Një botë më tutje (fragment)

S y n o p s i s

Pjesa “Një botë më tutje” mund të zbërthehet edhe si “Ja ç’bënë e ç’nuk bënë nganjëherë shqiptarët për të shumëpërfolurat luftë, paqe, famë, art, mbijetesë… ”.
Përfaqësuesit e tri breznive të fisit Vrana, në kapërcyellin mes dy shekujve, zgjedhin një rrugë të panjohur për të mposhtur kohërat. Ideja e tyre është e thjeshtë dhe gjeniale, e frymëzuar ndoshta edhe nga njëfarë lodhjeje, ose zvordhjeje gjenetike ndaj luftrave. Gjyshi (Plaku Vrana), djali i tij (Poeti i Pabot(ë)uar), dhe nipi (Djaloshi) hyjnë me vetëdijë të plotë në një “betejë” që, me kalimin e kohës, synon të vendosë paqen, ose të paktën të shpëtojë sa më shumë jetë të pafajshme. Ata pranojnë të luajnë një rol të rrallë, me një thelb të ndjeshëm poetik dhe ëndërrtar. Hiqen sikur luftojnë, dalin në televizor, në lajme e dokumentarë që paraqitin jetën e ballkanasve, duke harxhuar njëherazi sa më shumë municion.
Veprimtaria e Vranajve mund të emërtohet edhe “verbim plumbash”. Mirpo poezia, ose teatri i tyre, shlyhen me gjak, jo si në art. Art është vetëm jeta e tyre; vdekja mbetet pó ajo që mbyll çdo jetë njerëzore. Nga një botë më tutje, të tjerë vdekatarë bëjnë çmos e nuk stepen para asgjëje që municionet të mos shkojnë dëm. Njëra palë flijohet për çarmatimin, kurse tjetra: për arritjen e paqes përmes vdekjes së sa më shumë njerëzve. Është vetëm njëra nga linjat që lidh e ndan dy botët e pranishme në pjesë (pa llogaritur botën e teatrit), derisa të gjitha treten në botën tjetër. Nga ku, në gjendjen e tanishme, çdo botë është vetëm “më tutje”.
A u t o r i, 2012



Në odën e Miqve.
Hapësira duket e zbrazët dhe e zymtë. Jo vetëm rrobat mungojnë, por janë zhdukur edhe dollapi i rrobave, mbulesat e divanit, të kolltukëve, të karrikeve dhe të tryezës së ulët rrumbullake.
Në mure shquhen vendet ku dikur vareshin fotografi të familjes.
Nëna shërben kafenë.

Gjyshi
Sollën gratë ndonjë haber nga pallati?

Nëna
Po.

Gjyshi
Hë, se gratë nuk sjellin gjithmonë gjëma. Apo sollën prapë ndonjë gjëmë?

Nëna
Jo, jo, falë Zotit. Punëtorët nuk janë hajdutë. As edhe një tullë, as edhe një kovë llaçi nuk kanë vjedhur.

Gjyshi
E di, moj, po ç’ka mbetur pa bërë?

Nëna
Nja dy metra katrorë.

Gjyshi
Dy, po ç’farë metrash katrorë? Metra themelesh, çatie, dy varre? Apo metra katrorë mbarësie?

Nëna
Në çati.

Gjyshi
E thotë mirë im bir poeti. Me kokat që nuk shohin veçse ëndrra katrore… krekosen sikur kanë shpikur rrethin… Mbaruan trarët, apo tjegullat? Le të shkrijnë ca gëzhoja e ta mballosin si punë dhëmballe. Se gëzhoja e plumb të padobishëm kemi me okë. Fjala vjen: s’kemi kë vrasim me aq plumb. Mos më bëj të ngjitem vetë gjer atje, se…

Nëna
Jo, jo. Tjegulla e trarë ka, por se ku ka ngecur puna.

Gjyshi
Se mos na e hedhin fjalën të murosim ndonjërën prej jush, moj!

Nëna
Në tavan? S’ka bërë vaki gjer më sot.

Gjyshi
Po mund të bëjë që sot e tutje. Pse, zeja që zgjodhi yt nip e yt bir kishin bërë vaki më parë?! Mirpo na u faneps si vegim e na bëri njerëz.
Nëna tund kokën e dëshpëruar.

Gjyshi
Ca i bëri njerëz, ca – gurë varri, ama pa gjë nuk e la.

Nëna
Mos m’i gërvisht plagët tani.

Gjyshi
Jo, jo, do hedh valle nga gëzimi. Rreth plagëve… Së shpejti vijnë edhe shirat e stuhitë dhe ndofta marrim plevitin në shtëpi të re. Se, veç plevitit, gjë prej gjëje s’na ka mbetur.

Nëna
Ky qe fati, me fatin nuk mbrehemi.

Gjyshi
As që kemi kohë. I mbrehu ai qetë me ne e na dha dërrmën. Bëji një zë tim biri.

Nëna
Lere tani, se po çlodhet. Të marrë edhe ai dy fije frymë, se i ra bretku duke shtënë.

Gjyshi
Thirre, moj, të thashë, se e di unë si çlodhet ai. Vargje shkruan, nuk çlodhet.
Nëna del dhe njofton Poetin e Pabotuar. Ky mban në dorë një tufë letrash të mbushura me shënime. Flokët i janë shpupurisur, rrëzë veshit të majtë ka një laps.

Gjyshi
Më fal, se mbase ta përdhosa çastin vegimtar.

Poeti i Pabotuar
Hm, s’ka gjë. Jam rregjur tashmë. Këtu më lehtë mund të vrasësh, se sa të shkruash.

Gjyshi
Po prandaj jemi të rrethuar nga të afërm, usta, që të shkruajmë, jo të vrasim… Zaten, ti i bën të dyja me të njëjtin përkushtim. Dhe ke arritje të shënuara.

Poeti i Pabotuar
Po, për besë, mund të dalë një varg me vlerë: Vras, që të shkruaj i qetë. Ose: Vras, pra shkruaj. Apo: Vras, pa shkruaj?! Apo: Shkruaj, pra vras?!

Gjyshi
Po provoje gjithnjë edhe sëprapthi, se nuk i dihet. Për shembull: Shkruaj vargje, që të vras i qetë.

Poeti i Pabotuar
Për këtë më thirre?
(...)

Fragment nga Ardian-Christian Kyçyku: “Një botë më tutje”, dramë, shkruar në Bukuresht, 2012.