Ardiana Salihu: me i ra heshtjes për ftyre (fragment)

Lindur në Prishtinë, me banim në Grac, Ardiana Salihu ka botuar pak, në disa revista letrare, dhe, për një kohë, është marrë edhe me gazetari. Shkrimet e saj janë një zbulim që do të kish nderuar çdo revistë letrare. (Revista Haemus) 


Hija ime

dy këmbët mbi tokë
një këngë
mbi dhé
një nën dhé


Eja të flasim për motin


Teksa ecën nëpër rrugët e atij qyteti të hirtë
E mërzi fshikulluese t' rrahin nëpër fytyrë
Desha të t’ pyes, a ke ende ngrohtë n’ shpirt
Nën mantelin e kujtimeve që t’është bërë zgjyr’?

N’flladin e ditënatshëm kur dihat mallëplot
E dashuria s gjen dot dy gisht varr ku të çel’
E ndjen si shkunden plakat e vargut në një sot?
Si ëndërr zemërkopsitur, frymëz e vakët për diell

Nga zjarrmi pendimesh zemra athua të shkrihet
Të marrë flakë kalliri i fundit i trishtimit të blertë
Kush ta shplan frymën mbase kurrë s’i dihet
As kush t’i shuan mornicat nga ky fatalizëm i vertë

Desha të t’pyes, kjo shiheshtje pse kalbet pranë etjes
Në kafene të mjegullt harrese një llaf miku t’përkund
E melodi e dëshirtë nxiton rrëshqitshëm drejt zverdhjes
Ky mot sylagshëm drurin e dhimbjes a thua do ta shkundë?
 

Nganjëherë

… më je si idiomë e një gjuhe të mësuar
diku(r) në mërgim
kaq herë ndër buzë të kam lexuar
po prapë mbete veç vegim

… më je si shkronjë e një gjuhe të pamësuar
diku(r) në mërgim
kyçur në librin e shenjës, së papagëzuar
në shpirtin tim

… më je si poezi, e lexuar vetëm njëherë
diku(r) në mërgim
zvjerdhur, si pusullë fryme e varur në derë
të shpirtit tim

… më je si biletë njëdrejtimëshe Grac-Prishtinë
diku(r), në mërgim
e blerë, e paprerë, jetë e zhubrosur ndër stinë
i pafundëm udhëtim

... më je si arti që aq lehtë e bëjnë dhe e zhbëjnë
diku tej, në mërgim
dhe ai që aq vështir’ bëhet, aty, ku të gjithë e duan këngën:
në vendin tim


Ethno meme

Ajo ndjesia,
kur, duke parë një film
e kupton
se nëna shqiptare ndoshta s'ka qeshur kurrë!


Kohë e (p)lagur

Kur e djeshmja
mori fytyrën
e të sotmes së bukur
dashuria lodronte
midis zemrës së çastit
e shkarravitej diellas
buzëqeshjeve të mëdha
ndër fytyra të vocrra

Kur e sotmja e bukur, sakaq,
hyri në moshë
fjalëpërmbytura kohë
shpërtheu në shkrumbim
derisa dielli u çmësua nga ngjyrat

fëmijëri syenjtura
u rrokullisën lotëve rrathëngrysur,
u mësuan t'i gëzohen
e u lutën të mbarohen
tatëpjetave të shpresës

Kur e nesërmja kërkoi të vdesë
ende pa lëshuar rrënjë
dhimbja e moçme rrëfeu:

shtatë pashë thellë ndër harrime
ishin zgjuar tokat e shpremtuara
për t’u falur varre
shpirtrave që veç trupi i mbante gjallë!

Vetmia mbeti e verbër
dhe nuk mësoi të plakej
ndoshta
ndoshta

dashuria qe çuar peshë

(...)

More in Haemus Plus 2017-'20