Dy shpija kishin mbetë buzë lagaterës ku dikur libojshin anitë venedike, aq
të mdhaja sa me u quejtë faraona. Ishin të dyja shpija përdhese peshkatarsh të
rrënuem. Aq përdhese sa me iu ra fiku në pullaz. Përtokë shpitë, përtokë ekonomitë.
I kishte mbulue nji baticë qi vjen urtë e butë e s'din me ikw ma. Harresa.
Zbatica e jetës.
Njena shpi, disi ma e mbajtun, ajo ma pranë kepit, ruente prapë ndoj shenjë
prej shkëlqimit të dikurshëm; tjetra dukej herë e sapondërtueme, herë si ndërtim
pa leje, e herë ma e vjetër se e para. Varej prej motit, si gjendja shpirtnore
e banorve të rrallë t'asaj djerrine, që e kishte harrue mundsinë kjoftë edhe
fantastiko-shkencore me kenë oaz.
Mbas dunet, shtrihej e shpartallueme, lagjia, ose fshati, ose çka mbetej
prej të dyjave, pra asnjena.
Te shpija pranë kepit, pranë kepit të shpresës së vshtirë, jetojte nji
peshkatar plak, me të bijën. Mbijetojshin, ose nënjetojshin, varej nga niveli i
detit. Plaku ishte ndër njerzit ma punëtor në tanë krahinën, por, qysh se i
kishte vdekë e shoqja, nuk i prihej mbarë n'asgja. Edhe ku ishte i gjallë ajo,
atij i prihej mbarë veç për sa mbarëzojte ajo, për tjetrat mbrapsht. Edhe namin
prej super punëtori e paskej pasë prej saj. E tash çdo punë që bante vetë i
shkonte bosh. Ndër punët e burrave. E teshat ia qepte e bija. Dikur ia bante e
shoqja edhe ndoj punë burrash. Nuk arrinte ma me peshkue gjana të ngranshme as
të shitshme. Bante punë me dru, por jo vetëm s'e kishte ma dorën e dikurshme,
por as shikimin. Kishte humbë ma parë shikimin e shpirtit, mandej dritën e
njenit sy, tue ngulë nji drrasë të thjeshtë me forcue gardhin që po binte,
gjana që i ban edhe adoleshenti pa fé zori, e që atij me 50 vjet përvojë, i
mbetshin në dorë. Në njifarë mnyre, e kishte lanë ora edhe atë.
Askush s'ia kishte ma nevojën. Kajherë, mendonte, as e bija.
Veç ndenja e fajit e bante me u ndi gjallë. Gja tjetër nuk ndinte. Ndihej
në faj se e kishte lanë të shoqen me ikë para tij, nji zot e din sa në faj
ndihej. Arsyeja pse faji nuk e paralizonte, ishte e bija, jetojte për 'të.
Mbijetojte apo nënjetojte, varej nga niveli i detit. Por edhe e bija ishte e
trishtë, ishte ma e bukra e ma e trishta ndër shoqe, dhe shoqet kjenë largue
nji nga nji në drejtim të qytetit, ku kjenë përzie me gjindjen. Camërdhokët që
luejshin me top te sheshpushimi mes dy shpiave, e quejshin Tristana, ma e
trishta ndër tana. Trishtana përnjimend, por meqë ishte në modë italishtja,
Tristana.
Atynve Tristana s'iu bërtiste kurr, as kur ia hedhshin topin në xham, as
kur ia shkyejshin gardhin në përpjekje me marrë vrik topin që kishte sosë
n'oborr sa pa i pamun plaku. Tristana e ndreqte si mundte zitin, a kur s'i
gjente fé, gjente mnyrën me e justifikue prishjen. Plaku s'ia prishte, se e
dinte qi fmitë me luftën e tyne gazmore mbas topit, ia hekshin mërzinë, jo veç
asaj, por falë saj edhe atij. Nji mjes fmitë kishin lanë nji gjerdan guackash
te hymja e zitit. Tristana e pati marrë, dhe ua pat kthye dhuratën, tue iu qepë
nji top të ri, që e kishte lye me këna.
Te shpija tjetër mbretnojte nji klimë misteri. Kajherë ndihej nji muzikë që
s'ndihej kurr andejpari. Përzihej me zhaurimën e përgjithshme të dallgëve. Pa
fjalë. Tristana ju pat shpjegue fmijve, se ajo ishte muzika e zezakëve
t'Amerikës. Herë mbas here rrokullisej ndoj shishe në shkelzat e pragut. E
sapoboshatisun. Fmitë e kishin kuptue se ajo harvallinë ose ishte nji port i
vogël (nji bebe-liman) për shishe me papirus mbrendë, ose ishte thjesht shpija
e nji pijaneci, të cilin shum rrallë e shifshin në kambë, prandej e kishin quejtë
pirat, ngaqë pinte ratë, ratë ndigjonte muzikë ose ndjekte në radio ndeshjet e
futbollit, ratë jetojte. Fmitë kishin idenë se edhe nevojat i kryete ratë dhe
si në zjermì e pritshin rastin me i hedhë ndoj kapsollë n'oturak. Ai deltë
kajherë, kajherë delte edhe ai. Delte veç me ble pijet, nuk merrej vesh a hante
ndojherë, a ishte ndojherë esëll; çfarë moshe kishte. Pse jetojte? Takat fizik
duhet të kishte me bollëk se nji ditë, në zheg, i bamë me nerva prej poterës së
camërdhokve që luejshin rrenash me të madhe, ishte lshue n'ta si skyfteri, tu
ua prishë lojën me shtjelma e tue i gjuejtë turravrap në shishe. Fmitë e kishin
kuptue me ke kishin të bajshin, por ai vetë s'e kishte kuptue me ke kishte të
bante.
Dhe kshtu njiherë i kishin hy në shpi, dhe ia kishin derdhë tana shishet e
rakisë tue ia mbushë me ujë. Kthimin e acquavite-s në acqua (ose ujskit n'ujë),
ai e kishte kuptue muej me vonesë, pse shì n'atë kohë që fmitë kishin vendosë
me ia dhanë at msim, ai kishte vendosë me pi veç venë, mos me e përzi ma me
kurrgja. Kshtu kje kthye në shpi me karrocë nji ditë, e bashkë me drutë e
dimnit karrocieri i kishte shkarkue edhe do buta me venë të kuqe.
Edhe ajo verë kishte ikë. Lundrat e ngecuna të piratit dhe plakut të
Tristanës ishin mbushë me gjethurina e mbeturina. Drujt kjenë veshë me vetminë
e vjeshtës. Camërdhokët rriteshin dhe kishin fillue me e drejtue vëmendjen ma
fort kah qyteti, me lojnat elektronike, me parqet e pishinat, me xhiron e
pudrosun të mbramjes, me kërpitjen dhe krekosjen, me diskot ku halà ndigjohej
"Adole-shen-ca... a-a-a!".
Nji natë, kur vjeshta ia kishte mbushë oborrin me bijat e saj panumër të
rame në luftë me gravitetin, pirati bani si bani e u çue prej shtratit, dhe
t'ia hyni oborrit me rrashkel, mbushi dy thasë të zi me aso gjethesh, se iu
dojshin për "festën e vjeshtës", mandej i bani mullar paksa jashtë
gardhit, dhe ndezi me to flakadanin e festës. I kremoi! I kërmoi n'kremtim! E
gzueshi!! thirri, as vetë pa ditë se kujt, se kah, dhe shkoi e ra në shtrat ma
i kputun se gjethet qi sapo kishte djegë. Ishte i kputun, e do të kish dashtë
me u djegë edhe ai, por ndihej si pulë e lagun. E zuni nji gjumë i randë, si
gjumi i atij që e kap forca e gravitetit – ma sak, ligji i tretë i Njutonit, -
vetëm në shtrat. Kur po hynte në gjumin e disatë, mbasi i pati djegë etapat
vrik, nji za i zvargun si vajtim ere i hyni në dritore. Veshtoi. Zani zuni me
pru tinguj të dallueshëm, ishte nji za femne, flitte, me vedi, e flitte shqip.
Prej penxheres gjysëtëhapun hynte nji dritëhane krejt e butë, që rridhte si
qìri që djeget. Kje zani i Tristanës.
Pirati iu avit parvazit dhe me avujt e alkolit halà në krye mendoi kuku çar
vendi, edhe nji bukuroshe që kemi, e kemi vajtojcë. Në ma të mirën moshë. Pale,
po ka edhe at' kreninë se janë derë e madhe. Derë e madhe fort, me ta hedhë
fmitë përtokë me top lastingu. Po ai peshkatari babiçi i saj? Merr me dalë me
peshkue dhe nuk gjen rrjetat. Ia vjedhin ata kulimat e vegjël me ba porta
futbolli. Ta pret mendja që s'peshkon kurrgja, ça me peshkue me ato duert që i
janë ba si xumpare, ma shanse do të kishte me e hedhë grepin n'birë të pusetës.
Kot qi s'peshkon bretkoca te kanali, se për to ka treg boll n'ditë t'sodit.
Kavalier i madh, mandej. Nji lule s'e çon te vorri i grues së vet. Çoftë
rrashtën ma mirë! S'ka faj që kjan kjo, po ça ka që kjan në pronën teme? Dhe
pirati mori e u çue prej shtratit, tue rrzue pa dashje do shishe krejt të
boshatisuna.
Shkoi me mbyllë mirë penxheren, por aty stepi me dorë në dorezë; vuni re
bukurinë e amël të Tristanës, gjysë e ndriçueme n'atë dritëhane, e ndjevi se
ndërkohë qi lott e saj ia çojshin nervat kaçurrel, bukuria e saj e bante jo me
dridhë, por me u ngri t'ftofti. Mori fill nji gotë dhe iu avit butit të venës.
Por jo! Nuk mund të humbte asnji sekond nga t'pamunit Tristanën. Nji gjakftoftësi
e çuditshme ia përshkroi trup e shpirt, dhe ndjeu, se sikur të kishte kenë
besimtar, do t'ishte lutë për at rob. Por nuk ishte besimtar, ishte thjesht nji
alkolist i ndershëm, që çohej në mjes për me pi, dhe nuk e zente gjumi pa i
pasë tha tana shishet.
Paret e langut i siguronte falë pensionit të prindve, që ai i quente
gjithmonë në njejës prindi; 50 vjet martesë i kishin njejtësue, e për ma tepër
tash kjenë vorrosë në nji gropë. Ky pension i dyfishtë, ishte e vetmja
trashëgimi që i kishin lanë, bashkë me dëshirën e pashueshme me pi. Ndjevi se
edhe ai kishte me u ba plak i dështuem si kojshia i tij peshkatari pa rrjeta,
por kishte besim se alkoli do ta hekte ma shpejt kso bote. Në qytet kishte pasë
punue do kohë në radio, dhe prandej i kishte mbetë nji koleksion i mirë muzike,
i vetmi avaz që s'ia çonte nervat sado qi të përsëritej. Aty kishte pasë pak
shokë, të tanë të alkolizuem. Ndryshe prej duhanit, asnjeni s'krenohej se ia
kishte msue i pari shokut pijen.
Ndërkohë Tristana që dukej si e mbështjellun prej erës vjeshtore, u step dy
a tri herë ngiat zitit të piratit të rrethuem me tel me gjemba. Pirati e vuni
re, mendoi se ajo donte me i ba vizitë, a thjesht me i pru ndoj lajm të keq, a
me i kërkue ndoj nder... po pse n'at orë?! Mandej Tristana me nji brofje të
papritun a thue se kishte pá katallanin, u largue, përmes shtegut të shelqeve,
njatij qi e çonte kah shpia e vet.
Për orët në vazhdim piratit i mbet mendja te bukuria tragjike e vajzës, si
Ofeli e mbytun, dhe zani i sajt i shungulloi ndër veshë derisa ra me fjetë dhe
fill sa u zgjue, fill sa u zgjue e derisa ra prapë me fjetë. Të nesërmen ndjehu
me oreks të mirë, dhe mendoi kah dreka me pjekë mish. Në pritje të drekës i
mblodhi shishet dhe i zdrypi në ahër. Por s'pati nerva me pastrue njollat e venës,
që kishin lanë hartat e tyne, gjithkund. Nji njollë e madhe lagshtine në mur,
qi në verë kishte formën e Shqipnisë diplomatike, sa vinte e zmadhohej, tue
marrë formën e Shqipnisë etnike.
Dëshironte me e hangër mishin gjysë të pjekun, alla franga, por kur mendoi
se nuk i kujtohej qysh kur e kishte ble, vendosi se zgjidhja ma e mirë, ishte
me e pjekë sa ma shum, dhe si fillim me e zi. E hangri me aq shije, sa në fund
i mbeti pak nakël që s'kishte ma bukë me e ngjye. Piu nji shishe venë të kuqe,
dhe nji gotë të madhe ujë të gazuem me dy kuba akull. Atëbotë, i ndodhi nji gja
shum e çuditshme, që kurr s'kishte mendue se mund t'i ndodhte atij, n'at moshë,
n'at shpi. E kapi njikohsisht lemza dhe lott. Diçka kishte hy mbrenda tij, e
kishte prekë diku, i kishte pickue nji tel, dhe të vetmet nota që i delshin pa
kontroll, ishin lott. Lott vù, lott çurg, spirilang, lot krokodili, stërlot.
Kjau njashtu ma shum se nji gjys ore, dhe s'po i gjente fé vedit, si me ia ba
me dalë prej ksaj gjendje shpirtnore qesharake për shokun e tij.
Kur edhe të nesërmen dhe të masnesërmen, i ndodhi mbas buket e njejta gja,
biles me nota edhe ma të thekshme, me ngashërime e fshamje si me kenë tuj pa'
opera lirike te La Scala e Milanos, u ba primend marak. Mendovi se mos e kishte
fajin mishi, mos kishte ndoj hormon të çuditshëm, se mish industrial ishte ai,
pavarsisht se e merrte te nji kasap i besuem, po hajde besoi kasapve, se ma
t'iu kihej besë mbarështuesve ksokohe, ça nuk punojshin si e si me rezistue në
treg.
Kur e provoi me ndrrue gjellë, dhe shpërtheu me kuzhinë vegjetariane, vuni
re, me ironi, se lotët e mbasbukës, jo vetëm s'pakoheshin, por i shkojshin
curril, tue u pasë ba edhe ma të hollë. Mendovi se ishte rasti me thirrë
hidraulikun. Për pak u bana vegan, mendovi. At-herë provoi me ndrrue orar.
Prapë shkrehej në vaj si fmija të cilit i kanë vjedhë biçikletën e parë, të
parin dyrrotak kur je halà rosak. Provoi mos me hangër vakte të vërteta, por me
bubrrue ndoj kafshatë tash e parë... veçse mbas bukedjathit, sa pinte nji hurdh
venë me e gëlltitë, sytë i mbushesin me lot refugjat, kishte krizë ambasadash
n'bebet e tij, eksod, anija Vlora mbushej plot e përplot me njerz buzëplasun
etjet.
Për dhetë dit e net, pirati nuk i dha dum atij fenomeni, qi me te drejtë e
gjykoi paranormal. E solli dhe e pshtolli gjithsesi, por prapë nuk kishte
shpjegim, as skjarim, as zbërthim të mundshëm shkak-pasojë. Mendoi mos ishte
kthye fmi, mos ishte matufepsë, mos ndoshtan tanë ai alkol e kishte stërplakë
para kohe sistemin e tij nervor, tue ia zgërlaqë ato nerva që ngahera i kishte
pasë të çelikta, që s'dinin mort e s'njihnin ndryshk, as në tanë ktë lagshtinë.
Por nji lagshtinë tjetër, lagshtina e vetmisë, e kishte ronitë smbrendshmi,
mendonte, me gjasë, ajo e kalonte nivelin e lejuem nga vëzhguesit ndërkombtarë,
njashtu e padukshme, der qi bahej e dukshme me ksi efektesh, pa shkak e pa
pasojë. Se pasoja s'po kishte. Ai po e jetojte jetën po njisoj, si bima, qi ka
nevojë për ujitje dhe ndojpak diell herë mbas here. Jetë bime, jetë bio,
mendojte pirati me ironi të idht, thjesht asht tropikalizue njifije, tash; por
s'kishte dëshirë me dalë e as me folë me kend, e as me u marrë me faunë e florë
të gjallë, vetëm me humus, me herbarium... me vetmi.
Në krye të nja dhetë ditve a t'nji dhetditshi, ne t'dhettat mbasi e kishte
kapë vaji kur i thonë, nsa ai po shkrehej lirshëm në lott e mbasbukës, qi tash
kishte msue me i lanë të lirë, që me krye punë ma shpejt, i erdhi nji mendim,
kaq i rrastë e i thukët, sa iu ba digë direkt, e s'derdhi ma asnji kokërr loti.
Kto lot, mendoi ai, a mendoi mendimi për 'të, nuk janë të mitë. Kto janë
lott e Tristanës. Mi ka njitë, mi njiti bash at natë, kur e ndiva tu' vajtue...
Asht nandor, asht mueji i të vdekunve, normale që lott kalojnë sy m'sy. Asht si
ajo kanga idiote qi ndigjon gabimisht n'mjes dhe të mbetet n'buzë tanë ditën
mandej. Un s'kam arsye me kja, të paktën jo kso lotsh, kto janë lot virgjneshe.
Nuk janë lot alkolisti të ndershëm anonim pa punë dhe pa asistencë. Ka ndodhë
me mu diçka që ndodh me spiritistat, kur ndjellin shpirtnat e përtejbotës dhe
iu lshojnë trupin e tyne sa me u përhî do orë n'kët botë. Veçse kjo ndodh mes
të gjallit e të vdekunit, por paska raste që ndodhka edhe mes të gjallit e të
gjallit. Interesant!... Ose ka dekë njeni prej në t'dyve!! Ndoshta ajo qi kam
pá ishte fantazma e Tristanës, ose shpirti i saj qi ishte çue gjudhi e sillej
si shnjallë npër ktë vakuf, nsa ajo po flejte në shtrat. Nejse..., mirë që u
ekzorcizue kjo punë, e tash s'po më ndodh ma. Mund të pi venë i qetë, pa pi
edhe lott bashkë me 'të.
Mori me i shkrue Tristanës, qi me ia çdramatizue tokimin e tyne tête-à-
tête, e filloi letrën me shprehjen: e nderuemja zonjushë, Zjushë! asht hera e
parë që ju shkruej, dhe më duket primend si hera e parë... E la për ma vonë, ma
vonë e harroi krejt.
Kur të nesërmen vuni re se e zunë lott prapë, mori vendimin drastik me i
zanë bash derën Tristanës dhe me i skjarue se magjia ose mnjia duhej zgjidhë,
përndryshe s'do të kishte paqe n'at mahallë t'mërdhitun, se në lagje mjaftonte
nji vajtojcë dhe ishte qesharake me u ba dy, se rinia duhej të qeshte dhe se ai
nuk ishte aq plak sa me i shkue qurrat në kët farë feje.
Mori e veshi kmishën e ftohtë, të vetmen pa njolla. Shyqyr që ishte ngri,
por s'ishte aq akull sa të quhej e hekurosun. Mori edhe nji çangë.
Kur shkoi te shpia e Tristanës, i ra çangës që kishte marrë me vedi, me
nervozizëm. Askush s'e njehte at tingull të çjerrun si të shpisë së vet,
prandej në duèl s'duel kush. Ma në fund u dorzue dhe i ra ziles si tanë njerzt.
O Tristan!! thirri, në mashkullore me injorim të dyfshitë. Tue tregue se hem
ajo ishte shpi pa burra prandej ai po thirrte vajzën e shpisë, dhe hem ai po
kërkote nji shok të vetin qi rastsisht mund t'ishte aty, ngaqi nuri femnor i
saj ishte aq pranë zeros sa me iu duk si shok.
Pa vonue doli plaku, Trisana s'asht ktu, ka dalë, i tha.
Ka shkue kund, ndoj vend të caktuem? e pyeti pirati plakun. Jo, ka dalë
shetí me qenin. Mirë, pra, po shoh mos i shoh kund. Natën e mirë!
E gjeti Tristanën mes shelqeve lotues, qeni po lodronte larg saj, buzë nji
gjoli të vogël të lagunës. Sytë e Tristanës ishin ma të lagun se laguna. Sa e
pá i shkuen lott edhe atij. Tue qeshe e tue kja, i foli Tristanës e i tha:
Motër! Më ka gjetë belaja, nji natë qi padashje, përgjova vajin tand. N'pexhere
t'shpisë. Hapa nji derë qi s'u dashkej hapë. E tash përditë mbas buket, me
kapin lott e s'më lshojnë derisa avulloj krejt, ma ke ngjitë ti, un s'kam arsye
me kja ksodore, nuk janë lott e mi, as nuk due me i birsue. Kto janë lott e tu,
kshtuqi merri mbrapsht! Kshtu që ban diçka, dhe ma hek ktë mahi.
Tristana ia plasi gazit. Qeshi me gjithë shpirt. Mbas do minutash, mezi tuj
e mbajtë gazin ia priti:
Ti je pirati, a po?
Pirati?!
Kshtu të quejnë kalamajt.
Po ty si të quejnë?
Mue, Tristana. Kshtu ma kanë ngjitë.
Pse ata ta kanë njitë. Po ti sikur ke lindë pak para tyne, a jo?... Po mue
pse më quejnë pirat?
Ngaqë të kanë pa' që pin ratë, prandej.
Në fillim i ngjitshin emna qejve, tesh paskan fillue me njerzit.
Po ngaqë na shofin edhe ne që bajmë jetë qeni, thom un.
Un s'baj jetë hiç, as qej s'kam.
Mandej qejve iu kanë vu emna si Lordi, Baku, Bufja... emna babaxhan
simethanë. Kurse ty të kanë vu emën vajtojce me kja, mu emën me qeshë...
"Ti pret me të thanë sa gjeni, por un po t'thom sa gjynah!" -
mendoi Tristana, tue e pré bisedën. Para se t'ikte u vrâ prap.
Tristana mori e iku pa u kthye ma. Piratit s'i bani zemra me e ndjekë e me
e ndalë për me vazhdue me i kërkue llogari për nji gja kaq qesharaka sa lott.
Nji venë tjetër ia kishte pré krahët, ksaj here, bukuria e saj. Të qeshunën s'e
paske ngjitëse, i tha mbas krahëve pirati, të cilit ajo i kishte ngjitë në
asht. Ai u kthye kah deti i gjanë, zuni vend mbi nji stom dhe ndejti tue kqyrë
e tue mejtuem n'at zhaurimë paskaj, derisa i ftohti qi thekej me natë, e
detyroi me u kthye në shpi.
Nuk pati ma shkrehje në lot për do dit, por mandej kur e zunë prapë mendoi
me shkue me jetue në qytet. Kishte marrë valixhen dhe kishte hypë në autobuz,
kur u kujtue me buzë në gaz se nuk kishte pare të mjaftueshme me jetue në qytet
ma shum se dy javë. Ose nji muej n'rast se hekte dorë nga vena e tij. Kshtuqi
me t'mrritë në qytet e mbushi valixhen me venë dhe u kthye në shpi t'vet, për
hir të nervave të veta. Fundja e fundit, po msohej edhe me jetën prej shelku
lotues, prej arke kumbimi të Tristanës.
Në kthim pá diçka që s'e kishte pá ose ndoshta s'e kishte vu re maparë; nji
heshtje mjeruese pat ra në tanë djerrinën. Fmitë s'vinin ma me luejtë, s'e
kishte fajin i ftofti, deri vjet luejshin edhe në shi; kishin zbulue lojnat
elektronike, ku lodheshe ma pak dhe luejshe ma tepër. Ishin rritë. Nuk dojshin
ma me u lodhë kot. S'e kuptojshin, sikurse as të rritunit, se lezeti i lojës
asht mu te lodhja, dhe lezeti i lodhjes asht shì te djersa, jo te mungesa e
saj. Po s'qite djersë at-herë je lodhë kot. Po nuk u lodhe at-herë ke luejtë
mendsh. Por ma keq asht kur vetlodhesh.
As Tristana me qen nuk kalonte ma, as syçilë e as somnambul. Pirati
mendojte kajherë se natën kur ajo i kje shfaqë, kishte kenë tue ecë në gjumë.
Prandej muhabeti i tij i ishte dukë pa lidhje. Kishte mbetë biseda e vetme mes
tyne, ajo gjysë bisede, nga e cila, as çereku s'merrej vesht.
Jeta i kje ba e padurueshme n'at harvallinë të shpartallueme, dhe pirati
për herë të parë prej shumë kohësh, e kuptoi se plani i tij me vdekë aty prej
alkolit, ishte nji dështim kryekreje, se ishte tepër i ri për me u shue kollaj.
Me e ujitë me venë tanë at energji, ishte si me i hjedhë zjermit benzinë, a
benzol a vojgurit – ç'randsi ka kur e hedh n'zjerm, - dhe si pa e kuptue u ba
esull krejt dhe zuni me ça dru jo sa për nji dimën, po sa për pesë dimna në
vazhdim.
Ma vonë shkoi te plaku, se e pat kuptue se mnyra ma e mirë me ndihmue vedin
ishte me ndihmue Tristanën, pra me ndihmue plakun e saj. Doni ju qi qeni, i
cili maspari i lehu me t'madhe, kur e pá tue shkarkue drutë e çamë me masë për
shporet, u miçat si me kenë micë dhe dora-dorës e zuni nji llastim si me i pasë
lshue ndoj koc të langshëm. Pirati i ra ziles, dhe pa ndejtë me pritë te pragu,
shkoi prapë te stiva e druve n'skaj t'oborrit. Duel Tristana... Plaku kishte
dalë për peshk. Me rrjeta të shkyeme?! E shih me çfarë kohet...!? - ia bani
pirati, tue i tregue në largsi vransinat e vrame. Po dal për peshk edhe unë, i
tha asaj, por s'e kuptoi a ju ba qejfi a jo. Me vedi tha: po dal me peshkue
peshkatarin. Pa vra mendjen ma gjatë, shkoi te rrethimi i vet në ranishtë, me
qitë në dritë lundrën e tij. Tue pá se s'kishte nerva me gjetë çilsat, mori nji
kamdhí ia futi llozit mespërmes dhe e shpërtheu. Hodhi rrjeta e pajime n'lug të
lundrës, e hoqi mandej zharg me cimë, deriqi uji kje i mjaftueshëm sa me e
përkundë dhe u nis.
Tristana për herë të parë u ndje në ankth për të dy, për të atin dhe për
piratin. Nji stuhi vjeshtore e përlau bregun, tue fikë të vetmet shtylla që
bajshin pak dritë n'at djerrinë xunkthesh. Tristana u strehue mbrenda, mbasi
mori qenin nga kolibja, vuni gjellën në zjerm, dhe priti. Pritjes i shtohej
pritje, frigës frigë. Ma në fund gjella u ba, por Tristana, mbasi e rrejti
qenin me nji koc të ngrohtë e të langshëm, nuk mujti me e rrejtë edhe vedin dhe
s'hangri kurrgja. Mendoi ma të keqen, mendoi se pirati ishte tepër i shkatrruem
prej alkolit që me kenë halà në gjendje për punët e detarisë, aq ma tepër që
ishte rritë në qytet, dhe i àti pavarsisht përvojës, me disfatizmin e tij,
vetëm do t'ia jepte teposhten të dyve. U ndje disi në faj pse nuk e kishte
trajtue ma vllaznisht piratin në tokimin e parë, por ndoshta, mendoi, asht e
pamujtun kjo ndjenjë vllaznore, aty ku presin me hy në lojë do ndjenja të
tjera, të cilat, në fakt, nuk e përjashtojnë ktë ndjenjë, por e ruejnë për në
pleqni.
Prapë, heroizmi i garrametshëm i piratit, e bante me qeshë. Ishte e sigurt:
e para gja që pirati kishte hedhë në lundër, ishte ndoj shishe ponç. Fundja
fundit, në detin me tallaz, piratit tashpo i dukej vedi si n'shpi. Se kshtu, si
ndër dallgë ecte, tanë kohën, deri që kridhej në shtrat. Për nji çast Tristana
u ba kurioze për shtratin e piratit. Kushedi qysh kur s'i ndrron çarçafët,
gjithnji ne ka çarçafë. Kushedi sa sustat i kanë kcy përpjetë tue iu ngulë në
jastek. Tek a dopjo, e ka? Për 'të asht e njejta gja. I bajnë sytë tek-a-çift,
teksa s'din a ka pi, po pin, a ka me pi ndoj teke a ndoj dopjo. Edhe në pastë
kenë shtrat, tash asht shndrrue n'hamak. Ky asht si beduini, që zbulon nji oaz
ku nuk bunon ujë por venë. Kshtu pin e meket, deriqë shef kaq shum mirazhe, sa
edhe oazi i duket si mirazh. Veç vena i duket reale, dhe shkrettina kuptohet...
Kishte ra ora katër, dhe Tristanës iu kput kryet në jastek.
U zgjue mbasi pá nji andërr sikur po delte n'oborr në nadje, dhe po i
shifte kah vijshin, tue bartun të dy bashkë nji peshk shpatë të madh sa nji
bojë niri. Doli pa i la sytë, me ashkun e andrrës, por nuk i pá kund. As
at-botë, as n'orët në vazhdim. Tanë dita i shkoi si n'jerm, dhe kur po errej,
muer qenin e vendosi me shkue me lajmue policinë.
U kthye në shpi ma e randueme se ç'ishte nisë. Stuhia kje fashitë krejt, e
sa ma shum xiglojte dita npër breg, aq ma fort ngushtohej zemra e Tristanës.
Dita e dytë pa asnji lajm. Zgjati pa fund, anipse me kalendar ishte ndër ditt ma
t'shkurta t'vitit. Erdhi nata. Nata e dytë pa asnji fije drite mbi fatin e
babës dhe piratit. Duel në dritore me true hanën, por hanë nuk kishte. Mori me
lexue nji libër, qi flitte për nji peshkatar të pafat dhe detin e tij. I ishte
dukë gjithmonë libër për fmijë, por tash po e vente re sa dramatik ishte
n'thjeshtsinë e vet. E zuni gjumi por cijatjet e erës e zgjuen disa herë
trembshëm gjatë natës...
"O Tristan, o Tristan" – ndigjoi, dhe s'e diti a ishte n'andërr,
a kishte zbardhë dita e dikush po e thrriste. Mandej kuptoi se vetëm nji njiri
n'botë e thirrte ashtu, n'mashkullore. Mandej iu ngushtue zemra se bashkë me at
za, nuk ndivi edhe zanin e të atit. Kur doli n'oborr, pat hedhë nji shami të
zezë mbi supe. Pirati e pa' me nji buzqeshje të gjanë sa batica, dhe shijoi
kombinimin e të zezës së shamisë, me florinin e flokëve të saj të derdhun mbi
shpatlla. Ajo pa' të atin dhe piratin qi mbajshin të lidhin me tel trofeun e
tanë atij peshkimi të frikshëm.
Mbas do ditsh, pirati dhe Tristana duelën për nji shëtitje në qytet. Gjatë
xhiros në betonale panë edhe disa nga camërdhokët e lagjes së vjetër, qi ecnin
si nëpër filma, madje edhe batutat po t'iua ndigjojshe si nëpër filma i kishin.
Pinë nji bozë gjigandë, nji overbozë siç e quejtën dhe rrugës së kthimit, Tristana
mbasi iu afrue butsisht trupit të tij, e pyeti me humor të pëshpëritun: si kje
ajo puna e lotve t'tuej?
Ah, më duket
se kjava si fmija kur lind.