Showing posts with label Albanian. Show all posts
Showing posts with label Albanian. Show all posts

Blerina Goce: Mungesa e erotikës në letërsinë e shkruar shqiptare

(vijon nga Haemus-i i kaluar)

 

2.7. Erotizmi satirik i Nolit

Nëse ka një aspekt të pashqyrtuar në krijimtarinë e Fan Nolit, ai është pikërisht erotizmi. Poezia e tij është gjykuar dhe analizuar së shumti në aspektin atdhetar, patriotik, demokratik, për tonin elegjiak apo detaje të tjera të ngjashme e që zbulojnë formimin dhe besimin e tij, formimin fetar e filozofik e kështu me rradhë, por pjesa më pak e prekur ka qenë pikërisht erosi.
Edhe pse erosi zë një vend të vogël në krijimtarinë poetike të Nolit mund të themi se ai është i pranishëm dhe zbulon së shumti për formimin e tij dhe është interesante të shqyrtohet, duke pasur parasysh edhe formimin si klerik të Nolit.
Poligloti dhe politikani, oratori dhe historian, studiuesi i muzikës dhe një ndër njohësit më të mirë të veprës së Bethovenit, themeluesi i kishës autoqefale shqiptare, burri i shtetit dhe prifti, përkthyesi dhe dramaturgu, kritiku letrar dhe studenti i përjetshëm, e para së gjithash poeti, F. S. Noli, përveç poezive patriotike dhe politike, përmes së cilave në mënyrë alegorike fshikullon realitetin politik shqiptar, shkroi edhe poezi erotike, pavarësisht se ata nuk hyjnë në mesin e krijimeve më të realizuara të studentit të Harvardit. Poeti dhe intelektuali shqiptar i ardhur nga një zonë e prapambetur, siç qe Ibrik Tepeja, njeriu që, pavarësisht kushteve të vështira ekonomike me të cilat u ballafaqua, nuk e ndali vrullin për të studiuar dhe zgjeruar kulturën e tij, që është vërtet tepër e gjerë për një jetë njeriu; misionari, që në emër të dëshirës për dije dhe për të udhëhequr popullin e tij, ashtu siç e udhëhoqi heroi i tij i preferuar, Krishti, me të cilin ia kishte ënda të krahasohej, sikur u bind se nuk është krijuar për punë të rëndomta. Poeti nga Bostoni që shaminë e parë, si shenjë propozimi për martesë e pranoi në moshën 9 vjeçare nga bashkëfshatarja e tij Shasha dhe një vit më vonë edhe nga Parashkjeva 20-vjeçare, pas ndonjë përpjekjeje jo fort këmbëngulëse për martesë me Euthalian dhe Kasandrën, sikur definitivisht u bind se është i lindur për punë të mëdha, andaj vendosi ta mbyll këtë kapitull të jetës së tij, pothuajse pa e filluar fare. Por, edhe përkundër një fakti të tillë, Noli nuk mbeti indiferent ndaj temës erotike[1].