Dyshimi për një veprim konspirativ ushqehet edhe nga trajtimi mediatik, nga vënia në skenë e demonstratës porçarliste të Parisit. Me gojë, folësit e televizioneve saktësojnë se në datën 11 janar 2015 nja 50 udhëheqës politikë të ardhur në Paris demonstruan krah për krah e sup më sup bashkë me 1,5 milionë pjesëmarrësit për Charli Hebdo-në dhe për lirinë e shprehjes; në të vërtetë ata u filmuan veçmas, në një rrugë të bllokuar, e pastaj hipën menjëherë nëpër makina dhe u zhdukën. Kur mësohen kaq detaje, ravijëzohet edhe një tjetër liri, ajo e manipulimit të një spektatori që këqyret si i rrjedhur, foshnjarak, ose i mangët nga trutë. Nga ky këndvështrim, një kryeministër ukrainas që erdhi para pak kohësh në Berlin, shpalli se jo Gjermania sulmoi Bashkimin Sovjetik, por e kundërta. Natyrisht, vënia në skenë e unanimitetit është e përligjur: jeta politike është një vënie në skenë dhe media e mbështet, madje bën inskenime me porosi, përmes të cilave jeta politike është vetëm fasadë dhe konformizëm. Kai Gniffke, përgjegjës për programet e lajmeve të televizionit kryesor gjerman, ARD, mundohet të çlodhë situatën duke relativizuar: asnjë fotografi politike nuk tregon realitetin, asnjë realitet nuk është njëanësisht i politizueshëm, gazetaria nënkuptojn përzgjedhje pamjesh, prerje dhe fakte. Një punë e mundimshme, e cila duhet matur me standarde mjeshtërish dhe etike (Nachrichten sind nie perfekt, FASZ, 9.2.15). Është krejt sjellja e njohur e mediave të ish-bllokut sovjetik, tipike për poetët e tij. Por askush nuk pyet pse politikanët nuk mund të jetojnë publikisht pa forcat e ruajtjes, pse nuk ekziston më solidariteti me shumicën e njerëzve, pse politikanët e kanë instrumentalizuar këtë ngjarje për qëllime e përfitime vetjake. Përgjigja politike ndaj sulmit të Charli Hebdo-së dëshmon se politikanët nuk janë më të pranueshëm, të dashur, të nevojshëm, se është e rrezikshme të jesh politikan, se mes politikanit dhe masave nuk ekzistojnë më marrëdhënie të mirëfillta, apo se populli ekziston vetëm formalisht, si njësi. Ideja e konspiracionit është e lidhur me atë të lirisë. Terrori duhet parandaluar. Ngjarja Charlie mund të shndërrohet për SS&S në një pretekst për vendosjen e disa masave të reja antiterroriste, me rrezik për karakterin e tyre specifik të institucioneve të tilla në Rumani: „Shtetet perëndimore kanë tashmë mjete kontrolli për të shmangur abuzimin e shërbimeve të fshehta. Gjendja është e ndryshme në Rumani. Është dashur të kalojnë shumë vite dhe të bëhën shumë përpjekje nga ana e shoqërisë civile për ta zvogëluar sadopak gjithëpushtetin e shërbimeve të fshehta. Nëse do t’u jepej sërish dorë e lirë shërbimeve nga gjyqësori e legjislativi, pa asnjë kontroll, apo vetëm nën një kontroll sa për sytë e botës, do të kishte një rikthim në situatën e viteve ‘90” (Manuela Șefănescu / ApadorCH: Mos përfitoni nga Charlie, Adevărul, 22.1.15). Përndryshe, pas masakrës, qeveria franceze dërgon si përgjigje në Gjirin Persik monumentin e marinës ushtarake, „Charles de Gaulle”, masë që, siç vërejnë disa komentues, do t’i vdiste së qeshuri të vrarët.
Në Rumani, ngjarje si ato të Francës janë të pamundura. „Tek ne, manjakët fetarë mezi kanë pranuar llampën, pale më leximin. Pra, është e vështirë të ndërkryhet dikush ndaj gjërave të shkruara” (Radu Alexandru, „Cațavencii). „Shtypi ynë satirik duket se ka të tjera pikësynime, për faktin e thjeshtë se Rumania ka vështirësi të tjera shoqërore; emigrimi dhe salafizmi nuk bëjnë dallgë rreth vetes; një lëvizje e tipit Pegida s’ka shanse të nisë, pra mund të themi se, në krahasim me hapësirën perëndimore, ne përqeshim e karikaturojmë në një nivel minor: ndeshemi me ata që na vjedhin gjatë pastrimit të dëborës, me turizmin zgjedhor, me gjoja-akademikët”. (Dorelian Bellu, „Plai cu boi”).