Prof.univ.dr. Ardian Kyçyku
Në(n) një botë me qiell të pakët, me lexues të pakët
Poezia
e mirëfilltë fton, ashtu siç një dhembje e shprehur bukur, me hollësira trembëse
dhe frymëzuese, etet të
takohet, të njësohet e pastaj të shndërrohet në dritë (mençurie, përvoje e
paqeje) me një dhembje të ngjashme, por e cila ngurron t’i hapet dikujt tjetër.
Në ortekun e shkrimeve e botimeve të sotme, njëherazi me shtimin e moslexuesve,
ftesat nuk numurohen dot, por shumica dërrmuese e tyre janë të rreme dhe nuk e
kapërcejnë nevojën, por edhe këmbënguljen e pamëshirshme të autorëve për të përvetësuar
kohë e emër nga lexuesi, ose thjesht per të fituar dhunshëm thelbin që nuk e
kanë. Ndaj edhe tani, më tepër se kurrë, mundësitë e lexuesit për të gjetur
poezinë e epërme, atë që krijohet për hir të mbijetesës e përkryerjes shpirtërore,
janë shumëfishuar. Kjo tingëllon si sajesë, por, për fat të mirë ndodh, dhe
ndodh edhe falë dyndjes së të ashtuquajturve stile, mjete, shkolla, vizione
poetike etj, pavarësisht se sasia e këtyre të fundit duket sikur e ka shfarosur
përfundimisht cilësinë. Poezia e mirëfilltë fton dhe gjen.
Poezia
e Ledia Dushit[1] nuk vjen
në shqip nga diku e dikur, sepse është kudo e kurdo për lexuesin e përkushtuar.
Ajo fton heshturazi vetëm ata që janë në gjendje ta përjetojnë, ose ata që ëndërrojnë
dëshpërimisht rritjen shpirtërore përmes poezisë.
I
ftuar nga një hapësirë fare pak e njohur, ose që duket përjetë e humbur, lexuesi
bëhet gati i plotfuqishëm sa edhe autorja (kur hyn brenda kësaj poezie) dhe e
pasuron tërthorazi, nëse shmang ftesën. Kjo nuk nënkupton kurrsesi që poezia e
Ledia Dushit pasurohet kur nuk lexohet, por që pasurimi i saj vijon edhe jashtë
vëmendjes së lexuesit, sidomos kur ky u kushtohet gjërave të rëndomta të jetës,
pa arritur ta kuptojë Vdekjen si duhet, ose pa guxuar të vendosë me të marrëdhënien
e drejtë. Sepse poezia e Ledia Dushit sprovon së pari pikërisht në zonën e
fshehtë, ku lexuesi duhet t’i japë një kah marrëdhënies kryekëput vetjake me
Vdekjen, në një qiell që ose do të mpaket më tej, ose do të zgjerohet aq sa qiell mund të durojë secili.
„Jam andrra jeme”, ose si gdhendet vdekja e plagëve
Poetja
jeton thellë, „me fund”, në një vetmi e fshehtësi, - të lakmueshme për pakicën
/ të shpërfillshme për shumicën, - dhe shkruan pak. Boton edhe më pak, pjesë të
një kënge tronditëse, ndarë në copëza (shumica pa tituj), vetëm kur mbajtja e
shkrimeve në sirtarin e kujtesës kërcënon, ose thjesht i jep të kuptojë se do
t’ia prishë pjesën e pabot(ës)uar të këngës. „N’mesnatë, / kur trutë e mi / pjekin tru egërsinash, /
dikush / lëmon me gishta hanën… / Atëherë / unë mpakem, / strukem n’brinj, /
nisi me gdhendë / vdekjen e plagëve”. Vdekjen e plagëve, pa të cilat jeta nuk do të
kishte kuptim e as shijë. Ai „kur” i vargjeve të mësipërme, përfshin edhe „kur njerëz me shkretina n’krye / vdesin prej
etjet” – pamje rrënqethëse, - e me të cilën fatkeqësisht po mësohemi aq sa
po na duket më e natyrshmja, në mos po më e bekuara, - e njeriut të sotëm.
Jetimi[2] (jo
rastësisht rimon me kujtimi, kuptimi,
lartimi etj) thellë i gjithçkaje nënkupton mungesë gati të
plotë nevoje për kurreshtje e bujë nga jashtë. Gjendja e poetes, - plaguar e shëruar
njëherazi mes një ëndrre shpesh më të rëndësishme se jeta dhe një vdekjeje që
fshin kufijtë mes së vërtetës dhe përfytyrimit, - të kujton një njeri gjithëkohor
që është aq i vetëdijshëm për vdekjen e vet çast pas çasti dhe jetën e dalë
prej asaj vdekjeje, saqë nuk ka as kohë, as dëshirë të rrezikojë ndonjë përdhosje.
Nuk e teproj të them se kjo poezi di ta çmojë Vdekjen nga pika ku çdo varg
shenjtëron jetën.
Gjatë
njërës prej daljeve të saj të rralla në shtyp, Ledia Dushi rrëfehet: „Vdekja është një praní e ajo na e rrëmben vazhdimisht
çastin me të cilin lidhemi. Madje ky çast ka vlerë pikërisht për faktin se
vdekja na e rrëmben. (...) Kështu, nëse mësohesh me praninë e vdekjes, e vë re
që edhe ne vetë po vdesim, sepse vdes brenda nesh gjithçka për të cilën nuk
kujtohemi më, e kujtesa jonë nuk është aq e fortë e aq e gjerë”[3].
Vargje të pikuar
aty-këtu mes heshtjesh disavjeçare, zgjerojnë, ose të paktën kthjellojnë më tej
qiellin e lexuesit, por edhe lexuesin e qiellit të poezisë: „syçilë
m`shtihet Vdekja kur Frymë nuk ndeshi / uj` e heshtje mbledhi n`fashën e kësaj
dite / me diellin plasun n`vorre e tinguj ndër lutje / tue pritë me nxjerrë
toke ndoj pemë a ndoj njeri…”
dhe „ndoj Shpirt ka me u ulë ndër prroje
/ dimnor me heshtue kohësh të mbulueme e sendesh / zemrën me e zbrazë gjak me e
ndejë ndër pemë / e
parzmit me i shti krejt qiell t`tërbuem“. Edhe më qartë
akoma: „t`gjithë jemi tue vdekë / nën
kët` qiell t`pakët / e nëse çohemi ia mbërrijmë / me i vu vetë yjet retë / e me
i pikue ndër pemë / siç duem me t`gjitha ngjyrat“.
Poezia
e Ledia Dushit (që ndihet andërr e vetes
dhe që, mbase për këte arsye, beson se „Femna s’asht Njeri”), mbetet edhe një ftesë për dëgjim
shpirtëror, dëgjim me veshë e sy të brendshëm, në një vetmi e fshehtësi e
vdekje-jetë të ngjashme me të poetes. Në të kundërt, lexuesi mund të ndihet
sikur po rropatet të përvetësojë shpejt e falas një gjuhë krejt të panjohur.
Një çelës i disafishtë. Gjetja dhe gjama
E
shoh poezinë e Ledia Dushit si çelës (edhe muzikor) që, për çudi, teksa
rrethohesh varg pas vargu nga një botë e vranët lartësish, lehtëson hyrjen në
botën siç është, jo siç duket. Në botën siç e ka lënë
Krijuesi, jo siç e shfytyrojnë me lojnat e tyre të pafrymëzuara ata që pandehin
se mund ta përmirësojnë, apo ta rrënojnë krejt. Edhe fjalët që përdor poetja
janë mrekullisht të duhurat. Ato
zhveshin si lëkurë të shumëtrajtëshme çdo peshë e shije të pandershme të
kuptimeve e nënkuptimeve dhe përcjellin
(jetohen) gjatë çasteve kur lexon atë që, de
facto, po jeton (lexon).
Njohëse
e saktë e Vdekjes si thellim e përkryerje e jetës, dhe e Jetës si grua shtatzanë
me vdekjen prore në vend të foshnjës, Ledia Dushi e përdor gjamën e epërme, të
fisme, si gjetje.
Pa harruar për asnjë çast qiellin e pakët, gjama e
poetes ringjall në kujtesë copëza nga fati i shpendëve, të cilët shpesh nuk janë
veçse shprehje, ose trajta të shpirtrave tanë („ky shpirt që zhgulet me u shlirue kocash / asht zogu që
ndrin i qiellt ndër duer / e nata nata që bahet përshkënditëse / asht ferri i
ndezun që na e ban mirë / koha asht e prekshme e matet me flutura“).
Mes qiellit të pakët dhe kockave kokëforta, „shpendët rreth qafet / t’perdredhen /
vdekshëm tue jetue”. „Sa here mbytej
lejleku / prej tymit mbi oxhak, / pranvera helmatisej / me lotin e vet, /
s’gjente gropë uji / me e pi dimnin”. Dhe: „shpendi i mbetun prej dritës / u vra / tue ardhë te unë”.
Arti
poetik i Ledia Dushit, - çelës i shumëfishtë dhe pjesë e rrugëtimit drejt botës
së papërdhosur prej mendësive kalimtare[4],
- nuk niset nga gjetja për të mbërritur tek gjama,
por anasjelltas.
Geg ni e geg gjegj[5]
Kjo
poezi do të ishte e pamundur pa frymën e brendshme shumëvjeçare të gegnishtes.
Brenda kësaj fryme që është sa një botë, - në zgripin ku fiket fuqia e shkencës
dhe rindizen dhuntitë mistike, - gjallojnë të gërshetuara, me drithmë zjarri të
pafundëm e pafundësisht të bardhë, këngët e frymuara nga aq mjeshtra pa emra të
Metaforës, nga të cilët trashëguam Eposin. Gegnishtja si mjet i epërm, por edhe
si botë e „përkthyer” (lexo: shqipëruar)
në tinguj, kap me poezinë e Ledia Dushit njërën nga majat e veta të pangatërrueshme.
Botë-frymë që na vjen e gjallë falë një barazpeshe përmallëse e magjepsëse mes muzikës
së brendshme (shpesh me gjama e lavde ritesh) dhe mendimeve (me një dendësi shajnitëse),
pa lejuar të humbë gati asgjë, apo të varfërohet gjatë shpërnguljeve të
mundshme në gjuhë a të folme të tjera[6].
Sepse poezia e Ledia Dushit ka vetinë e rrallë të perpetuum concordia: muzika e fjalës, e lidhëzave, e heshtjeve, e përkëmbimit
mes tyre dhe kuptimi që bartin janë në një harmoni gati të pabesueshme, që
përtërihet prore. Që këtu burojnë metafora, të cilat zakonisht i ngjizin brezni
të tëra lahutarësh, ose shpirtra të paqetë që enden mes honesh e majash.
Prandaj edhe nuk është e lehtë, por as e këshillueshme, ta ndash „shkencërisht”
epiken nga lirikja, temën „e madhe” nga „e vogla”, fjalën nga sendi a qënia që
përshkruan, poeten nga gjendja etj. Për shembull: „gjuha asht e vdekshme e pavend / për çka Shpirti qysh n`krye t`herës /
mban ndry, ç`prej përtejes s`pa-anë / Qielli nuk asht i fshehun, por i pazbërthyem
/ sekush asht tempulli i vetes s`vet / e rrin nën Ty që vjen s`nalti / e ka
veshë me t`ndi, Shpirt me zdritë / meh n`jerme e esenca, / këndellun n`secilen
trandje kozmike / e mbahesh e mbahesh e mbahesh… / thuejse tue ra mbahesh n`nji
fije gjaku / n`ajrì n`ajrì syngulun n`qiell yjesh qe t`flasin / s`nalti rrin
n`ajrì n`nji fije t`thellë gjaku”.
Çfarë sheh shpendi para se të vritet, në kohën që matet me flutura
Ledia
Dushi rikrijon, por edhe ngjiz nga e para gjendje shpirtërore, të anashkaluara
nga vetëdija e përditshme dhe e përgjithëshme, ose gjendje të pritme. Kujtesa e
saj nuk përqëndrohet në ngjarje historike, madje as letrare, por në shkëndija të
kujtesës së përbashkët. Ajo është e çliruar edhe nga shtypja që ushtron shtypi,
në këto kohëra kur vlerësimi i shprehur prej dikujt apo shumëkujt për një libër
merret si vlerë e vetë librit, gjë që ndodh edhe ndaj shumicës së shkrimtarëve.
Ndodhemi brenda një poezie të mbitekstit,
që e krijon vetë kontekstin. Kjo poezi zgjedh thelbe nga lënda e padukshme e Kujtesës
dhe i bën të dukshme (gjendje ku dukja dhe dëgjimi kanë të njëjtën rrënjë, si
dy qënie me të njëjtin trup). Qëndrimi vazhdimisht lart i kësaj poezie nuk është
përbuzje ndaj së përditshmes (me hidhërimet e gëzimet e saj të thjeshta), por
as ndonjë vlerësim a pranim i plotë ndaj saj nuk është. Poetja e shijon (ose
edhe e mjel) të tashmen vetëm për sa kohë e tashmja i shkakton dhembje e zhgënjime
që mund të shndërrohen në perla poetike. Përndryshe, ajo ka ku e pse të jetojë,
madje tepër bukur. Vlerat që përcjell krijojnë përshtypjen se Ledia Dushi ia
kushton kohën e saj më të çmuar, atë ku nuk është veçse vetja e saj më e
zgjedhur, poezisë. Prandaj mund të flitet për një lartní shpirtërore që vajton poetikisht
ndër gëzime e gëzon poetikisht ndër vaje, si shpirt më vete; i pranishëm, por
jo krejt pjesëmarrës; i papërsëritshëm, por jo i etur për famë.
Lënda, lëndimet, zgjimet
Trupi
është i pranishëm në poezinë e Ledia Dushit, por vetëm si zëdhënës, ose si hije,
pa të cilën zëri nuk i mbijeton dot kohës: „asht
mirё me u mbushё n`flutra t`çiluna qё t`shtrihen nёpёr trup / t`ngjisin
pёrpjetё e nuk ndjen ma mish / n`kёrkim t`ndoj cope dielli / gjen veç gjakun
tand qё s`derdhet e s`thahet as ngjeshet kurrkund s`miri”.
Poetja
na dhuron vetëm ndjesitë që nuk kemi mundur t’i përjetojmë, apo t’i ngulitim
gjatë pjesës së përbashkët të përvojave tona si vdekatarë. Në këtë poezi zëri përthith
e njëson në vete unin e poetes si femën që
s’asht njeri dhe si njeri që s’asht thjesht femën, të shkuarën, të tashmen
e të ardhmen, me një fuqi që mund të të shpëngulë drejt një kohe të katërt, në
Kohën e Zërit. Varg pas vargu, koha e mësipërme, falë gjuhës poetike, i çliron
jehonat e veta nga kuptimi i parmë dhe shton lirinë e lexuesit për të menduar,
madje edhe për të marrë pjesë drejtpërdrejt (por pa e shënuar emrin e vet) në
njëfarë krijimi siamez.
Ky
rrugëtim i dyfishtë, i lexuesit me hijen e poetes dhe anasjelltas, çon
pagabueshëm atje ku „e sheh përmbi Dritën
e Fundme që s`duhet kryet me e pa / s`lypen kambë me e mbërri Dritën që asht
Atje e na / shkojmë përnatë me Shpirt e bartena as n`gjeth as n`shi as n`shpend”.
S`nalti
Thellësia
dhe hijeshia e poezisë së Ledia Dushit, - e cila nxitet nga „trishtimi i plotnisë”[7],
- bindin se mund ta për/jetosh në një
vetmi e lartësi shpirtërore të ngjashme me të poetes dhe i falin secilit
lexues mënyrën e vet të kuptimit e shijimit, por pa e lejuar të gabojë e të
shpikë gjëra të paqena. Duke iu përkushtuar lexuesve të gatshëm për të dhembur
më bukur, kjo poezi do t’i tubojë këta të fundit në heshtje, sado larg e sado të
padukshëm për shoshoqin të jenë. Besoj se, falë dhuntisë për të hyrë natyrshëm nën
lëkurët dhe në gjakimet e fshehta të secilit, kjo poezi mund të zgjojë edhe
ndonjë analfabet funksional fatlum,
ta çmësyshë shpirtërisht e mendërisht, dhe ta mërgojë si pandijshëm në botën ku
leximi është arritja më lartuese e shkrimit të pamundur.
E
ngaqë çdo varg i Ledia Dushit ka dendësinë e mjaftueshme të jetojë edhe më
vete, edhe i nyjëtuar bukur me vargjet e tjerë, madje edhe me pjesët e tjera të
krejt Këngës, vepra e saj ka trajtat e një kristali të çuditshëm, i cili nuk
thërrmohet, nëse i hiqet ndonjë kokrrizë. Vërtet e gjitha „s`nalti rrin n`ajrì n`nji fije t`thellë gjaku”.
As, as
Mund
të shkruash vetëm më pak nga sa do të dëshiroje për këtë poezi, por asnjëherë nuk
do të mund të shkruash më shumë nga sa duhet, sepse kjo poezi të ndalon ta
teprosh, njëlloj siç të ndalon ta teprosh jeta e tjetrit, në hapësirën dhe kohën
ku(r) është gjithaq edhe jeta, ose poezia jote, e shkruar a e pashkruar.
Thjesht të vjen të përsërisësh vargjet: „fmij
kam mujt me ngranë shega e shega e hurma / e mos me u ngopë tash ajri s`m`ngopë
as zemra që mbaj / as sytë s`m`ngopin aq duen me pasë / gjak s`di sa kam as
jetë as frikë as dashni / as njerëz me humb as mend me nxjerrë”.
Bukuresht, prill 2019
[1] Lindur në Tiranë (1978), poete, përkthyese, doktore e
shkencave, kërkuese shkencore pranë Institutit të Antropologjisë dhe Studimit
të Artit, autore e vëllimeve "Ave
Maria bahet lot", botimet EURORILINDJA, Tiranë, 1997; "Seancë dimnash", botimet
Camaj-Pipa, Shkodër, 1999; "Me mujt
me fjet` me kthimin e shpendve", botimet IDEART, Tiranë, 2009; e
monografisë “Gjama si rit kalimi” dhe
e një sërë punimesh të tjera shkencore e letrare.
[2] Jo njeriu
pa prindër, por për-jetimi
kulmor – sqarim i imi, A. K.
[3] Ledia Dushi: “Mosvëmendja njerëzore e bën vdekjen të mos
vihet re”, Revista MAPO (2016). Intervistoi Violeta Murati. Shkrim i botuar në kuadër të
projektit “Udha e Shkronjave”.
[4] „Të
menduarit në një mënyrë të diktuar, cilido qoftë burimi i kësaj mënyre, e
drejton njeriun kah vështrimi i dobët”, në “Mosvëmendja njerëzore e bën vdekjen të mos vihet re”, art. cit.
[5] Fjali e imja - A. K.
[6] „Kam
mjetet e mija të përzgjedhura e të dashura, nëse doni. Gjuha është njëra prej
tyre, e dashur, por aspak thelbësore. Asgjë nuk është ashtu siç duket, as
poezia s`është ajo që duket. (...) Poezia
s`është as gjuha e as e vërteta; poezia është mënyra për t`u kthyer tek e
vërteta”. Po aty.
[7] Shih “Mosvëmendja
njerëzore e bën vdekjen të mos vihet re”, art. cit.