Méhes Károly: Derisa ime bijë (Míg a lányom)


Në mëngjes, derisa ime bijë u ndërrua,
llogarita se më 10 janar 1977,
të hënën, kisha bash moshën që ka
ajo sot. I thashë se s’mbaj mend asgjë
nga ajo ditë, e megjithatë
do të mund të rrëfeja me hollësi se si
do të ketë kaluar një mëngjes nursëz dimri
me zgjimin më 7, me gjërat e zakonshme;
Në Radio Kossuth jepej
Koha sot dhe nesër, më 7 e 20
babai mbaronte mëngjesin, nëna
ishte edhe ajo me ngut, kuzhina përhapte
aromë buke të thekur, atë hanim
unë dhe im vëlla, ai parapëlqente reçelin,
unë më fort kaçkavallin e sallamin,
u veshëm trashë, se ish dimër, dhe siç
pashë tani (në internet) ishte e hënë,
si sot, por sa shumë ndryshon
kjo ditë prilli, thashë,
teksa ime bijë vazhdoi të krihte
ëndërrimtare flokët. Mendova,
por s’thashë gjë, se ndoshta, ndonjëherë,
pas tridhjetë vjetësh, një mëngjesi,
një mëngjesi të gjithëfarshëm, do ta cytë
edhe ajo fëmijën e vet duke i treguar se si
ridhnin mëngjeset e përgjumur
kur ajo shkonte në shkollë, se zgjimi
ishte i mundimshëm asokohe, mëngjesi
dhe gjithë të tjerat, gjithë mëngjeset
ishin të njëjtë, a thua se pat qenë
përherë mëngjes, duhej të zgjoheshe
gjithnjë; e megjithatë qe mirë, ngaqë
ishte atje babai, që nuk ngutej,
por rrëfente gjithfarë qyfyresh,
i pashqetësueshëm, i përkushtuar, derisa,
më në fund, arrinte të më shkulte
një nënqeshje, s’përmbahesha dot,
nuk isha më aq e përgjumur
dhe e murrëtyer, e që nga ai çast
ishte mirë, s’kish rëndësi se qe vjeshtë
a pranverë. E di, e dashur
(ose i dashur?) do t’i thotë fëmijës ime bijë 
s’ka rëndësi në është vjeshtë a pranverë

(...)
Vijon në Revista Haemus Nr. 66-70.
Rubrika Medalion