(tregim)*
Papritur ishte bërë me shtëpi të re. Arriti më në fund ta shesë apartamentin
e vogël në qendër të qytetit dhe të sajojë një tjetër në periferi. Ishte i
kënaqur, shumë i kënaqur, që e kishte braktisur atë të vjetrën dhe kishte hyrë
në një të re. Kishte shpëtuar nga ai vend i mallkuar… Trafiku i rrugës kryesore
ishte bërë aq zhurmëmadh, saqë ai kishte filluar të shqetësohej e më pas të
vuante shumë gjatë natës. Jo vetëm që nuk e zinte gjumi, por dhe irritohej,
gulçonte e mbushej me djersë nga ato zhurma që vinin nga të gjitha llojet e
makinave, pikërisht poshtë dritares së tij, e sidomos nga ata të mallkuar
autobuzë të mëdhenj që niseshin në mes të natës dhe shpërdaheshin në të gjitha
drejtimet: Greqi, Kosovë, Kroaci, e vërdallë nëpër botë. Po të niseshin të
gjithë në një orë, nuk do të ishte fare shqetësim, do të ishte vetëm një çast
dhe më pas ai do të shpëtonte e do të rehatohej. Ai mund të qetësohej dhe, i
përhumbur në gjysmë-gjumin e tij, të përballonte kalimin e veturave të vogla që
nuk arrinin t’ia shkatërronin cipën e hollë të respektit që kishte për
qytetërimin. Ai mund të bënte disa përpjekje të vogla dhe ta fitonte betejën me
zhurmat e parëndësishme kur, në gjëndje jermi, mund ta kalonte natën me
përshtypjen se kishte fjetur. Por nuk ishte kështu; autobuzët niseshin në orare
të ndryshme. Ai duhej të përballonte gjithë natën nisjet e njëpasnjëshme të të gjitha
linjave. Ai i kishte mësuar përmëndësh oraret dhe drejtimet e
autobuzëve. I numëronte ato me radhë. Në fillim dëgjonte bisedat me zë të lartë
të pasagjerëve kur fillonin të ndaheshin me ata që i përcillnin. Në këtë çast mendonte pothuajse gjithnjë se pse duhej të ndaheshin me aq
zhurmë. Pse putheshin e bërtisnin aq shumë? Edhe diçka tjetër; i bënte shumë
përshtypje se sa shumë dëgjoheshin ato zhurma në këtë orë të natës. Kishte
mbajtur vesh gjatë ditës të njëjtën situatë në ca vende të tjera të qytetit.
Ishte tamam si nata me ditën. Dukej tamam sikur nata e heshtur kishte vënë altoparlante
shumë të mëdhej që përhapnin zhurmat nga të katër anët.
Më pas fillonte zallamahija e hedhjes së valixheve në pjesën e poshme të
autobuzit. Gjëmimit të valixheve në depon metalike i shtoheshin edhe hungërimat
e shoferëve. Më pas fillonte hipja e pasagjerëve dhe ai nuk e kuptonte se pse
në këtë çast shumë prej tyre nxitonin të njiheshin me njëri-tjetrin dhe
tregonin barcaleta, pavarësisht së kishin rrugë të gjatë për të bërë dhe mund
ta shfrytëzonin tërë atë kohë për të tilla biseda. Kur të gjithë futeshin Brenda,
hipet edhe shoferi, por jo menjëherë. Ai shpesh ndizte një cigare dhe bisedonte
me dispeçerin për gjëra shumë teknike, por jo me zë të ulët, siç i takonte
qetësisë së natës, përkundrazi, ata largoheshin nga njëri-tjetri dhe flisnin me ulërima. Ai besonte se këto
lloj sjelljesh ata i bënin për të treguar se, qysh nga ai çast, ata ishtin
personat më të rëndësishëm dhe të gjithë pasagjerët duhet ta merrnin vesh
njëherë e mirë.
Ai e kuptonte kur shoferi hipte në autobuz, sepse fillonte t’i jepte gaz me
forcë motorrit. Zhurma në këtë çast i ngjante një gjëmimi. Por kjo nuk zgjaste
shumë. Autobuzi më në fund nisej duke ulërirë dhe merrte një kthesë të madhe në
sheshin poshtë pallatit të tij, derisa, mbas një agonie, futej në rrugën
kryesore. Në këtë çast pasagjerët nxirnin kokat nga dritaret dhe përshëndesnin
edhe njëherë me piskama të afërmit që vazhdonin të qëndronin në shesh derisa
autobuzi zhdukej nga rruga. Por edhe shoferi ndonjëherë nxirrte kokën në
dritare dhe bërtiste papritur si i çmëndur, duke i rënë borisë për të
përshëndetur autobuzin tjetër që vinte pas tij. Kështu vazhdonte gjithë natën,
deri në të gdhirë. Ai përpiqej të flinte në orët e mbetura, por tashti çdo gjë
kishte marrë fund, kishte filluar me bori dhe britma trafiku i vrullshëm i
ditës.
Në këtë mbeturinë mëngjesi, ai kishte nisur t’i ndante dhe t’i rendiste
sipas orareve kategoritë e ndryshme të zhurmave. Megjithëse i mbështjellë në
krevatin e tij, ai i dinte me saktësi markat dhe fuqinë e makinave sipas llojit
të zhurmave që lëshonin. Ai ua njihte boritë, zhurmën e motorrit, frenat,
njihte shumë mirë edhe ndonjë përplasje të vogël nga mbrapa. E kuptonte shkallën
e dëmtimit dhe parashikonte me hollësi gjëmimin e sirenave të policisë rrugore.
E gjithë kjo e kishte cfilitur kaq shumë, saqë, kur ndërroi shtëpi, iu duk
sikur rilindi. Kishin marrë fund vuajtjet dhe ankthet e tij në errësirë.
Në fillim nuk ia vari fort autostradës aty afër shtëpisë së re. Nuk mendoi
se kjo rrethanë do të kishte ndikim, apo se mund të krahasohej me zhurmat e
mëparshme në qendër të qytetit. Afër kësaj shtëpie nuk kishte asnjë lloj sheshi
nga mund të niseshin autobuzët e urryer. Asgjë nuk mund të krahasohej me ato
monstra me pasagjerë, të paktën këtë mendim kishte deri në çastin kur nuk
kishte kuptuar ende të panjohurat e vendit të ri.
Provoi të flinte. Humbi ngadalë në errësirë, u përgjum i lehtësuar, më në
fund u ndje i rehatuar. Papritur një sirenë e largët i ra në kokë si trumpetë
lufte. Ai u drodh, hapi veshët mire dhe priti me ankth shugëllimën e fortë të
sirenës që shtohej me alarm. U ngrit dhe pa nga dritarja rrugën e gjerë dhe
vezullimet e makinës që lëshonte piskamën e frikshme në mes të natës. Buçima u
bë shurdhuese, ai mbylli veshët me fytyrë të shtrembëruar dhe priti derisa ajo
t’i flakte atij shuplakën e fundit në fytyrë dhe të shuhej ngadalë. Po shkonte
larg, larg, qetësia e errët ia zuri vendin shpejt bishtit të ulërimës së atij çakalli.
U shtri përsëri i trembur, i djersitur, me frymarje të rënduar.
Ajo po vinte ngadalë, në fillim nuk dukej shqetësuese, por, me afriminin e
saj, doli se ishte problem. Motoçikleta e vogël pa marmide u afrua me forcë,
atij ju duk se iu fut në krevat dhe instiktivisht bëri një salto mbi dyshek. U
rrëzua mbi dysheme me fytyrë dhe humbi ndjenjat për pak çaste. Kjo i bëri mirë,
se kafsha pa marmidë kishte ikur tashmë dhe mund të dëgjohej me potere larg,
ama shumë larg dhe nuk paraqiste rrezik. Deshte të hakmerrej, i kishte hipur
nje urrejtje e madhe, sytë iu zmadhuan, filloi të merrte fryme me zhurmë, po
bënte tamam zhurmën e motoçikletës pa marmidë, derisa u qetësua, iu kthye
gjykimi dhe, dalëngadalë, realiteti i solli durimin si mburojë e madhe që të
shpëton jetën në këto raste.
Kjo ishte nata e parë. Nuk iu duk shumë premtuese, por gjithsesi shpresonte
që kjo të ishte një rastësi dhe nuk mund të përsëritej më ajo që pat hequr më
parë në qëndër të qytetit. Natën tjeter ra shi dhe makinat kalonin me një
zhurmë të mbytur, zhurmë uji e këndshme. Ai doli në dritare dhe shijoi për një
kohë të gjatë rrugën e gjerë e të lagur, ku makinat zhurmonin heshturazi dhe
shpërndanin mjegull të hollë uji. Ishte hera e parë që po ndjente kënaqësi nga
një uturimë e vazhdueshme që i jepte ndjenjën e lagështirës dhe ajrit të
pastër. Nuk ishte aq keq sa natën e shkuar, mendoi. U shtri në krevat i sigurtë
se do të provonte gjumin më të ëmbël të jetës së tij... Në fillim një zhurmë e
mprehtë frenash ia shpoi trurin si thikë, ngjethëse, me ankth pritjeje, derisa
erdhi goditja e fortë, e mbytur, fatale, e mbushur me tmerr. Menjëherë pasoi
një rrapëllimë hekurash, materialesh gjithfarësh që fluturonin në ajër dhe
përplaseshin me thyerje, rrokullisje, përzjerë me britma njerëzore. Ishte një
simfoni vdekjeje. Ai u ngjeth, nuk e kishte menduar se zhurmat mund të përcjellin
vdekje. Megjithëse veshët i kishte shumë të mprehtë, nuk arrinte të kuptonte
nëse ishte një makinë, dy, apo një kasaphanë makinash. Ishte hera e parë që i ndodhte,
u ngrit nga krevati dhe doli në dritare si i marrë. Përmes pemëve dukej një
veturë e bërë lëmsh dhe një kamion i madh që qëndronte mbi asfalt, përmbys, me
turirin e shtypur. Zgurdulloi sytë i shushatur. Si mund të katandiseshin
makinat në këtë gjëndje!? Po njërëzit brenda makinave!? Asnjë lëvizje, Heshtje…
Ajo natë i mbeti në mendje; sa herë dëgjonte frena, rrudhte fytyrën dhe
vinte duart në vesh. Ndjente një tkurrje brenda vetes, një kontraktim që e
bënte të shtrëngohej, të skuqej gati në të shpërthyer, derisa ajo frenë
fashitej ngadalë dhe nuk pasohej nga ndonjë shpërthim. Ai çlirohej ngadale,
ulte sytë, shkonte në banjë, lante fytyren dhe shihte veten në pasqyrë. Ishte i
skuqur dhe i dukej se kishte enjtje në mollëza. Më pas ngjyra e kuqe ua linte vendin
disa njollave rozë, që edhe ato, me kalimin e kohës, zhdukeshin dhe, kur fryma
i normalizohej, kthehej në shtrat.
Një natë dëgjoi të trokitura në derë. Mbajti frymën pezull, e kishte
harruar këtë lloj zhurme. Troktjet në derë i kishin mbetur në kujtesë prej
shumë kohësh, kur ende i kishte prindërit gjallë dhe jetonin të gjithë bashkë
tek shtëpia e Gjyshes. Ishin kujtime të bukura, atëhere hynin e dilnin shumë
njerëzit dhe dera trokiste vazhdimisht. Mbajti vesh me habi. Trokitja u
përsërit. Ai u ngrit me përtesë, hodhi një rrobë krahëve dhe kaloi koridorin me
vështirësi, sepse përtoi të ndizte dritën. Hapi derën dhe u çudit kur pa dy
policë. Ata i kërkuan me mirësjellje që të vishej dhe të shkonte me ta. Ku? Ata
nuk e sqaruan, por ia përsëritën kërkesën me durim. Atij i mbeti në mendje
fjala “Shpejt”. Pse duhej të vishej kaq shpejt dhe ku do të shkonin? Ai nuk
kishte bërë asgjë. I thanë se duhej të shkonte me ta në Komisariat për një
sqarim të vogël. Vetëm kaq. Po pse kaq vone? Tashti!, i thanë. Kësaj radhe ata
ishin të prerë dhe me ton më serioz. Po e shkonin ngultaz, me kuriozitet, përzjerë
me një gjëndje gatishmërie për të përballuar çdo lloj situate që mund të
krijohej nga reagimi i tij i papritur. Ai u tremb prej tyre. Shkoi në dhomë, u
vesh shpejt e shpejt, ashtu si i thanë, dhe doli nga shtëpia duke ndjekur
policët. Në dalje, pranë rrugës, ata e kapën lehtë nga krahu dhe e shtynë
qetësisht në një makinë policie. Edhe ai qetësisht dhe i bindur zuri vënd në
sedilen mbrapa dhe u mundua të mblidhte veten. Ngriti sytë lart dhe, përmes
xhamave të makinës, shqoi disa njerëz që po e shihnin këtë skene nga dritaret e
godinës ku jetonte ai. Paska njërëz që rrikan natën zgjuar si
puna e ime, mendoi. As ata nuk mund të flinin si ai, me siguri nga zhurmat e natës.
Ua bëri me dorë duke buzëqeshur.
Makina e policisë hapi sirenën, ai u tkurr, u ngërdhesh nga kjo britmë e
papritur. Shikoi policët me frikë dhe filloi të dridhej. Ata e shtrënguan fort,
duke vështruar përpara të ngurosur. Ai nuk mund të bënte asnjë lëvizje. Makina
u fut në rrugën kryesore dhe u kthye më pas në disa labirinte rrugësh dytësore,
derisa ndaloi përpara një dere të madhe hekuri. Gjëmimi i hapjes së derës ishte
shurdhues. Ai u bë keq, u mbulua nga djersë të ftohta, por policët e shtrënguan
më shumë. E shoqëruan në disa koridore dhe, më në fund, e ulën përpara një
polici tjetër që filloi ta pyeste për emrin, datëlindjen, profesionin… Më pas e
shoqëruan jashtë dhe e hipën në një ambulancë. Dy infermierë e shtrinë në
krevat dhe e lidhën fort. Nuk kuptonte asgjë se çfarë po ndodhte dhe ku po e
çonin, shikonte nga të gjitha anët me ankth. Përsëri u ndje keq nga sirena e
fortë e ambulancës dhe më pas nga zhurma, kur u hap dera e spitalit psikiatrik.
Po i merrej fryma, i filluan sërisht kontraktimet dhe
konvulsionet. Infermierët e shtrënguan fort dhe e shoqëruan brenda godinës, në
disa koridore me dyer të rreshtuara. Ata hapën një derë dhe e mbyllën në një
dhomë të vogël me një krevat dhe dritare të vogël.
Ai ulëriu katër vjet rresht në atë dhomë, përveç rasteve kur i jepnin
qetësues dhe flinte gjatë. Ulërimat e tij ngjanin me motorra, makina, frena,
rrëshqitje, përplasje. Ndonjëherë bënte edhe si disa lloje
borish. Më pas vdiq.
* Proza
botohet në nderim të Artan Minarollit
(1959-2015), regjisor, prozator, personalitet kulturor evropian dhe njeri i
rrallë. I ndjeri e dërgoi këtë tregim në Haemus një muaj para se të ndërronte
jetë. Në Arkivin Haemus gjenden edhe një bisedë e zgjeruar me Minarollin, si
dhe një prozë e përkthyer në rumanisht (Feribotul/ Trageti).