Wisława Szymborska: Rreth vdekjes, pa e tepruar

(Despre moarte, fără exagerare)

(1923-2012, PL / Nobel në Letërsi, 1996)

 

Ajo s’mund të shijojë një shaka

s’mund të shquajë një yll, të ndërtojë një urë

s’e ka haberin rreth thurjes së veshjeve, minierave, bujqësisë,

ndërtimit të anijeve apo se si gatuhen ëmbëlsirat.

 

Sa i përket planifikimit të së nesërmes sonë

ka fjalën e fundit,

e cila, përndryshe, kalon gjithnjë anës çështjes.

 

S’është madje në gjendje as të bëjë gjëra të thjeshta

që lidhen me zanatin e saj:

të hapë një gropë

të bëjë një qivur

të verë rregull pas vetes.

E preokupuar tërërsisht për të vrarë

e përmbush shkeleshko misionin,

pa sistem e pa pikë talenti –

sikur secili prej nesh të ishte në vrasjen e parë.

Sigurisht, ka ngadhënjimet e veta,

por të kujtojmë humbjet e saj të panumurta,

orvatjet e dështuara

goditjet që gjithë duhet t’i përsëritë.


Ndonjëherëe s’është mjaftueshëm e fuqishme

që të vrasë një mizë në ajër.

Të shumta janë merimangat

që mund t’i jepnin mësim për këtë çështje.


Gjithë ato rrënjë, mashurka të zeza,

tentakula, luspa, sqepa,

pendë martesore, shto gëzofin për dimër

dëshmojnë se ka mbetur prapa

sa i përket zanatit – që e kryen pa ëndje.

 

Sëmundjet nuk e ndihmojnë,

teksa ndihma që i japim me luftërat dhe me grushtet e shtetit

është ende larg për mjaftuar.


Zemra rrahin brenda vezëve.

Eshtrat e foshnjave rriten.

Farat punojnë rëndë për t’u bërë fije me gjethe,

E nganjëherë trungjet më të lartë shemben.


Kush pretendon se vdekja është e gjithëfuqishme

Bëhet ai vetë dëshmia e gjallë

Se s’është kështu.

 

S’ka jetë

që të mos jetë e pavdekshme,

qoftë edhe për një çast.

 

Vdekja

Sos gjithmonë, pikërisht për atë çast, tepër vonë.


Më kot tund-e-shkund dorezën

e derës së padukshme –

për sa kohë ti je këtu

s’mbetet asgjë për t’u bërë.

Trad. Petru Dimofte

Në shqip. A.-Ch. Kyçyku