Mesdheu Juglindor dhe Ballkani
janë rajone që kanë luajtur rol të rëndësishëm në histori dhe që, në ditët e
sotme janë të lidhur ngushtë me faktorët “energji” dhe “burime energjetike”.
Gjithashtu, në Mesdheun Juglindor e në Ballkan, Ortodoksia, qysh nga epoka
bizantine e deri sot, vazhdon të përbëjë elementin e përbashkët të popujve të
rajoneve të lartpërmendur, të lidhur nga një e kaluar fetare e njëjtë. Si
rrjedhojë, binomi Ortodoksi – Gjeopolitikë është real dhe i aftë për të treguar
mënyrën se si Ortodoksia mund të konsiderohet faktor veprues në koniunkturën
botërore bashkëkohore.
Historia e Europës është
zhvilluar në varësi të disa “bërthamave” gjeografike: Europa Perëndimore,
Europa Veriore, Europa Jugperëndimore, Europa Qendrore, Europa Juglindore,
Europa Lindore-Rusia. Mendojmë se ndër këto “bërthama”, Europa Lindore-Rusia
meriton një analizë gjithaq të hollësishme sa Europa Juglindore dhe Mesdheu Lindor.
Pjesa lindore e Europës përbëhet
nga katër “botë” me veçori qytetëruese të ndryshme: ruso-ukrainase, baltike,
euroqendrore dhe ballkanike. Pjesa lindore e Pellgut Mesdhetar, nga pikëpamja
fetare përbëhet nga tri “botë”: krishtere, myslimane dhe judaike.
Qëndrueshmëria politike e këtyre “botëve” është një çështje jashtëzakonisht e
rëndësishme për mirëqenien ekonomike të Perëndimit duke qenë se përbëjnë
“kërthizën” që lidh Europën ekonomikisht të zhvilluar me rajonet që e
mbështesin këtë zhvillim. Njëkohësisht këto rajone ngjizin “bërthamën
jolëndore”, nga e cila Europa ka marrë konceptet shpirtërore, morale dhe
fetare, që e kanë ndihmuar të përpunojë ato anë të qytetërimit të saj që e kanë
treguar veten të dobishme për njeriun.
Në Mesdheun Juglindor dhe në
Ballkan Ortodoksia përbën një element thelbësor të identitetit kulturor të
popullsisë dhe një hallkë që i lidh, qysh nga koha e Bizantit deri më sot këta
popuj me të kaluar fetare të përbashkët. Ajo është një pikë referimi për
traditat dhe artet e këtyre popujve, duke përbërë, pjesërisht, burimin e
zgjimit të tyre kombëtar dhe njëherazi me ndikim kuptimplotë mbi marrëdhëniet
politike ndërmjet tyre. Në hapësirën e Mesdheut Juglindor dhe në Ballkan, si
rrjedhojë e antagonizmit shekullor me botën myslimane, por edhe me krishterimin
perëndimor, Ortodoksia ka përbërë dhe vazhdon të përbëjë një element organik të
rilindjeve kombëtare të kombeve të ndryshëm dhe të lëvizjeve për pavarësi. Në
një kuadër më të gjerë, kuptimi i identitetit kombëtar të kësaj hapësire, por
edhe kuptimi i përcaktimit gjeografik të elementit kombëtar, nuk mund të jenë
të plota pa iu referuar elementit kulturor dhe fetar e, në mënyrë të veçantë,
veçorive të territorit dhe ideologjive kombëtare që u ndikuan, qoftë edhe, siç
e thamë, pjesërisht, nga realitetet fetare të Ortodoksisë.
Theksojmë se Mesdheu Juglindor e
Ballkani janë rajone që kanë luajtur rol të veçantë në historinë e njerëzimit
dhe që, në kushtet e sotme, janë në lidhje të ngushtë me mbajtjen e një niveli
të lartë të jetesës, që njerëzimi mundi ta sigurojë me përpjekje të mëdha:
është fjala për faktorët “energji” dhe “burime energjie”. Në pajtim me sa thamë
më sipër, garantimi i faktorit material, domethënë i energjisë, është i lidhur
ngushtësisht me sigurimin e paqes në rajonet përkatës, ku pasionet dhe mungesa
e arsyes së shëndoshë qëndrojnë në themel të shpërthimeve sociale, politike dhe
fetare. Një shkëndijë e vetme në këto treva, në të cilat Ortodoksia luan një
nga rolet kulturore më të rëndësishme, do të mjaftonte për ta shndrruar
baraspeshën gjeopolitike në një furtunë gjeopolitike globale. Dhe, pikërisht
meqënëse Ortodoksia prej shekujsh ka shërbyer si katalizator i disa mënyrave
dhe qëndrimeve paqësore, është i qartë fakti që ajo mund të bëhet faktor
thelbësor për zgjidhjen paqësisht të problemeve serioze të njerëzimit,
pikërisht ngaqë ka aftësinë të ofrojë një përmasë shpirtërore aq të nevojshme
sot.
Për t’i qartësuar më tej ato që
rreshtuam më lart, e shohim të arsyeshme të bëjmë një përshkrim të hartës
gjeopolitike të Pellgut të Mesdheut, ashtu siç është sot.
Detin Mesdhe e përshkon një bosht
horizontal i ndikimit anglo-sakson, që mbështetet në katër pika: 1. Gibraltari;
2. Malta; 3. Kreta; 4. Qiproja.
Deti Adriatik dhe Deti Mesdhe,
pingul mbi këtë bosht, përbëjnë rrugë të rëndësishme tregtare, komunikacioni
dhe strategjike.
Deti Egje. Është dëshmuar
historikisht që rajoni i Detit Egje dhe porta e hyrjes në të (Bosfori) kanë
pasur role gjeopolitike të dorës së parë qysh në Epokën e Bronxit dhe shumë më
shumë në shekullin XX, atëherë kur u formësua aftësia e sotme
politiko-ekonomike e Perëndimit, e mbështetur në frutifikimin e dinamizmit
human dhe lëndëve të para të Lindjes së Afërt e të Mesme. Përsa u përket
marrëdhënieve Greqi-Turqi, që kushtëzohen jo pak nga faktorë gjeografikë, bie
në sy se rajoni i Detit Egje nuk është vlerësuar aq sa duhet nga pala greke,
meqënëse është këqyrur si tepër i ekspozuar, ndërkohë që pala turke ka
rivendikuar sovranitetin mbi rajonin e Detit Egje duke shfrytëzuar rëndësinë e
madhe të Ngushticës së Bosfor-Dardaneleve. Kësisoj Turqia ka zbatuar në
vazhdimësi me sukses një politikë që mbështetet në faktin që ajo përbën “urën”
ndërmjet dy kontinenteve, Azisë dhe Europës. Turqia duket tepër e vendosur të
ecë më tej me këtë politikë, jo vetëm që kjo ka përkuar me vizionin e liderëve
që ka pasur në tetë dhjetëvjetshat e fundit në politikë, në ushtri dhe në
ekonomi, por edhe sepse i ka mundësuar të përfitojë në maksimum nga rishikimi i
ekuilibrave pas viteve 1991 dhe 2003, si në Europën Qendrore, ashtu edhe në
Lindjen e Mesme. Në kuadër të lojës globale të ekuilibrave, njëri nga
parametrat më të rëndësishëm në politikën e jashtme ka qenë dhe vazhdon të jetë
faktori qytetërues, ku përfshihet edhe feja. Domethënia e fesë për kompleksin e
Mesdheut Juglindor e në veçanti për Greqinë, kuptohet lehtë po qe se mbajmë
parasysh që në këtë rajon bashkëjetojnë shoqëri të ndërtuara sipas modeleve
aristotelase dhe judaike, të cilat u kushtojnë rëndësi të posaçme ndjenjave,
duke i këqyrur si element përcaktues në marrëdhëniet shoqërore dhe, për
rrjedhojë, edhe të atyre politike.
Pjesa lindore e boshtit ndikues
anglo-sakson (Mesdheu Juglindor).
Rëndësia e këtij rajoni është në
përpjestim të drejtë me atë çka po ndodh në Detin Egje. Me sintagmën “Mesdheu
Juglindor” kuptojmë rajonin që përfshin Qipron, Egjiptin dhe Lindjen e Afërme.
Qiproja përfaqëson një “pikë vrojtimi” nga ku mund të kontrollohen “lëvizjet”
në një territor tepër të gjerë, që rrok Kaukazin, Azinë Qendrore, të
ashtuquajturën Azia Jugperëndimore (Afganistan, Pakistan, Iran, Gjiri Persik)
dhe, natyrisht, shtetet në brigjet përballë Qipros (Siri, Liban, Izrael). Në
rajonin e Mesdheut Juglindor kanë terminalet shumë trasé energjetike, të cilat,
së bashku me Kanalin e Suezit, mbështesin mirëqenien dhe ekonominë e
Perëndimit. Gjithashtu, po kaq rëndësi, në mos më shumë, ka fakti që në
Mesdheun Juglindor është lokalizuar Islami, gjë që Perëndimi e interpreton,
sipas rastit, për të përmbushur pikësynime të ndryshme strategjike.
Nga sa parashtruam më lart, rezulton
se Turqia është gati-gati e detyruar të praktikojë një politikë të jashtme
“agresive”, duke u çapitur në gjurmët e prirjes së re globale, sipas së cilës
rolin kryesor e luajnë idetë dhe ideologjitë, bashkë me “konfliktet
kulturore-qytetëruese”.
Zgjedhja më 1991 e Patriarkut
Ekumenik Bartolomeu u bë fill pas rivendosjes së ekuilibrave globale. Që nga ai
moment u vu re një “hapje” e Patriarkisë (Patrikanës) Ekumenike, që përkoi me
aksionet ekologjike të Patriarkut. Këto aksione e patën zanafillën në Kongreset
Ekologjike “En Plo”, – që u mbajtën në vitet 1995, 1997, 1999, 2002 şi 2003 në
zona të ndryshme të Detit Egje, të Detit të Zi, të Danubit, të Adriatikut dhe
të Baltikut, nën patronazhin e Patriarkisë Ekumenike, – të cilat ishin me
“qitje të largët” dhe, po të mbajmë parasysh statusin e pjesëmarrësve, ushtruan
ndikim të madh. Përveç sensibilizimit për problemet e mjedisit, kongreset e
mësipërm u shoqëruan me vendime institucionale në shkallë ndërkombëtare. Në
këtë mënyrë, jo vetëm autoriteti i Patriarkisë Ekumenike u lartësua, por kjo ia
doli mbanë të lidhet me personalitete me influencë dhe me faktorë vendimmarrës,
që janë vetëdijësuar për rolin që mund të luajë Patriarkia Ekumenike. Duhet
theksuar se, krahas interesimit të dukshëm ndaj temës së kongreseve, Patriarkia
Ekumenike zhbiroi horizonte dhe mënyra të reja komunikimi me botën europiane
dhe jo vetëm. Ndërkaq, përveç mbrojtjes së mjedisit, Patriarkia Ekumenike u
kujdes ta zgjerojë ndikimin shpirtëror edhe në ato vende apo kisha, me të cilat
marrëdhëniet i ka në krizë. Kjo hapje e ndërmarrë nga Froni Ekumenik, tregon
se, duke ndjekur evolucionet globale, kreu i Ortodoksisë ka marrë përsipër një
rol kuptimplotë në fushën qytetëruese, si në Mesdheun Juglindor e në Ballkan,
ashtu edhe kudo gjetkë, ku ka objekte të kultit ortodoks.
Përsa u përket Mesdheut Juglindor
dhe Ballkanit, bien në sy përplasjet e Patriarkisë Ekumenike me Kishën e
Greqisë, sidomos për çështjen e “Territoreve të Reja”, çka është vënë re edhe
kohët e fundit. Nënvizojmë faktin që, po t’i hedhim një sy hartës që paraqit caqet
ekleziastikë, – kufijtë që ndajnë ushtrimin e juridiksionit të Patriarkisë
Ekumenike nga ai i Kishës së Greqisë, – arrijmë në përfundimin se juridiksioni
i vërtetë i Kishës së Greqisë ndalet diku në boshtin Olimp-Artë, ndërkohë që
rajonet e të ashtuquajturave “Territore të Reja” (Maqedoni, Epir, Trakë dhe
ishujt në Veri të Detit Egje), sidhe ishujt e Dodekanezit, bashkë me Kishën
gjysëm–autonome të Kretës, ndodhen nën juridiksionin e Patriarkisë Ekumenike
dhe shërbejnë si mjet komunikimi ndërmjet Fronit Patriarkal dhe Bashkimit
Europian. Ekziston, pra, një institucion ekleziastik, që gjendet jashtë
Bashkimit Europian (në Turqi), kuadri ligjor i të cilit përcaktohet nga një
shtet që nuk është anëtar i Bashkimit, por me peshkopë brenda tij. Kjo gjendje,
natyrisht mund të përmirësohej po qe se Turqia do të hynte në gjirin e familjes
europiane. Pavarësisht se çfarë rrjedhoja politike do të sillte vënia e plotë e
peshkopëve të “Territoreve të Reja” nën juridiksionin e Fronit Patriarkal, një
gjë është më se e sigurtë: tkurrja e ndikimit shpirtëror të Patriarkisë së
Moskës, vetëm brendapërbrenda shteteve sllave të Gadishullit Ballkanik. Në një
rast të tillë, do të hidheshin piketat e një harte ekleziastike, në të cilën
ndikimi i Patriarkisë së Moskës do të ndalej në kufirin që ndan Greqinë nga
shtetet e tjera ballkanike, ndërsa Patriarkia Ekumenike do ta zgjeronte
juridiksionin e saj dhe, bashkë me të, ndikimin shpirtëror mbi Maqedoninë,
Epirin, Trakën, Egjeun Verior e Lindor dhe Kretën. Përsa u takon marrëdhënieve
ndërmjet Patriarkisë Ekumenike dhe Patriarkisë së Moskës, gjithçka është më se
e qartë përderisa të dyja këto shtylla të Ortodoksisë kanë në plan zgjerimin në
të ardhmen e ndikimit të tyre në hapësirën euroqendrore dhe në atë të Detit
Baltik. Patriarkia e Stambollit, në kundërshtim me Kishën e Greqisë, është
ndërgjegjësuar me kohë për faktin që, përveç asaj të Stambollit, duhet të ketë
edhe një bazë në Europën Perëndimore, ndoshta me synimin që Froni Ekumenik ta
zgjerojë juridiksionin kanonik mbi pjesën më të madhe të territorit të
Bashkimit Europian, çka do të shmangte ekzistencën e juridiksioneve të
shumëfishta në rajonin përkatës. Mund të thuhet se një mundësi e tillë do të
mbështetej nga dy evenimente: Themelimi nga Patriarku Bartolomeu i Kishës Autonome
të Estonisë nga fraksioni që është shkëputur prej Patriarkisë së Moskës dhe
Shpallja e Kishës Autoqefale të Ukrainës, me përkrahjen e Presidentit të saj.
Po qe se i bëhet kërkesë nga kryetari i shtetit të Ukrainës, Patriarku Ekumenik
do të përpiqej të përsëriste “skenarin e Estonisë”, duke e njohur Kishën e
Ukrainës si të vetmen Kishë të saj, por nën juridiksionin e tij. Kësisoj, Kisha
Ortodokse e Ukrainës, deri tani e lidhur shpirtërisht me Patriarkinë e Moskës,
do të largohej prej kësaj. Të gjitha përçapjet e lartpërmendura mund të jenë
tregues i pikësynimeve të ardhshme të Patriarkisë Ekumenike për zgjerimin e
ndikimit të saj shpirtëror në trevat e Bashkimit Europian, në konkurrencë me
Patriarkinë e Moskës. Megjithatë, realizimi nga Patriarkia Ekumenike e një
plani të tillë nënkupton, si hap të parë, njohjen e juridiksionit të saj mbi
Mitropolitë e diasporës ortodokse në Europë, dhe, si hap të dytë, gjithaq të
rëndësishëm, anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Europian, meqënëse Turqia
është shteti që ia përkufizon regjimin juridik.
Ortodoksia, përveç pranisë aktive
në Mesdheun Juglindor dhe në Ballkan, ka shërbyer edhe si faktor përcaktues në
ngjizjen e skenës politike dhe diplomatike në Europën e shekujve të fundit. Kjo
e vërtetë historike lidhet me faktin që Ortodoksia, në një farë mënyre ka qenë
sinonim i Rusisë, e cila, nga ana e saj, ka ushtruar ndikim të fuqishëm në
popullsitë ortodokse të Ballkanit. Ajo ka pasur ndikim të ngjashëm edhe në
ecurinë e problemeve europiane në Ballkan, çka nuk mund të shpërfillej nga
Fuqitë e Mëdha, si nga ato të Europës Perëndimore, ashtu edhe nga Perandoria
Otomane.
Në ditët tona dy kanë qenë
evenimentet që kanë shpejtuar evolucionet ekleziastike: 1. Shpërbërja e
Bashkimit Sovjetik dhe rishfaqja në skenën botërore e Patriarkisë së Moskës
(pra e Kishës më të madhe Ortodokse); 2. Ekzistenca në njërën nga pikat më
nevralgjike të globit (Ballkani dhe Mesdheu Juglindor) e disa shteteve
ortodokse dhe e disa shteteve të tjerë me diasporë ortodokse numerikisht të
madhe. Këto realitete nuk mund të anashkalohen nga studiuesit e sotëm dhe ca më
pak nga qendrat e strategjisë globale. Greqia, megjithë rëndësinë e këtij
subjekti, nuk është përpjekur asnjëherë të merret me analizën e rolit dhe
dinamikës së Ortodoksisë në Europën bashkëkohore të pas luftrave ballkanike dhe
botërore. Veçanërisht pas viteve 1980, Greqia ka qenë i vetmi vend ortodoks në
gji të Bashkimit Ekonomik Europian dhe më pas të Bashkimit Europian.
Megjithkëtë nuk është ndërmarrë asnjë hap për afrimin e Kishës Ortodokse të
Greqisë me Europën. Kisha e Greqisë u vonua shumë derisa hodhi hapat e para
drejt Bashkimit Europian. As shteti grek nuk u mor me një gjë të tillë.
Shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik
bëri që Kisha e Greqisë të ndërgjegjësohej shpejt për faktin se mospërfaqësimi
i saj në Bashkimin Europian mund të mbulohej nga Patriarkia Ekumenike, duke ia
hequr mundësinë për të vepruar si Kishë Autoqefale dhe duke e shndrruar në një
institucion vartës të Fronit Ekumenik. I pari që e nuhati këtë rrezik ishte
Arqipeshkvi i Athinës, K. Hristodulos, i cili, pikërisht për këtë arsye
themeloi Përfaqësinë e Kishës së Greqisë në Bruksel. Pranimi i Republikës
Qipriote në Bashkimin Europian mund ta ndalte përfundimisht rrugëtimin
vetmitar, thuajse të paqenë dhe pa busull të Kishës së Greqisë në arenën
politike europiane. Ajo për të cilën Kisha Greke, ashtu si Ortodoksia në
përgjithësi, ka nevojë në këto momente (që të mundë të luajë rol të rëndësishëm
dhe serioz në skenën ndërkombëtare), është fitimi i një vetëdije gjeopolitike. Sipas
mendimit të shumë ofiqarëve fetarë, megjithse duket jo pak shekullar, laik,
kursi i zhvillimeve globale kërkon urgjentisht lidhjen e Kishës së Greqisë me
qendrat vendimmarrëse në Bruksel dhe Uashington. Nga ky këndvështrim, por edhe
falë faktit që ndodhet në një nga pikat më nevralgjike të globit, Kisha e
Greqisë po reflekton rreth rrezikut të vetizolimit nga bashkësia ndërkombëtare
dhe mundësisë që mund të ketë për të ndikuar mbi ecurinë e ngjarjeve në rajon e
më gjerë, jo t’u nënshtrohet atyre.
Në mbyllje të këtyre shënimeve që
janë rezultat i studimit të shumë materaialeve të kohëve të fundit, që i
kushtohen Ortodoksisë, mund të pohojmë se ruajtja e ekuilibrit dhe e paqes në
rajonin tonë kalon përmes kuptimit të parametrave ideologjikë dhe emocionalë që
përcaktojnë strukturat sociale të popujve të Ballkanit, Europës dhe Lindjes së
Mesme. Ky kuptim mund të ndërtohet vetëm e vetëm mbi themele
kulturore-qytetëruese dhe jo në komunikatat zyrtare lidhur me treguesit
ekonomikë. Në këtë kontekst, pranëvendosja e termave “Ortodoksi” dhe
“Gjeopolitikë” është më se reale dhe e vlefshme. Vetëkuptohet se kjo
pranëvendosje përjashton tjetërsimet e histerisë populiste, për të treguar
mënyrën se si Ortodoksia mund të njihet si faktor aktiv në skenën globale bashkëkohore,
duke dëshmuar se feja, në këtë rast Ortodoksia, mbart me vete një trashëgimi të
pasur dhe një vizion të kthjelltë: ruajtjen dhe garantimin e ekuilibrit dhe të
paqes në shoqërinë njerëzore.
* Autori është Kavalier Fisnik i Urdhërit Shën Silvestri-Papë