Elsa Demo: Shpëtim Gina dhe gjuha e nëndheshme*

Unë largohesha prej vetvetes,
por i pari njeri që takova në Q. Stalin
ishte Shpëtim Gina.(2)

Limbo                                 

Tridhjet vjet më pas

Në pranverë të vitit 2007, në një sallë të vogël njëqindvendëshe të Teatrit Kombëtar në Tiranë, luhet premierë absolute dhe vetëm për një natë, drama Pesha e paqes[3]. Autori është Shpëtim Gina.
Emri i Shpëtim Ginës ishte mbuluar në harresë dhe ajo premierë përmendi bashkëpunëtorët e magjepsur nga puna e një dramaturgu të ri në vitet shtatëdhjetë, veprat e të cilit i kishin kaluar dorë më dorë, madje i kishin ruajtur pas vdekjes së tij pa dijeninë e familjes. 
Regjisori Viktor Gjika, një pionier i kinemasë shqiptare, i dorëzoi familjes Gina asaj vere të 2007-ës, dramën “Shtëpia Nr. 1961”. Autori, qysh kur e kishte nxjerrë nga duart, ia kish dhënë mikut për ta lexuar. Ashtu si Pesha e paqes ose Akuzë kishte dalë në dritë nga aktori Minella Borova, i cili e ruante prej viteve ‘70. Kur Akuzë u përball me skenën, publiku e pa veten në pozitën e atij që mbërrin kur festa ka mbaruar. Prezantimi pas çerek shekulli me Shpëtim Ginën linte të kuptohej se ai, edhe pse jo njohës i kultivuar i teknikës dramaturgjike, ndërton një arkitekturë teksti të vetën që forcën e ka në dialogët e dendur dhe të tendosur psikologjikë, në shthurjen e monotonisë së rrëfimit teatral, në kapërcimet e befta nga skenat e vogla të realitetit konkret në ato të mëdhatë, të botës së mendimit abstrakt dhe asocasioneve, një procedim jo i zakontë për dramën shqiptare të realizmit socialist.

Të nesërmen publiku priste ta ridëgjonte këtë tekst të tjetërllojtë në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, kur aktori i personazhit të ushtarit (ushtarin e luftës në askund do ta hasnim më vonë në dy dramat më të plota që ka lënë Gina), doli në skenë i veshur me kapotë dhe njoftoi se ai dhe kolegët e kanë bojkotuar shfaqjen për mosmarrëveshje financiare me regjisorin.
Pagëzimi i Ginës u la në mes për motive banale. E njëjta gjë, por për shkak të censurës, kishte ndodhur më 1972-shin. Puna për dramën “Armiqtë” të cilën Mihal Luarasi po e përgatiste për premierë në skenën e Teatrit Kombëtar u ndërpre si “vepër moderniste[4].

Disa dëshmi rreth botëkuptimit

Më 1972 Shpëtim Gina kryen studimet për Gazetari dhe fillon punë në Radio-Televizion, si skenarist në Redaksinë e Kulturës. Atë vit realizon me regjisorin Mevlan Shanaj dhe operatorin Pali Kuke dokumentarin “Berati”, i shfaqur për ekipin e TVSH-së, por jo edhe për publikun. “Berati u ndërpre dhe për këtë na çuan deri në Plenumin IV. E gjithë aroma e Beratit, si xhirohej, si flitej, ishte ndryshe dhe, për rrjedhojë, i shtyu aparatçikët për të cilët mendonim se nuk mund ta lexonin metaforën apo elipsën në atë film, ta ndalonin. Në fakt ata i lexuan këto tek Berati.”[5]
Të tre punuan për dokumentarët artistikë mbi qytetet e Korçës dhe Kukësit.
Kuke i ka lexuar dramat e Ginës në kohën kur janë shkruar dhe dëshmon se ato nuk janë aspak të errëta, siç mund të mendohet. “Ky çun, në një kohë kur shteti që kishte vendosur telin me gjemba nuk lejonte qarkullimin e modernistëve, dhe Shpëtimi s’i njihte modernistët, ai shkruante si një modernist.”[6]
Nga të dhënat del se Gina adhuronte Dostojevskin[7], pëlqente Heminguejin, lexonte Elyarin, Aragonin, Jevtushenkon, (Gina nuk njihte ndonjë gjuhë të huaj) por ishte vonë të thuash se ai u ndikua nga këta dhe të tjerë. Faktin që ai lëvroi, pas poezisë[8], vetëm dramën, kolegu e komenton si një ambicje për të kërkuar në një shteg të pashkelur[9].
Për të gjitha këto, vepra e Ginës ngjallte kurreshtje në rrethin e artistëve në Tiranën e viteve ’70. Kishte shkruar Një në katër dashuri[10], Shtëpia nr. 1961, Akuzë, Armiqtë, dhe kishte në dorë Venema, e papërfunduar për shkak të vdekjes së papritur.
Regjisori Viktor Gjika ishte lexues i Ginës. “Nuk them që dramat e tij ishin të përsosura, por kërkimet brenda tyre ishin tejet interesante sidomos për kohën.”[11] Dramën “Shtëpia Nr. 1961” Shpëtimi ia kishte dhënë me dorën e tij. “Kishte nevojë për ta përpunuar. Por ndodhi ajo që ndodhi. Lajmin për vdekjen e tij e përjetova si një fatkeqësi totale. Dramat e Shpëtimit duken të errëta, por ato kanë një gjuhë të nëndheshme. E tillë është Shtëpia Nr. 1961. Por ajo që më ka pëlqyer më shumë është Akuzë. Të bën përshtypje kurajoja e një djali kaq të ri. Për mua mbeti një talent që fatkeqësisht nuk e arriti plotësisht atë që kërkonte. S’mundi.”[12]
Gjika nuk bie plotësisht dakord me opinionin që mendimi dhe filozofia e dramave të Shpëtim Ginës bien ndesh me frymën e regjimit komunist. “S’mund të thuhet plotësisht kjo. Ai e kishte më tepër si kërkesë ndaj artit dhe jo ndaj marrëzive të së përditshmes sonë. Përfundimisht them se edhe aty ku Shpëtim Gina arriti me artin e tij, për mua është shumë. Ajo që të godet në atë që krijoi është alegoria, sepse ky djalë donte të mbërrinte tek e vërteta e madhe. Nuk është çështja këtu as ta mbivlerësojmë, po as ta nënvlerësojmë duke mos e botuar. Vepra e Shpëtim Ginës ka nevojë të redaktohet nga dikush që e do këtë autor[13].

Nga shënimet e dramaturgut

Nga shënimet e mbetur në dorëshkrim të Shpëtim Ginës, - që ruhen nga e motra, Mira, - nuk mund të rindërtosh as dhe një gjysmë drame. Por konceptet, strukturat, skicat dhe përshkrimet e linjave dramatike, e personazheve, situatave me dialogë të plotë, e vendit dhe kohës ndihmojnë për të kuptuar busullën dramaturgjike të një të riu në kohën e kaosit dhe mishmashit ideologjik në kulturë e arte. Mes të tjerash, në këto fletë shkruhet një skicë ndoshta për dramë: “Jeta e një aktoreje e mbyllur në një dhomë në Gjirokastër. Dashuritë e saj. Monologu shoqërohet me veprimin”.
Shënimet janë përzier me fletoret e hartimit të vitit 1967. Nëse ka gjë që duhet marrë seriozisht në ato radhë është ndikimi i helmit ideologjik që servirej si një pjatë e ftohtë në menytë e programeve arsimore. Shpëtimi 16-vjeçar, gjimnazist në Qytetin Stalin, përshkruan heronj si Adem Reka, që nuk vdesin kurrë, përshkruan heroizmin e një naftëtari dhe sekretarin pranë aksidentit që mban shtrënguar në duar teserën e Partisë.
Po të duam t’i kërkojmë në të ardhmen këto gjurmë të hershme të indoktrinimit, mund t’i gjejmë tek “Zema”. Shënimet tregojnë për një projekt drame me synim vënien në skenë. Themi për t’u vënë në skenë, sepse ka menduar aktor protagonist Sandër Prosin për rolin e Vedat Kazadesë. Ky është ndërtues, i biri i një gurëgdhendësi të vjetër, dikur luftëtar, Jaho Kazadeja. Familja e Injac Mesarejës është gjithashtu protagoniste. Shtëpia e tyre është shkatërruar nga lufta.
Janë edhe dy të huaj që kërkojnë të thellojnë fatkeqësinë e njerëzve që i ka zënë tërmeti. Grigor Zastreha, rus, ndërtues.
Shpëtim Gina ka dhënë një skicë-ide për katër skenat e dramës. Thelbi i konfliktit është prishja e marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, të cilën Gina e rimerr tek Shtëpia nr. 1961.
Shkruan: “Akuzat dhe lufta ideologjike e politike midis partive dhe qeverive tona të jepet në debatet-dialogjet midis Vedat Kazadesë dhe Grigor Zastreha... Të paraqiten në formë digresioni dialogë politikë”.
Përshkrimi i dalogëve politikë është në stilin e realizmit socialist, opozicioni i karaktereve gjithashtu. Gina u është referuar disa raporteve koncize për “gjendjen e Kampeve të pas LDB, çështjen e kufijve dhe krijimin e vendeve të demokracive popullore dhe lufta e tyre kundër ndërhyrjeve imperialiste. Demokracia në esencë është formë e diktaturës së proletariatit plus që përcaktoi karakterin e luftës nacional- çlirimtare në vendet e Evropës Lindore. U krijua premisë për fitoren e revolucionit socialist në këto vende”.
Për linjat dramatike ai mendon këtë operacion:
- Të individualizohet reagimi i personazheve të thjeshtë
- Të thuhen qartë pikësynimet e revizionistëve – reagimi i njerëzve tanë
- Vijnë me idenë që të na qytetërojnë
- Në planet e qytetit (ashtu si e duan ata – të futin degjenerimin moral)
- Vedat Kazadeja – udhëheqës konkret jo figurë simbol
- Rusi është i orientuar – (përçmimi ndaj popullit si turmë) – Shqipëria si pengesë në planet që ka revizionizmi – kështu duhet
Plus idetë e Plenumit të Katërt:
- Lufta jonë në plan ndërkombëtar
- Vigjilenca
- Të shihet mundësia e futjes së çështjes së Teme Sejkos, ose ndonjë agjenti dhe grupi tjetër agjentural revizionisto-imperialist.



* Fragment nga punimi “Letërsi(a) shqipe pa lexuesin e parë. Rasti i tre autorëve: Kasëm Trebeshina, Jamarbër Marko, Shpëtim Gina”.
[2] Shkruar midis fletëve bosh në një fletore të dorëshkrimeve.
[3] Regjisori nga Korça, Llazi Sërbo, e quan ringjallje të autorit me premierën e dramës, e cila, në origjinal, mban titullin Akuzë.
[4] Nga biseda në gusht 2011 me Mihal Luarasin. Regjisor i Festivalit të 11-të të Këngës, pas të cilit u ‚zbulua‘ i ashtuquajturi grup armiqësor në kulturë dhe arte, dhe regjisor i disa spektakleve teatrale të ndaluara në proces pune, ndër to “Armiqtë” e Shpëtim Ginës. Luarasi u dënua me burg. U kthye në skenë pas viteve '90.
[5] Gazeta Shekulli - Nr. 2019, 15 gusht 2007, f. 14 – 15, Diabolizmi komunist në vitin 1961: homazh shkrimtarit Shpëtim Gina, Elsa Demo
[6] Po aty
[7] Në dorëshkrimet e Ginës rrinin disa fletë të daktilografuara nga Shënime nga shtëpia e të vdekurve. Çezar Kurti, mik dhe kunat i Ginës, e kishte përkthyer nga rusishtja këtë vepër të Dostojevskit qysh në vitet '70.
[8] Një sërë poezish të rinisë së parë të autorit ndodhen në arkivën e dorëshkrimeve që ruan familja. Tani për tani vëmendja jonë është tek Gina dramaturg.
[9] Po aty.
[10] Drama e parë e Shpëtim Ginës, e prezantuar në Institutin e Lartë të Arteve më 1971, për t’u punuar si punë diplome nga studentët e dramës. Familja e deklaron të humbur.
[11] Po aty.
[12] Gazeta Shekulli - Nr. 2019, 15 gusht 2007, f. 14-15, cit.
[13] Po aty