PËR TË QESHUR E PËR TË QARË / DE RÂS ŞI DE PLÂNS

Astrit Cani

Habia kulturore

Tirana-Milano solo andata

Herën e fundit që ishem në Tiranë (fama e ngjyrave të Tiranës i ka ndezë shum trune mes italianëve truthatë), më thanë se rruga Myslim Shyri ishte orientue seriozisht kah nji binjakëzim me rrugën Montenapoleone të Milanos. Bukur, apo jo! Unë në Milano jetoj, mirëpo nuk di pse nuk më gëzoi ky lajm. Më gëzon kur bahet nji rrugë e re, dhe mirëmbahet për kah ana estetike. Amà rruga Montenapoleone e Milanos nuk asht kulmi i kulturës italiane, dhe nuk dashurohet prej milanezëve. Të cilët tashma as ata vetë nuk mund të blejnë nji palë këpucë aty, dhe u hapin shtegun klientave nga Japonia dhe ndoj vend tjetër. Asht simbol, kjo rrugë. Simbol i së vetmes industrí që i ka mbetë Italís, pasi i kanë dështue tana tjerat, industria e modës. Nuk ka fare randësi mendimi im, mirëpo, të zotin e rrugës, pra padronin moral të saj, nuk e ka pyet kurrkush. Unë s'di ç'mendim do kishte pasë Myslimi, të cilin asht pak vonë me e pyet, sikur emni i tij të lidhej me emnin e Armanit apo Valentinos, që sigurisht nuk mund të quhen burra me namuz, simbas botëkuptimit të Myslimit. Myslimi, sigurisht nuk asht kondra vetrinave sexy, nuk asht kondra të veshunit firmato, por mbase nuk ka luftue për 'to, dhe nuk do dojte që emni i tij t'u bante strehë atyne vlerave. Jazek, do kishte thanë Myslimi, jazek!

Njeriu

Në nji periudhë m'u kujtojte shpesh se insani, ose njeriu simbas arabishtes, asht pak edhe insane, i lojtun nga fiqiri, simbas anglishtes.

Ku me lexue

Njani nga lexuesit që ishin te promovimi i librit tim në nji showroom të Milanos, më pyeti, mbasi e kishte ble librin, se përse duhej edhe t'a lexojte ate. Sigurisht, pyetja asht krejt me vend. E randë asht me i ble librat, por me i lexues asht edhe ma e randë. Shiko, i thashë: unë nuk di përse, por di se ku duhet t'a lexojsh. Dhe jam i sigurtë se aty do e lexojsh. Në hale. Po. S'ka dyshim. I vetmi vend ku përqendrohemi në jetën tonë të rrëmujshme alla oksidentalçe, asht haleja. Asht e vërtetë se ne hamë shpejt dhe dhjesim kadalë, në të vërtetë duhet të jetë e kundërta, por nejsa ma. Prandej them, je që je, po dhihesh që po dhihesh me çerekorsha me radhë: e fatti una cultura, no!

Altruisti hajgarexhi

Më ke gjakun borxh, i tha dhuruesi i gjakut, pacientit të cilit sapo gjaku i dhuruem prej tij i kishte pështue jetën.

Loja (Joël Gayraud)

Sa ma shum me u ngjitë në shkallën shoqnore, aq ma shum argëtimet e humbasin domethanien. Punëtorët e vjetër të fabrikës në parapensionim që lozin murlan në kafen e qoshes i përkushtohen nji argëtimi ma të qenësishëm se pasunarët e rij që lozin golf, lojën ma absurde dhe të mërzitshme që asht konceptue ndojherë. Në mënyrë kuptimplote, ka ndodhë që tekëndej shekullit të XVIII të vijë tue u zhvillue kjo lojë koloniale aristokratësh të mekun që, tue heqë dorë prej tana vlerave agonistike mbi të cilat bazohej fisnikia e tyne, nuk guxojnë ma me u matë kund përpos se mbi nji sipërfaqe të dallgëzueme në nji turné të kotë kundër vetes së tyne, të qëruem prej cilitdo rreziku. Nji sport katran coftinash etike dhe politike që ka mujtë sall me tërhjekë vetëm favoret e klasave mbizotnuese aristokratike që sot ndajnë kontrollin e ekonomisë planetare. Manjatë sauditë, brockers të bregut Perëndimor, burokratë aziatikë të shajnitun prej ekonomisë së tregut, mafiozë rusë në krye të rrengjeve industriale dhe të industrisë së rrengut, të gjithë i bashkon entuziazmi për luksin kallp të greens. Këtu, mbjellja andej-kndej e lojtarëve të ndihun prej caddie-t të vet, i jep gjithsecilit prej tyne iluzionin se asht nji njeri. Borgjezi i vogël i gëzohej pasjanseve në qetësinë e sallonit të vet; green-i dhe shtatëmbëdhetë birat e tij janë barazvlera e ajrit të lirë të atij salloni dhe sidomos e qetësisë së tij mirakandës: nji kronotopí e pacekshme prej ngjarjes. Sepse drejtori i nji ndërmarrjeje ose i nji Shteti – amà, asht e njejta gja – nuk druen e as urren asgja si ngjarjen; dhe kur luen, don lojën e pastër, ku nderohet serioziteti. Proletari argëtohet nga zhurmat e kafenesë, nga të porsaardhunit, nga pyetjet. Nga njana anë nji pjesë e atmosferës së hapun ndaj jetës, ndaj tokimit, ndaj ngjarjes, nga tjetra nji botë në kllapa dhe e kthyeme shterpë. Ndamja jetë e lojë nuk njihej nga proletari. Por kjo epokë asht në pikën e zhdukjes. Sot vetmia borgjeze dhe shpirti i saj i pakorrigjueshëm i randësisë dhe seriozitetit e ka kapë konsumatorin deri te fëmijët e tij të ngjtun mbas lodrave elektronike.

Plutarku

“I dashtun Pizon, ti e din mirë sa pak m'a kande me shkrue, por meqënëse më re në qafë, kam me u përpjekë me t'a shpalosë shkurt e qartë mendimin tim përmbi fatin”. Kështu çelet libri përmbi fatin i personalitetit ma të madh të Greqëisë perandorake.
Plutarku u lind në vjetin 45 m.K. Ai shkroi 250 libra. Me sa duket të shumtë qenë ata që i ranë në qafë me i shkrue, mbasi atij vetë nuk i pëlqente ky zanat. Dha shpirt diku rreth vjetit 127.

Maksima

Koha jon asht e pasun me artista, por e vorfën me mjeshtra.

Sifatet e Borgesit

Shpesh mjeshtrit argjentinas, i pëlqente me ua besue idetë e tij, zadhanësve të tjerë: filozofë e mendimtarë imagjinarë. Kjo vinte, ngaqë ai e konsiderojte si kritikën njashtu edhe filozofinë si zhanre të letërsisë. Thotë në fund të esesë Bianthanatosi, të Inkuizicioneve të tjera: “Tue e lexue rishtaz kte mendim, mendoj për tragjikun Philipp Batz, i cili në historinë e filozofisë quhet Philipp Mainländer. Ai ishte si unë, nji dashamirës i Schopenhauer-it. Nën ndikimin e tij (e ndoshta nën atë të agnostikëve), ai përfëtyroi se jemi fragmente të nji Zoti, që në fillim të kohëve u vetëshkatërrue, lakmiqar për mosqenie. Historia e përbotshme na qënkesh agonia e errët e këtyne fragmenteve. Mainländer u lind në vitin 1841; në vitin 1876 ai botoi librin e tij Filozofia e Çlirimit. Po atë vit, vrau veten.” Me ironi sokratike, Borges-i, ia beson këtë ide pafundësisht tragjike, nji personazhi të tij, që me nji gjest metanarrativ, e plotëson thelbin e filozofisë së vet, me nji gjest që i jep fund vetë jetës. Virtyti i filozofit Mainländer, asht talenti i Borges-it. Dhe talenti i Borges-it, asht virtyti i personazhit të tij. Kjo asht edhe nji leksion etik për shkrimtarin: ma shum vlerë estetike ka me e vra veten nji personazh i joti, sesa ti vetë si shkrimtar.

Aforizma

E vërteta nuk asht ashtu si e sheh shumica, nuk asht kurrë mediokre; por realiteti asht ashtu si e sheh shumica, pra asht i mediokërve.

Shkrimtari përballë përvuejtunisë

„Dedico questo libro alla parola umiltà, che manca al lessico albanese. Una tale mancanza può dar luogo a fenomeni assai curiosi nell'andamento di un popolo”. Ky asht përkushtimi unikal që i paraprin nji librit me skica origjinale Vendi ku nuk vdiset kurrë, i shkrimtares së re Ornala Vorpsi.
Nuk asht nevoja me qenë ekspert i historisë së gjuhës shqipe, me e ditë se njikjo fjalë umiltà, s'ka si mos me egzistue në nji gjuhë që qysh se ka fillue me u shkrue e për pesë shekuj zgjedhë osmane asht mbajtë gjallë nga njerzit e Krishtit. Dhe për ma tepër, fjala përvuejtuní që (siç ven oroe diku K. Zejno) të kujton fjalën përvojë, asht shum ma e ambël se umiltà që i bashkalidhet foljes umiliare – me poshtnue.
Ia kushtoj këtë shënim fjalës përvuejtuní, që i mungon leksikut të shkrimtares Ornela Vorpsi. Nji mungesë e tillë mund të bahet shkas dukunísh shum të çuditshme në mbarëvajtjen e nji shkrimtarje.

Abuzimi ndër shqiptarë

Fjala abuzim u pëlqen shqiptarëve, u duket fjalë buzëhollë, prandej abuzojnë. Përveç abuzimit, shqiptarët edhe buzërojnë. Jemi nji popull me nevoja të ngutshme erotike, dhe edhe shpifja, pra buzërimi, asht trajtë e kallëzimit dashunor, të asaj që nuk zotnohet.

Shkrimtarët shqiptarë

Cilët janë shkrimtarët shqiptarë? Të gjithë e dijmë. Cili asht profesioni i tyne? Me shkrue, sigurisht. Po zanati i tyne, cili asht? Me ba si shqiptarë, nuk ka dyshim. A doni me e ditë se cili asht barometri i krijimtarisë së tyne, asht pikërisht kjo luhatje profesion-zanat. Kur shkruejnë mirë nuk bajnë shum si shqiptarë; kur bajnë shum si shqiptar, nuk janë tue shkrue gja.

Kakatil, kakatil, kakatil… kaservil

Shqiptari anadollak, ose arnauti dallkauk, pra zgjebja e ligatinës moçaloro-bizantine, që ka rezistue falë vorfnisë shpirtnore jo të provincave por të provincave të provincave tona, asht servil. Me të kapë fjetë mund të bahet edhe katil. Diftojani vendin e kthehet prapë në servil. Kjo asht "Kalinka" e jonë: Ka katil, ka katil, ka katil… ka servil.


Artistat e partisë dhe artistat e tenderomanisë

Partia i kishte qejf statujat e fryme, të gjigandizueme, me dërdëng propagande. Por amà, sado të mbarsuna me nacional-partishmëni që ishin ato, hija që bajnë në qytetet tona e ka nji kuptim. Artistat që i kanë ba e kishin nji nder. Biles, asht ma kuptimplote prania e tyne, se ajo e statujave të artistave që fitojnë konkurse-tendera dhe bajnë vepra postmoderne për poetët klasiko-epikë. Shkodranët e shohin me qejf skulpturën e Isa Boletinit, por jo amballazhin konceptual në mermer që ia asht kushtue Fishtës epik në qendër të qytetit. Ende ka lezet me pa' nji statujë të kanoneve socrealiste se ato të postmodernizmit autodidakt. Dhe kjo asht turpi i skulptorëve publikë shqiptarë.

Nji anonim francez

Nji anonim francez ka propozue nji epitaf jo fort të zakonshëm për nji personalitet pak të jashtëzakonshëm. Për zotin Robespierre. «Passant, qui que tu sois, ne pleure pas mon sort: Si je vivais, tu serais mort!»
O kalimtar, cilido qofsh mos qaj për fatin tim : Po të ishem unë gjallë, ti do ishe në vendin tim.