EDMOND SHALLVARI (Greqi): Ne rrojmë dhe pa to... - poezi



Jam lindur në qytetin e Korçës më 30 korrik 1957, por ndjej në deje veç gjakut korçar nga mamaja dhe gjakun shkodran nga babai.
Jam marrë me krijimtari që në tetëvjeçare, vazhduar në gjimnaz dhe universitet(ku jam diplomuar për ekonomist), por shumë pak kam botuar në shtypin e asaj kohe. Veç krijimtarisë letrare me pak tregime dhe më shumë poezi, në atë kohë të para 1990-ës kam shkruar dhe artikuj me karakter ekonomik në shtypin korçar, duke vazhduar më pas dhe me shkrime të karakterit filozofik dhe aktualitetit.
Pas ardhjes familjarisht në Selanik të Greqisë, në vitin 1997, poezia ka qënë bashkudhëtarja ime më besnike dhe qetësuese, mes ankthesh e streses që shkakton emigrimi. Me dëshirën për të hedhur në libër sa më shumë kujtime e shkrime të botuara dhe të tipit autobiografik, realizova në vitin 2006 daljen e librit tim të parë, "E megjithatë...jetojmë!"(Shkrime të kujtuara dhe kujtime të shkruara).
Me paraqitjen dhe pëlqimin forumeve shqiptare në internet të librit dhe poezive dhe bashkatdhetarëve lexues këtu në Selanik, vazhdova me krijimtarinë poetike, duke arritur botimin e tre librave me poezi. Në mars 2008 u botua lbri i parë, "Diku, Dikë, Dikush", më pas po atë vit libri i dytë me poezi, "Ç'u bëmë kështu!" dhe këto ditë porsa doli nga botimi libri i tretë me poezi, "Mos e ndiqni hijen!"
Jam prej dy vitesh mes shkrimit të romanit tim të parë, që tashmë është afër fundit të tij. Romani përmban histori familjesh shqiptare(kryesisht korçare) në gjatësi kohe pas Luftës së Dytë botërore, deri në fillim të 1990-ës.
Në të njëjtën kohë nuk më ndahet si gjithmonë, poezia.


Ne rrojmë dhe pa to...

Trokas murrin ndarës, trak-trak!
Ai rënkon nga kocka e dorës
Goja lëviz e hapet pa fjal'
Niset drejt teje, mesazhi i kohës.

Përgjigjen o mik, ma kthen me trak-trak!
Murri lëshon rënkimin sërish
Nga kockat tona bëhet me gjak
Të dyve na bashkon, ky murr me shpirt.

Pa gdhirë të pagdhirët na marrin
Burgu gjëmon nga murri me shpirt
Skeletet tona në litar i varin
Ne rrojmë dhe pa to, o mik!


Të ashtuquajturit njerëz!?

Ooh sa u lodha, me të ashtuquajturit njerëz!
Të quajturit e vërtetë, më thoni, ku t'i gjej?
Kaq vështirë qenka, unë s'kërkoj më tepër
Veç dua mes njerzve, veten time ta kem.

Nuk di ku jam unë, mes të ashtuquajturve njerëz
Me veten time tallen, lëvdohen marrëzisht
Ku mësuan xhanëm, të klonojnë jetën?
Herë më ngrehin lart, herë më kthejnë në hiç.

Paskan kohën e tyre, të ashtuquajturit njerëz
Jetës nuk i dua, asnjë çast të saj
Nëse duhet vdekur, për një kohë tjetër
Të vdekur më keni, edhe pse jam gjall'!


Mërmëris...

Më mirë kështu dua...
Mërmëris...
Veshët e botës shurdhuar
T'i bezdis!

As më parë s'më dëgjuat...
Në klithmë!!!
Zërin humnerash dëbuat
Më vdiqtë!

Unë megjithatë vazhdoj...
Mërmëris...
I gjallë, i vdekur, njëlloj
T'ju bezdis!


Mendimet e "lira"

Dhe të dua s'i mbledh dot
Mendimet e dala
Diku të përçara
Masakruar e lënë pa zot!

Pranë ju afrohem si fajtor
Oh sa më dhembin!
Po pse më trembin?
Janë timet e jo timet, ato!

Nga mendimet e mia prangosur
Lirinë ju dhashë
Të lira s'i pashë
Kësaj bote-qeli, burgosur!


Ngujim

Hapësirë e ngujuar kullës së shpirtit
Shpirt i ngujuar kullës së jetës
Jetë e ngujuar kullës së mitit
Mit i ngujuar kullës së gënjeshtrës.

Unë i ngujuar kullës së uni-t
Tjetri i ngujuar kullës së tjetrit
Ne të ngujuar kullës së fundit
Fund' i ngujuar kullës së universit.


Mesnata

Pas luftrash, betejash, fitoresh, tërheqjesh
Mesnata u ul tryezës së paqes
Pranoi nga mua kushtet e fjetjes
Pranova dhe une, ndalimin e talljes.

Qysh atëhere mesnata s'më ndahet
Unë më shumë s'i ndahem asaj
Përcjellim gjumit dhimbjet e hallet
Dhe mbajmë zgjuar, iluzionin e madh!


Kjo shtrigë!

I ngjeshem vetes
Më tej s'më nxe
Nga erdhi teprica, s'e di.
Jashtbrenda mbetem
Ç'të mbaj, ç'të le
Në mes? S'dua gjysëm njeri!

M'u ngjesh vetja
Më tej hapësirë
Ç'është kjo tepricë boshe?
Kur linda eca
Me veten i lirë
Tani rri strukur në qoshe.

Tepricën e flaka
Në shtrigë u kthye
Veten ma ndjek për ta vrarë.
Larg botës ika
Diku mes yjesh
Sa kohë kjo shtrig' të jet' gjallë!


E sotmja?

E së djeshmes, jetime
Njerkë e së nesërmes
Krijesë hibride
Mes qarjes e qeshjes.

Fituese e së djeshmes
E të nesërmes disfatë
Humbje e vetvetes
E megjithatë, gjallë.

Më bukur se dje
Më shëmti se nesër
E sotme ç'më je
Modernia e vjetër!


Qiraxhi

Dhe në qoftë Zoti krijues
S'ma dha jetën me qira
Qind për qind më la zotrues
Që në lindje, në gjithshka.

Dikush tjetër, racë si unë
Jetën time pronësoi
Me një firmë e një vulë
Nëpër ngastra ma coptoi.

Dhe më vuri tjetër taksë
Për çdo copë të kësaj jete
Brenda jetës më la jashtë
Qiraxhi edhe pas vdekjes.


. ? !

Ve pikën
, ku duhet pikpyetja
Sa herë më lodhin përgjigjet
Çuditësen pikë e gjeta
Vertikale pas shpirtit që dridhet.

Pikpyetjen ve
, ku duhet pika
Sa herë më çlodhin përgjigjet
Vertikale gjithnjë pikçuditsja
S'më ndahet që ditën e lindjes.


Ju dhashë...

Ju dhashë ç'munda
Ç'mundët, s'më dhatë
Nuk gjeta ç'humba
Ç'gjetët, s'më thatë!

Ju thashë ç'dija
Ç'ditët, ç'e bëtë?
Më mbeti veç thirrja
Ju shurdhër nga mëntë!

No comments: