Anton Çefa: Nderi – kategori themelore e psikologjisë sonë etnike

Nderi zë një vend krejt të veçantë në themel të ndërtesës psikologjike të popullit tonë. Ai përbën një nga veçoritë më të rëndësishme të kësaj psikologjie, duke i dhënë një ngjyrë të caktuar sjelljes, veprimeve, qëndrimeve, ndjenjave, gjithë botës shpirtërore të shqiptarit; ai i vë vulën karakterit, duke ndikuar fuqishëm në formimin e profilit të personalitetit të tij.

Në kuptimin e sotëm, ashtu si na e jep “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” i vitit 1980, nderi është “tërësia e vetive a e tipareve morale të njeriut, që burojnë nga parime të caktuara, që çmohen nga shoqëria dhe që shfaqen në sjelljet e në veprimet e tij në rrugë të drejtë; cipa e njeriut në shoqëri, që ai e ruan me krenari dhe që nuk lejon t’ia cenojnë.” 
Për ta njohur sa më mirë thelbin dhe shtrirjen e këtij koncepti, për t’i rrokur sa më mirë të gjitha përmasat e tij dhe për t’iu afruar sa më shumë arketipit të tij të kohërave të hershme, të atyre kohërave kur është ngjizur qenësia shpirtërore e etnosit tonë, po e shqyrtojmë atë në dy monumentet më rëndësore të kulturës shpirtërore të popullit tonë: në eposin e kreshnikëve dhe në të drejtën zakonore, përfaqësuar kryesisht nga “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, po edhe nga botimet e tjera të kësaj fushe. Aty-këtu, do t’i thërrasim për ndihmë dhe ilustrim edhe hiseve të tjera të folklorit.

Nderi në këngët e kreshnikëve

Duke qenë se këngët e kreshnikëve dhe e drejta zakonore, me gjithë shtresëzimet e njëpasnjëshme, e kanë ruajtur thelbin e tyre të lashtë, është afërmendsh që pasqyrimi i konceptit të nderit në to t’i afrohet më mirë e më saktë arketipit të tij, konceptimit të tij fillestar e origjinal në etnosin iliro-shqiptar. Natyrisht, duke pranuar gjithnjë trysnitë e kohërave dhe duke mos lënë më një anë faktin që eposi është krijesë artistike, që i nënshtrohet ligjeve të artit, ndërsa e drejta zakonore është trajtesë e fushës shkencore të drejtësisë.
Në jetën e kreshnikëve, koncepti i nderit lidhet me individin, familjen, fisin dhe, në një vështrim më të gjerë, me etnosin e gjithë vendit, të dalluar në ndërgjegjen e kreshnikëve nga çdo etnos tjetër i huaj.
Në epos përdoret fjala “nder-i”, që është fjalë e mbarë gjuhës, me antonimet e saj “koria”, “marrja”. Për nderin familjar përdoret “nderi i konakut”, “i derës” a i “shpisë”. Në këngën “Martesa e Halilit” 1), Muji përmend “marren e shpisë” dhe “korinë e fisit”; ndërsa në “Bejlegu ndërmjet dy vllazënve të panjoftun” 2), përmendet “koria e Jutbinës”. Në vetëdijen kreshnike, koria e fisit dhe e Jutbinës përbëjnë korinë e vendit, të etnosit. Në gojën e kreshnikëve, fjala fis nuk ka kuptimin shkencor etnografik me të cilin përdoret sot, por kuptimin e etnosit, të një etnosi të dalluar nga çdo etnos tjetër i huaj 3), si të thuash, kuptimin e fisit të shqiptarit. 4).
Nderi i fisit është një shqetësim i përhershëm për kreshnikët, ai është i pranishëm kudo në epos, në jetën dhe në luftën kundër armiqve. Në këngën “Martesa e Halilit”, e ëma e kreshnikëve shqetësohet se mos shkjetë e zënë të gjallë Halilin dhe po i koritet fisi. Në këngën “Lule Frangu” 5), Ajka ngrihet në mbrojtje të nderit familjar dhe të udhëheqësve të luftës: Mujit (dajës së saj) dhe Zukut (të vëllait). Nderi i saj është nderi i të gjithëve, i familjes dhe i fisit.
Në idealin epiko-heroik, koncepti i nderit ka një shtrirje të gjerë, që përshkon të gjitha shtigjet e shpirtit njerëzor. Për kreshnikët, në përputhje të plotë me konfliktin themelor të eposit, nderi më i lartë është të vritesh duke luftuar për të mbrojtur vendin nga armiqtë, shkjetë. Në këngën “Deka e Omerit”), kryekreshniku, Muji, të cilit i kanë vdekur të shtatë djemtë në çetë duke luftuar kundër armiqve, e qorton të shoqen, kur ajo ngurron ta përgatisë për luftë Omerin e tetë:


Mos kjaj djemt qi n’luftë kanë dekë,
Mos kjaj t’ gjallët qi n’bjeshkë duen me çetue,
se dekë ma e ambël s’asht se n’luftë m’u pre,
n’luftë m’u pre pa i lanë marre vedit. 6).