ia ka zënë vendin etnografit të
djeshëm dhe aq më shumë folkloristit);
sikurse vërehet një rritje dhe fuqizim edhe i roleve të
arkitektit dhe të arkeologut, sidomos si ekspertë (shih më
poshtë); përkundrazi, gjeografët nuk
besoj se po kanë fat më të mirë se gjeometrat dhe topografët e djeshëm.
Vetëm pak më tutje, shkëlqen me mungesën e saj figura profesionale e filozofit, pa çka se
filozofinë e studiojnë të gjithë; dhe bashkë me filozofët, janë zhdukur edhe estetët, të cilët gjithnjë i
kemi patur të paktë dhe të saktë, por ama të pranishëm. Dhe kur nuk ka
filozofë, aq më pak do të ketë edhe mendimtarë – sepse sot është pak turp të mendosh
(që për disa do të thotë të dredhësh zinxhirin); dhe sidomos është turp që të
bësh kohë të mendosh; dhe aq më pak do të ketë edhe
dijetarë – sepse mendësia e mbiujshme mendimtarët dhe dijetarët i përfytyron si të
ishin dekorata që u akordohen dhe u ngulen në gjoks vetëm të vdekurve,
mundësisht ende pa u kallur në dhe.
Nga ana tjetër, fuqizimin madhështor të figurës së
politikanit (ende jo krejt të profesionalizuar)
nuk e ka shoqëruar gjë ndonjë lulëzim i politologëve; të cilët edhe kur e ushtrojnë
zanatin e tyre, parapëlqejnë të prezantohen si opinionistë, komentatorë, dhe vëzhgues; dhe as ndonjë lulëzim i ideologëve, të cilët
gjithnjë e kanë ekzistencën të garantuar, por me kusht që të mos i heqin
maskat.
Shkrimtarët dhe gazetarët, përkundrazi, kanë rezistuar mirë,
madje janë gati për t’u shkrirë mes tyre profesionalisht në martesë mistike;
por edhe këta po zbythen para autorëve, të cilëve duket se u përket e ardhmja.
Në sferën e artit dhe të kulturës, shoh në rrezik edhe
piktorët, skulptorët
dhe kompozitorët; meqë dy të parët janë
zëvendësuar prej artistëve,
emërtim sa algjebrik aq edhe demokratik; ndërsa kompozitorët po specializohen në gjithfarë
tra-la-lash herë seksituese e herë patriotike-gjimnastikore, të cilat kanë
vendin e tyre në kulturë, por që nuk mjaftojnë; sidomos po të kemi parasysh se
kompozitor dikur kanë qenë quajtur Bach-u dhe Mozart-i dhe Beethoven-i; ose,
për t’iu afruar kulturës sonë, Çesk Zadeja dhe Nikolla Zoraqi dhe Aleksandër
Peçi. Përkundrazi, fotografi i djeshëm i “shiko te xhaxhi” sot është graduar
kolonel i arteve të bukura dhe nuk të flet më me gojë, teksa gatitet të marrë
avionin për në bienale. Më në fund, skulptorëve u është hapur një mundësi e
papritur mbijetese brenda kitsch-it patriotik – në bashkëpunim me ornitologët, specialistë të
anatomisë së shqiponjave. Gjithsesi, të gjithë këta së bashku, po e kanë
rritshëm të vështirë që ta quajnë veten krijues, madje edhe kur
mëtojnë të përfshihen në listën e rekordeve Guinness, duke ia riderdhur
portretin Nënë Terezës me rezerva stilolapsi ose Ismail Qemalit me tapa
shishesh birre. Dhe natyrisht, artistët kanë sjellë me vete, simbiotikisht,
edhe kuratorët (kur
nuk kanë qenë kuratorët që
kanë sjellë me vete, simbiotikisht, edhe artistët).
Për kritikun –
letrar dhe artistik – le t’u referohemi lemave mik dhe armik në Fjalorët e Shqipes së Djeshme dhe të
Sotme.
Duke u zhvendosur pak horizontalisht, vërejmë se industria shqiptare e
filmit me metrazh të gjatë ende lulëzon, sidomos duke gjykuar nga pjesëmarrja
në festivalet ndërkombëtare të kinemasë; dhe aktorët sikurse regjisorët nuk janë të rrezikuar, dhe aq më pak producentët, të cilët po
ofrohen si model edhe në fusha të tjera (së shpejti çdo artist do të ketë producentin e vet, madje
duke e anashkaluar figurën e agjentit, që në shqipe vjen me konotacione të
forta agjenturore). Përkundrazi, skenaristët tashmë i ka lënë koha mbrapa – meqë
skenarët sot i shkruajnë regjisorët dhe aktorët vetë, kur nuk i shkruajnë
operatorët ose specialistët e montazhit; dhe ish-skenaristët mund të mbijetojnë
dhe të vijojnë të shkruajnë skenarë vetëm duke u shndërruar edhe ata në
regjisorë, kameramanë ose, më mirë akoma, në producentë.
Duke kaluar tani nga sfera e kulturës tek ajo e shkencës dhe teknologjisë;
do të vërejmë mungesën e matematikanëve
– pa çka se profesorët e matematikës nuk janë ende të rrezikuar, sa kohë
që nuk e vrasin shumë mendjen për dallimin midis tigrit dhe maces. Njëlloj janë
tërhequr edhe fizikanët, biologët dhe gjeologët; përballë ortekut
të pakundërshtueshëm të profesorëve dhe doktorëve, të cilët nuk i ushtrojnë aq
profesionet e tyre, sa ua mësojnë të tjerëve (por le të mos i quajmë pedagogë dhe as artin e tyre pedagogji); por edhe të
akademikëve, të cilët ndonjëherë e kanë bindur veten se të jesh akademik është gjithashtu
një farë profesioni; sikurse e kanë bindur veten ambientalistët se janë edhe ata një farë
politikani. Më në fund, siç mund të pritej (por jo mirëpritej), shkencëtarët ende mund t’i
shohësh tek-tuk, sidomos në konferencat javore; pa çka se këta po
specializohen, nga halli, në rolin e kujdestarëve të shkencës, për ta mbrojtur
këtë nga jo-shkenca (jo shumë i ndryshëm nga ai i rojeve private të bankave dhe
të shesheve të parkimit); njëlloj siç u specializuan dikur murgjit, në Mesjetë,
në rolin e kujdestarëve të dijes (lexo: kopistëve).
Dija sot lulëzon dhe riprodhohet veçanërisht në kontekstin e produksionit
televiziv – ku specialistët dhe profesionistët e të gjitha llojeve dhe ngjyrave
përfshihen në cilësinë e ekspertëve, ose u
kërkohet të flasin për
fushat e tyre (kjo i dallon nga intelektualët, të cilët flasin si rregull për
fushat e të tjerëve).
Në emisionet televizive, sidomos në të kudo-gjendurat talk-shows, ekspertët nuk sekretojnë gjë dije, por
vetëm sa ushtrojnë autoritetin e tyre, që ua jep titulli dhe reputacioni, me
shpresë se kështu do t’u japin zgjidhje debateve – çka edhe mund të ndodhte,
sikur të mos kishin mosmarrëveshje mes tyre. Dhe këtu nuk duhet kurrsesi të
ngatërrojmë autoritetin me autorin.
Shoqëria shqiptare sot është e obsesionuar me tituj dhe ofiqe, dhe nuk
do t’ia dijë shumë për profesionet. Po të
hapësh gazetën a të dëgjosh lajmet a të lexosh sajtet informative, lexon për
kryetarë, shefa, drejtorë, rektorë, dekanë, përgjegjës që emërohen dhe
çemërohen, zgjidhen dhe çzgjidhen, ngarkohen dhe shkarkohen; të gjithë të përfshirë
në një konvejer marramendës titujsh, që në fakt s’kanë të bëjnë as me kulturën
as me dijen. Edhe kërkimi shkencor është katandisur në një pjesë të gjakimit
individual për karrierë dhe dukje, ose për të fituar titullin e doktorit a ndonjë titull tjetër
të ngjashëm; dhe rrallë (këtë e them për të qenë brenda) qëllon të dëgjosh për
një kërkim shkencor të ndërmarrë në emër të së vërtetës ose (mosozot) të
kuriozitetit. Pa folur pastaj që, në ato fusha të dijes që lidhen me
identitetin kombëtar, çdo përpjekje vetvetiu do të inkuadrohet në kombëtarizëm
dhe do të gjykohet sipas vlerës që ka dhe peshës që ngre në konfirmimin dhe
kremtimin e themeleve të shqiptarisë.
Por e nesërmja pa dyshim ua ruan vendet e nderit atyre që do të
përvetësojnë, të parët, artin e vështirë të aplikimit për grante dhe të
sigurimit të tyre – që ka lidhje me arte të tjera obskure si ai i plotësimit të
formularëve, përftimit të bullshit-it në disa regjistra njëherësh dhe
talenti për t’u hedhur lirisht degë më degë, që e kemi trashëguar prej
majmunit.
Gjithsesi, dhe pa pretenduar që ta kemi shteruar argumentin, do të
propozonim këtu ngritjen e një akademie muzeale të profesioneve të zhdukura –
ku publiku të kish mundësi të admironte të gjitha ato figura profesionale që
kanë dalë nga qarkullimi; madje edhe të ndërvepronte me ta dhe kushedi, në
ndonjë rrethanë fatlume, edhe të mësonte prej tyre. Me kusht që të gjendet
sponsori përkatës, natyrisht.