Maku Pone: Eriselda Prifti dhe libri i saj debutues në poezinë e sotme shqipe

Pyeti sytë për thellësinë që falin fshehtas,
për një ndjenjë,
një motiv
a veç një fjalë,
fali heshtje buzëqeshjes
në perëndim,
veç dy sy
e dielli s’ka nevojë të dalë.

 (“Sytë”)

Kjo është strofa e dytë e poezisë veç dystrofëshe të poetes së re, Eriselda Prifti, të cilën, ky botim e prezanton për herë të parë në letrat shqipe, siç po ndodh rëndom kohëve të fundit me libra pas librash. Botohen e botohen, por për fat të keq pasohen me heshtje vdekatare, pa thënë kush dy fjalë, po të përjashtojmë librat dhe autorët e tyre më me fat, që u bëhet ndonjë promovim shpesh i përciptë në ndonjë bibliotekë dashamirëse, siç është dhe Biblioteka Publike e Fierit.

Atëherë, cila është Eriselda Prifti, që besoj se shoqet dhe shokët më të afërt e thërrasin “Eri” dhe që edhe unë kështu do ta quaja në këtë parafjalë. Është adoleshente, nxënëse në vitin e fundit të shkollës së mesme “Numani” në Fier dhe, njëherazi, nxënëse e mësuesit të jashtëzakonshëm të letërsisë, poetit të shquar Bujar Xh. Rama, autor i librit “Nxito, Amarantë!”, një nga botimet e rralla të vitit 2014 në lëmin mbarëkombëtar të letërsisë moderne e postmoderne shqipe. Po tjetër? Eri vjen me këtë libër të parë të saj jo thjesht si një vajzë me prirje apo dhunti poetike, por si një talent i mirëfilltë, përpara të cilit vizatohet qartë një e ardhme krijuese mëse e sigurt.
Këtu do të doja të hapja një parantezë. Shkrimi i kësaj parathënieje, për habi, përkon me një nga netët e “Gjeniut të Vogël VI” në TV “Klan”, ku, siç dihet, zhvillohet një konkurim për zërin më të bukur midis fëmijëve deri në prag të moshës së adoleshencës. Po citoj mendimet e jurisë, vetëm për dy këngëtare, fëmijë të moshës 11-12 vjeç. Për të parën, Vanesën, një vogëlushe nga Saranda, katër anëtarët e jurisë u shprehën:
“Më dha një shpullë të madhe emocionalisht. Më shpëtoi një pikë lot”.
“Shpulla, - thosh i dyti, - erdhi gjer tek unë. Vanesa është një artiste e madhe… Jam pa fjalë, pa koment”.
“Kurse mua më goditi me shpullë në të dyja faqet e shpirtit”.
“Ka një kapacitet vokal të jashtëzakonshëm. Jeta, e ardhmja, kanë rezervuar shumë për ty, vogëlushe!”.
Dhe ja si shprehen po këta anëtarë jurie për Kllarisën, një tjetër vogëlushe e talentuar, nga Prizreni:
“Fantastike! Jam emocionuar në kulm! Ke një ylber në zë!”.
“Zëri yt ka shumë klas”.
“Kllarisa është një zbulim. Në strofën e dytë del me një zë fantastik!”.
Dhe të gjitha këto thuhen jo vetëm me entuziazëm, por edhe me shumë sinqeritet e seriozitet. Dhe jo se u adresohen fëmijëve, por artit, kantos, muzikës. Dhe, me të vërtetë, për ndonjë zë, si i Kllarisës, për shembull, pa e zmadhuar, do të thosha se arrin deri në prag të gjenialitetit.
Atëherë, pse të mos heqim një paralele midis muzikës dhe poezisë? Natyrisht që në këtë rast ka diçka të përbashkët: talenti. Po ka dhe diçka tjetër që do ta dallonte poezinë nga vokali, aftësia për të interpretuar. Tjetër, rruga drejt krijimtarisë letrare është më e ndërlikuar. Nuk është se shpërthimi i aftësive qoftë dhe gjer në gjenialitet vjen që në hapat e parë. Poetja franceze Sabine Sicaud, që jetoi vetëm 15 vjeç, ka një emër të madh në letërsinë e madhe të Francës. Dimë shkëlqimin universal të Kitsit, 25 vjeçar, Roger Arnould Rivierës, 29 vjeç, e kështu me radhë: të Shellit, Petëfit, Lermontovit… deri te gjeniu ynë, Migjeni. Dhe, për të gjithë këta, një poet shkruan:

Të gjithë pa i këputur lulet e të dyzetave
a dhe më pak, dhe më pak.
Cilën të pyesësh, kohën? Kohë,
pse kaq gëlltitëse, e pangopur, pse kaq,
dhe cili është ndëshkuesi i madh për ty
dhe ku është?
Përse nuk ndreqet paksa balanca,
dhe ku është ai gjyq të të fajësojë?
Le ta lëmë poezinë në amshimin e saj,
duke mbartur emrat e mëdhenj,
të ecin pikërisht përmes kohës,
për të pa pyetur aspak.

Por le t’i kthehemi asaj paraleleje. Atëherë, le t’i qëmtonim këto talente poetike, pavarësisht nëse kanë dalë e dalin me libra (të parë apo të dytë) apo që mbushin fletore pas fletoresh me dorëshkrime poetike e le t’i dëgjojmë duke lexuar poezitë e tyre në një sallë të madhe e le t’i gjykojë mandej juria e publiku. S’është fjala për të shpallur gjeni, por veçse talente! Siç është Eri! E do të ngrihej Eri Prifti, e me zërin e saj të drojtur, do të biskonte të shpaloste imazhet, grimcat, nuancat dhe atë botë poetike të saj që ka krijuar, onduluar kaltërsisë së muzës së vet:

Ky shpirt që humbi nëpër shi,
kaq shumë ka mall, akoma vuan,
në strehë të shkretë ku fshehtas rri,
ku mendja e zemra diçka i bluan.
…………………………………………………….
Ashtu i kyçur, mes shiut të ftohtë,
s’ka shpresa se do të gjejë shpëtim,
ndoshta mjafton një fjalë e ngrohtë:
“O shpirt, zër vend te shpirti im!”.
 (“Shpirti pa strehë”)

Apo si më poshtë, në një tjetër poezi ku thjesht fjala “mall”, që e dimë apo e përfytyrojmë si diçka të butë, të trishtë, gati-gati të pazë, befas na bëhet si fortesë. Paradoks? Le të flasë vetë strofa e poezisë “Mbreti i harruar”:

Në labirintet e një qielli të pangjyrë,
shkruar pakuptueshëm, pa titull, një histori,
sikur shumë kohë më parë na ish ngritur,
një fortesë malli që askush s’e di.
 (“Mbreti i harruar”)

Poezitë e këtij libri, thuajse me përjashtime të pakta, i kushtohen dashurisë dhe në tërësi ngjajnë me një palimpsest rinor, gjë që s’ka pse të habisë askënd. Ndjenjat, mendimet, vizionet, filozofia, edhe në rastin më të thjeshtëzuar, janë të harmonizuara me vitet (nëse mund të flitet për vite) apo vetë moshën e poetes. Aq sa poezitë në tërësi janë të veçanta duke shprehur një gjendje që i shkohet deri në fund, ato prapë përbëjnë një unitet i cili, në një rrafsh elipsoidal, përmbyllet në poezinë më të fundit të librit, me titullin “Mbrëmë”.

Tipar veçues i këtij palimpsesti është dëgjimi i zërit të brendshëm të poetes, i gjithçkaje që zë fill në qenie dhe nga mikrobota. Sa për mikrobotën, për universin, për fenomenet tokësore (qiell e dhè e zjarr e ujë), ato përdoren shpesh si metafora lëvizëse, herë me dritë e herë me terr, në përputhje me çka përcillet nga bota e brendshme e Eri Priftit, poetes. Një botë që të emocionon, të drithëron, të përfshin të tërin në vete, të futë në mendime për të gjykuar veten së pari e mandej botën (pra, të tjerët). Sikur këto pak fjalë të përcilleshin me një sfond muzikor, krejt rinor, për shembull me një tango, do të doja që ju lexues, të hapnit faqet e këtij libri e të lexonit poezinë “Tango dashurie”, duke përfytyruar dhe përhumbur në ritmin e vallëzimit përkatës:

Lëkundem mbi valën e notave,
 mbi fjalët e shpirtit,
 bashkë me ëmbëlsinë e syve të tu.

 Kjo tango fuqiplote
 më merr me vete,
 udhëtojmë pafund,
 më sjell prapë aty.

 Pashë dete me mall dashurie,
 qiej me flakë pasioni,
 rrëke me trishtim.

 Ç’udhëtim mahnitës!
 Rikthehem e mallëngjyer,
 në skutat
 ku fshihen
kujtimet e shpirtit tim.
 (“Tango dashurie”)

Udhëtoftë dhe ky libër me meloditë poetike dhe aq rinore të poetes sonë, Eriselda Prifti!
Fier, janar 2015

Eriselda Prifti


Rënkon kujtimi

Hijet e pendimit nxihen brenda meje,
si një diell i vjetër që s’ka më jetë,
copëtuar prej fjalësh që s’deshën të fshihen,
copëtuar prej ndjenjash që s’ishin vërtet.

Fshehur kur s’ka frymë, një kujtim rënkon,
ëndrrat e një jete fton në udhëtim,
pas prekjesh të lehta asgjë s’ekziston,
as zjarret e panjohura të të vyerit mendim.

Fshehur

I lagësht pezmatimi i viteve që shkuan,
me to s’thur dot vargje siç bëja më parë,
misteret e pangopura çdo fjalëz e harruan,
tani lundrojnë pa leje qiejve vetmitarë.

U zhdukën gjethet vjeshtore pa fjalë e melodi,
heshtjes së qëndisur nga rrugët e vetmisë,
në muret e harresës mbështetesh ti tani,
shtëpive të verbuara t’i fshihesh dashurisë.

Kur urrehen fjalët

Përqafuar me heshtjen që zbraz shikimet,
se ç’kërkoj në ty vetmuar kur të shoh,
dashuruar vetmia me të shtrenjtën mike,
kur urrehen fjalët, miqtë më nuk i njoh.

Sytë

Brigjeve shkëmbore, pa përtesë,
dy sy blu hapësirës prekin diellin,
diku larg, për t’mos u shfaqur fare hapur,
të sigurt për kaltërsinë, në luftë me qiellin.

Pyeti sytë për thellësinë që falin fshehtas,
për një ndjenjë,
një motiv
a veç një fjalë,
fali heshtje buzëqeshjes
në perëndim,
veç dy sy
e dielli s’ka nevojë të dalë.

Historia e një jete

Me kokën pas e nisa udhën,
nën qiell me rè e lot të vrarë,
aty gjithë malet mbytën shpirtin,
aty, për pak, zemra u ndal.

Burgosa veten mes kufijsh,
kur malli mbyste çdo kujtim,
gdhenda një emër në çdo qelizë,
ta mbaja mend, si ngushëllim.

Një zile nënë, më tha se shkove,
mes territ-ferr në tokë të huaj,
s’di nëse heshte a rënkove,
një brengë e thellë që prapë e vuaj.

Një zile bab’… Ah, tingëlloi,
m’u pikën lotët hijes së zhveshur
e s’kisha ç’të derdhja detit-varr
që pranë tëndit shpirt më solli heshtur.

Ca grimca malli lënë mbi shtrat
jetën fajësuan, s’gjej ngushëllim,
një psherëtimë në gji të vuajtjes,
prej jush, me kohë e mbaj kujtim.

Letra

I zbraza gjithë sirtarët e vjetëruar prej vitesh,
s’ngelën më kujtime, përqafime, fjalë,
gjithë pluhurat e kohës sot i lashë jetime,
i mbylla derën diellit, shpresës i thashë “Ndal!”.

Gazetave të heshtura ua kushtova ditët,
kafeve pa sheqer, dhomëzës së ftohtë,
veç nuk munda letrën t’ia falja të shkuarës,
ato shkronja zjarr, eh, nuk munda dot!

E ruajta bardhësisë së mureve pa zemër,
harresës që nuk shuhej prej shiut të pandarë,
e ruajta unë shikimit, kristaleve të brishtë,
nuk munda! S’braktiset kujtimi i parë.

Më pat’ degdisur brigjeve çdo fjalë e shkruar keq,
çdo “ë” e munguar lindte një përqafim,
tani u ngrysën yjet, nuk shtoj dot asnjë gërmë,
dhe horizonti hesht, s’ka vend për korrigjim.

Thesari

Netëve pa hënë,
ditëve pa dritë,
ëndrrave pa emër,
lotëve pa mik.

Vargjeve pa shkronja,
mbytur bardhësisë,
zemrave pa rrahje,
lodhur çmendurisht.

Flakëzës së helmuar,
kujtimit të pandarë,
dy-tri strofa a katër,
i pari thesar.

Shkëputur nga vëllimi Eros i trazuar dashurie