(vijon nga Haemus-i i kaluar)
2.7. Erotizmi satirik i Nolit
Nëse ka një aspekt të
pashqyrtuar në krijimtarinë e Fan Nolit, ai është pikërisht erotizmi. Poezia e tij
është gjykuar dhe analizuar së shumti në aspektin atdhetar, patriotik,
demokratik, për tonin elegjiak apo detaje të tjera të ngjashme e që zbulojnë
formimin dhe besimin e tij, formimin fetar e filozofik e kështu me rradhë, por
pjesa më pak e prekur ka qenë pikërisht erosi.
Edhe pse erosi zë një vend
të vogël në krijimtarinë poetike të Nolit mund të themi se ai është i pranishëm
dhe zbulon së shumti për formimin e tij dhe është interesante të shqyrtohet,
duke pasur parasysh edhe formimin si klerik të Nolit.
Poligloti dhe politikani,
oratori dhe historian, studiuesi i muzikës dhe një ndër njohësit më të mirë të
veprës së Bethovenit, themeluesi i kishës autoqefale shqiptare, burri i shtetit
dhe prifti, përkthyesi dhe dramaturgu, kritiku letrar dhe studenti i
përjetshëm, e para së gjithash poeti, F. S. Noli, përveç poezive patriotike dhe
politike, përmes së cilave në mënyrë alegorike fshikullon realitetin politik
shqiptar, shkroi edhe poezi erotike, pavarësisht
se ata nuk hyjnë në mesin e krijimeve më të realizuara të studentit të
Harvardit. Poeti dhe intelektuali shqiptar i ardhur nga një zonë e prapambetur,
siç qe Ibrik Tepeja, njeriu që, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike me
të cilat u ballafaqua, nuk e ndali vrullin për të studiuar dhe zgjeruar kulturën
e tij, që është vërtet tepër e gjerë për një jetë njeriu; misionari, që në emër
të dëshirës për dije dhe për të udhëhequr popullin e tij, ashtu siç e udhëhoqi
heroi i tij i preferuar, Krishti, me të cilin ia kishte ënda të krahasohej,
sikur u bind se nuk është krijuar për punë të rëndomta. Poeti nga Bostoni që
shaminë e parë, si shenjë propozimi për martesë e pranoi në moshën 9 vjeçare
nga bashkëfshatarja e tij Shasha dhe një vit më vonë edhe nga Parashkjeva
20-vjeçare, pas ndonjë përpjekjeje jo fort këmbëngulëse për martesë me
Euthalian dhe Kasandrën, sikur definitivisht u bind se është i lindur për punë
të mëdha, andaj vendosi ta mbyll këtë kapitull të jetës së tij, pothuajse pa e
filluar fare. Por, edhe përkundër një fakti të tillë, Noli nuk mbeti indiferent
ndaj temës erotike[1].
Është e veçantë se erotikja
te Noli përshfaqet paralelisht me satirën dhe në poezinë e tij ai bën humor,
duke zbuluar kështu edhe qëndrimet e veta liberale, përtej moralit të ngurtë të
një fetari, të një fanatiku apo të një kohe e formimi konservativ.
Një gjë e tillë duket
sidomos në vjershën Plak topall dhe ashik,
Sofokliu dhe Lidhje e paçkëputur.
Dale, moj, se më
kapite,/Më këpute, më sfilite,/ Prite, moj, ashikun, prite/ Që të vjen me not./
[…]/ Po ti, Zot, më ngushëllove/ Pas një tjatre më lëshove,/ Dhe nga mbytja më
shpëtove,/ Lavdi paç, o Zot./ Dale, moj, se kam një fjalë,/ Se më rrjedhin
djersët valë; / Dale, moj, se jam i çalë/ Dhe më s'ecënj dot[2].
Duke folur për dëshirën trupore që nuk ecën
paralelisht me fuqinë trupore, ai njëherazi rrëfen
realisht atë çfarë është biologjike e natyrale, pasionin e dëshirën erotike që
me kohën nuk vdes, e njëherësh satirizon mbi këtë dëshirë të papërshtatshme të plakut topall
dhe ashik.
Krijimtaria
letrare, sipas Nolit dhe sidomos ajo pjesë e saj që quhet satirë, ka aftësinë
t’i bëjë njerëzit të qeshin, por edhe të qajnë. Noli dinte të bënte humor edhe
në llogari të vet dhe kjo gjë shihet jo vetëm në ndonjë poezi të tij si ‘Plak,
topall dhe ashik’...[3]
Liberalizmi i Nolit, nëse shprehemi saktë dhe mund
ta cilësojmë kështu përshfaqet edhe në dy poezitë e tjera, të cilat janë prej
atyre poezive të pabotuara të këtij poeti të quajtur pa të drejtë okazional.
Nolin kritika e ka
konsideruar poet okazional, por nëse do të merreshin në konsideratë edhe
poezitë e pagjetura deri më sot, të cilat ai i ka shkruar, por që kurrë nuk
janë publikuar, atëherë do të mund të thoshim që Noli është poeti i parë
shqiptar që shkruan një sistem strikt monotematik. Libri i Nolit quhet Album,
për ta arsyetuar larminë ideore e formale. Poezitë e këtij libri mezi ishin
mbledhur nëpër gazeta e miq për t’u publikuar si një përmbledhje e poezive të
shkapërderdhura. Ne e njohim
Albumin, por nuk e njohim Ungjillin e Nolit, sistemin e tij[4].
Ky pohim shërben për të bërë të ditur se në
fakt këto poezi të marra në shqyrtim të Nolit e që shpalosin erotikë, nuk janë
thjesht një shkapërdredhje, por pasqyrojnë gjerësinë dhe larminë ideore dhe të
formimit të tij.
Sofokliu nuk e
kishte mirë:/ Plaku s'ka takat, po ka dëshirë,/ Gjalpë s'ka po ka një pus me
hirrë,/Furrë dhe trazirë./Kam Ferid Asllanin si shahit,/ Tetëdhjet' e pesë vjeç
ashik:/ Amerika, Evropa u-çudit,/ Nuse desh kur vdiq!/ Flamurin që la e
trashëgova,/Nat' e ditë çupa, gra kërkova,/ Se ç'u batërdisa, se ç'u shova,/Se
ç'u përvëlova./Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,/Çupa, gra, në varr mos më
vajtoni./ Do t'ju dua prapë, siç më doni./ Dolla! Mos më zgjoni[5].
Për të ritheksuar, Noli dinte të
bënte humor edhe në llogari të vet dhe kjo gjë shihet jo vetëm në ndonjë poezi
të tij si ‘Plak, topall dhe ashik’. Kjo sjellje e tij tregon fare mirë sesa
zemërgjerë ishte Noli si njeri e krijues dhe sa të lira e, madje, edhe liberale
ishin pikëpamjet e tij për artin, fenë, moralin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Humori, përkatësisht shpirtorësia, ishte një dhunti e trashëguar nga familja e
vendlindja, por edhe e kultivuar nga kontakti me kolosët e artit botëror si
Shekspiri, Servantesi, Tolstoji, Bernard Shoi etj[6].
Por përveç poezive Sofokliu dhe Plak, ashik dhe topall, që i takojnë një faze më të hershme të
krijimtarisë së tij, Noli i kthehet temës erotike edhe në fazën e fundit të
krijimtarisë. Kësaj periudhe i takojnë edhe krijimet Saga e Sermajesë, Lidhja e
paçkëputur dhe Çepelitja.
Poezitë erotike të Nolit, pjesa më e madhe e të cilave, çuditërisht janë
shkruar në pleqërinë e tij, karakterizohen me një ton të përgjithshëm
humoristik, ndonjëherë edhe satirik.Pjesa më e madhe e këtyre poezive kanë një
subjekt joshqiptar. Derisa ‘Saga e Sermajesë’ trajton temën e grabitjes së
Sermajesë së bukur nga një kusar, poezia ‘Çepelitja’ shpreh njëfarë pakënaqësie
për vitet e bukura të rinisë, që shkuan pa shijuar gjë, derisa ‘Lidhja e
paçkëputur’ paraqet një lidhje bashkëshortore shumë të paqëlluar, që vazhdon të
jetojë edhe pse gjithmonë e gatshme për t’u shkëputur[7].
Ti moj Ëngjëll moj
Shejtane/ Moj Zambak e moj shafrane/ Ti më dehe të papirë/ Me tufan e me
farmirë/Moj kurbatkë katarroshe/ […] / Ti më mbylle në budrumin/Ti më nxive në
zullumin/Bashkë s’rrojmë dot/Ndahemi pra sot/ Nuk ujdis dot ti me mua/ Si për
çift, për burr’ e grua/ […]/ Unë prush e ti dëborë/ Unë drras’ e ti këmborë/
[…]/ Ndihmë, pra, për Zot/ Puthm’ e vramë sot/ Tani qan, u mallëngjeve/ More
vesh që u gënjeve/ Tani zemrën ma gëzove/ Se e shoh që u pendove/ Tani dukesh
si qëmoti/ Kur më kape siç tha Zoti/ Kokën time brigje-brigje/ Ti moj flag’e
ëmbël, digje!/ Tok pra mbetemi/ Sa të tretemi[8].
Por më tepër se sa thjesht pasqyrimin e një
marrëdhënieje të tillë bashkëshortore, në këtë poezi të Nolit digjet flaga erotike. Kjo vjershë është
pasqyrim i atyre që mund t’i emërtojmë shpesh si kontradikta njerëzore, luhatje
emocionale e të tjera, por që shpjegimin e tyre mund ta gjejnë vetëm përmes
erotizmit dhe emocioneve të shkaktuara prej e përmes tij.
S’duhet të harrojmë se megjithë premtimet dhe shpresat e lumturisë së
ardhme, pasioni është para së gjithash çrregullim dhe tronditje. Edhe vetë
pasioni i lumtur nënkupton një çrregullim aq të dhunshëm saqë lumturia në
fjalë, para se të gëzohet si lumturi, është aq e madhë sa bëhet e krahasueshme
me të kundërtën e vet, me vuajtjen[9].
2.8. Himnizimi i jetës tokësore. Trupi dhe kënaqësia.
Edhe një djalë i ri në valë të moshës,/ kur fara e tij don të shpërthejë
përjashta,/ shikon se i grumbullohen aty para/ do si fytyra e imazhe shumë të
hieshme,/ fytyra me një ngjyrë që s’e ka shoqen;/ një i tillë vegim e çon krejt
djalin peshë/ edhe ia ndez at’ pjesë të organizmit,/ e cila nga ajo farë aq
vjen e fryhet/ sa që, nga se kujton se kreu dhe punë,/ I shpërthen fara jashta
gulfa-gulfa/ dhe ndraget krejt ndër tesha që ka veshë[10].
Hedonizmi, një jetë
dedikuar kënaqësisë është ajo çfarë shumica prej nesh mendojnë kur dëgjojmë
emrin e Epikurit, porse në fakt Epikuri dhe filozofia e tij e kënaqësisë kanë
qenë kontroversiala për më shumë se 2000 vjet. Një arsye është tendenca jonë
për të refuzuar kënaqësinë si e mirë morale.
Por ajo për të cilën jemi dakord është se
Lukreci përfaqëson poetin dhe filozofin e himnizimit të jetës tokësore[11].
Kjo farë, për
t’cilën folëm ma përpara,/ zgjohet ndër ne at-herë kur mosha e re/ fillon t’i
përforcojë organet tona./… /Kjo farë, posa del jashta atyne pjesve/ të trupit
ku qëndronte ma përpara,/ përshkon gjymtyrë e organe e, si tërhqiet/ prej
organizmit mbarë, shkon edhe mblidhet/ ndër disa anë nervore t’trupit tonë/ dhe
n’çast i ngacmon pjesët gjenitale./ Dhe këto pjesë, n’ngacmim, mbushen me farë/
e at-herë vjen një dëshirë për t’i flakrue/ n’objekt, ku jep e merr një neps i
zjarrtë,/ se zemra ka si piksynim at trup/ për t’cilin e ka zanë meraku i
fortë,/ dhe anmiku, n’qe se ndodhet bri me ne,/ dhe ai spërkatet plot me pika
gjaku./ Të njajtin fat pëson dhe ai njeri/ të cilin e plagos hyjnesha “Venus”/
me anë t’nji djali t’hieshëm e tërheqës/ ose me anë t’një femne që lëshon/ nga
syt e vet një afsh plot dashuni,/ dhe ai njeri, mbasi prej saj plagoset,/ te
ajo synon e digjet ta pushtojë/ edhe t’i hjedhë në trup të gjithë at’lang/ që
ka në trup të vet, pse e ndien përpara/ andjen që ja shkakton ai neps i heshtun[12].
Poeti dhe filozofi roman Lukreci (Titus
Lucretius Carus 99 p.k – 55 p.k) përpiqet të jetë shpjegues në detaje i trupit njerëzor dhe kënaqësisë së tij.
Poema e tij ‘De
rerum natura’ transmeton idetë e Epikuranizmit, të cilat përfshijnë Atomizmin
dhe psikologjinë. Lukreci ishte
shkrimtari i parë që prezantoi lexuesit romanë me filozofinë epikuriane[13]. (...)
More in: Revista Haemus
[1]Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të
shek. XX,
Mirlinda Krifca-Beqiri, f. 140.
[2] Plak topall dhe ashik, Fan S. Noli.
[3] Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të
Sabri Hamitit, Agim Vinca, Rilindasi,
10.06.2012.
[4] Ungjilli sipas Nolit, Ag Apolloni,
Shtator 2011, Gazeta Shqiptare.
[5] Sofokliu, Fan S. Noli.
[6] Fushata kundër Nolit, akuzat e pavend të
Sabri Hamitit, Agim Vinca, Rilindasi,
10.06.2012.
[7]Femra në poezinë shqipe të decenieve të para të
shek. XX,
M.K.Beqiri, f. 141.
[8] Lidhje e paçkëputur, Fan S. Noli.
[9] Erotizmi, Georges Bataille, f. 19.
[10]Mbi natjerën - poemë, Lukreci, N.SH.
Botimeve Naim Frashëri, Tiranë 1961,
Klasikët, Titulli i orgjinalit Lukrece:
De Rerum Natura; Përkthyer prej origjinalit nga Henrik Lacaj, f. 56.
[11] Shih: Monica
R. Gale, Myth and Poetry in Lucretius
(Cambridge University Press, 1994, 1996 reprint), f. 213, 223-224 online and Lucretius (Oxford University Press,
2007), f. 238 online. (vep.cituar).
[12]Mbi natjerën - Poemë, f. 57,58.
[13] Gale (2007),
f. 35. (vep.cituar).