Një libër për Nënë Terezën

Kopi Kyçyku*


Nënë Tereza u bë e njohur përmes vënies në zbatim të parimit të krishterë të dashurisë ndaj njerëzve. Në Kalkutë të Indisë ajo u mor me më të varfrit e të varfërve, me të sëmurët që ndodheshin në pragvdekje dhe me leprozët. Ajo nderohet nga një numër mbresëlënës njerëzish, të cilët shohin tek ajo shëmbëlltyrën e një shenjtoreje të ditëve tona: “The Saint of the Gutters”. Përfshirja e saj në veprimtari që lidhen me mbrojtjen e dinjitetit human u shpërblye në vitin 1979 me Çmimin Nobel për Paqe. Nënë Tereza ishte edhe një kritike e ashpër e çdo lloji dështimi (aborti).


Urdhëri i themeluar prej saj (“Misionaret e Mëshirës”) vazhdon ta zhvillojë veprimtarinë e vet në shumë vende të botës. Nënë Tereza dhe bëmat e saj për vite me radhë kanë ngjallur interesin e publikut. Fill pasi ndërroi jetë në moshën 87-vjeçare, u shtrua pyetja: cili ishte burimi i asaj force tërheqëse ndaj miliona njerëzve? Ajo pati parapëlqyer ta kalonte jetën pa rënë në sy (“Esse non vidare”). E cilësonte veten si një “laps i thjeshtë në dorën e Zotit” (kështu do të shprehej në një fjalim që pat mbajtur në Romë, më 7 mars 1979), e bindur që Ai po e përdorte “mosgjënë” e saj për të dëshmuar madhështinë e Tij.



Nënë Tereza nuk ia njihte asnjëherë vetes meritën e arritjeve që shënonte, duke u përpjekur pareshtur që vëmendjen që i kushtohej asaj ta mbartte drejt Zotit dhe “veprës së Tij” në dobi të të vobektëve. Megjithatë Zoti desh që ajo të mos mbetej e panjohur. Njerëz të të gjitha feve anekënd botës mbetën të mahnitur nga dashuria e saj e painteres dhe e pakufishme ndaj njerëzve në nevojë; nga gëzimi dhe paqja që përhapte, nga thjeshtësia dhe çiltërsia. Njëkohësisht, të gjithë ata që e patën takuar, qoftë edhe një herë të vetme, vunë re pa vështirësi që prapa vështrimit të saj zhbirues qëndronte një krijesë krejt e pazakontë. Nënë Tereza ia doli mbanë të ruante heshtjen lidhur me aspektet më intime të marrëdhënies së saj të privilegjuar me Perëndinë. Hirësia e Tij Ferdinand Perier, ish-kryepeshkopi i Kalkutës, dhe disa priftërinj, ishin të vetmit që njohën përsëthelli begatinë shpirtërore të jetës së brendshme të saj. Megjithëse Nënë Tereza këmbënguli që gjithçka që pat shkruar të asgjësohej, u bë e mundur të ruhet një pjesë e letrave dhe shkrimeve të saj. Mbledhja e dëshmive dhe e dokumenteve për shenjtërimin e Nënë Terezës, dha rastin për të zbuluar historinë e jashtëzakonshme të marrëdhënieve të thella të saj me Jezus Krishtin, që ua kishte mbajtur të fshehta edhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Këto lidhje mund ta rreshtojnë fare mirë krahas mistikëve të mëdhenj të Kishës. Jeta dhe mesazhet e Nënë Terezës vazhdojnë të na mahnitin.



Libri i inxhinierit dhe gjuhëtarit, njëkohësisht anëtar i Akademisë shqiptaro-amerikane dhe i lidhjes së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, Genc Leka “Agnes Gonxhe Bojaxhiu, Nënë Tereza”, botuar në Nju Jork, u përgjigjet kërkesave të një numri shumë të madh njerëzish, që duan të kuptojnë sa më mirë shtysat e veprës së saj, burimet e fuqisë së saj dhe të intensitetit të dashurisë së saj. Faqet e këtij libri, të shkruar në një shqipe të kulluar e me një stil që rrjedh si uji i burimit, hapin siparin e një jete të brendshme, me thellësinë e dramat e saj, dhe shtojnë perla të tjera në trashëgiminë shpirtërore që Nënë Tereza i dhuroi botës.



“Në rast se ndonjëherë do të bëhem e shenjtë, do të jem me siguri një shenjtore e ‘territ’. Do të mungoj vazhdimisht në Qiell, për të ndezur dritën e atyre që janë në errësirë në tokë” i shkruante Nënë Tereza atit Joseph Nuener, më 6 mars 1962. Të cilësuara si një “letër angazhimi” (premtimi), fjalët e mësipërme na japin kyçin për të kuptuar jetën shpirtërore dhe krejt ekzistencën e saj. “Eja, ji drita Ime”, i kërkoi Jezusit, dhe Nënë Tereza bëri çmos të bëhej drita e dashurisë së Zotit në jetën e atyre që njohin errësirën. Misioni i saj mbartte një kosto paradoksale dhe krejt befasuese: ajo vetë jetonte në atë “terr të tmerrshëm”. Në një letër drejtuar njërit nga udhërrëfyesit shpirtërorë të saj, Nënë Tereza shkruante: “Tani, atë, ky terr i patregueshëm me fjalë, kjo vetmi, kjo dëshirë e vazhdueshme e Zotit, që më dhemb në thellësi të zemrës, është i atillë që nuk e shoh dot, as me shpirtin tim, as me logjikën time. Vendi i Zotit në shpirtin tim është i zbrazët. Nuk ekziston Zoti tek unë. Kur dhembja e dëshirës është kaq e madhe, unë s’bëj gjë tjetër përveçse ta dua Zotin sërish dhe sërish e atje e ndjej. Ai nuk më do. Ai nuk ndodhet atje. Zoti nuk më do… Nganjëherë e dëgjoj vërtet zemrën që klith: “Zoti im” dhe askush nuk vjen. Këtë sfilitje dhe këtë dhembje nuk mund ta shpjegoj (Nënë Tereza, letër drejtuar priftit Joseph Nuener, pa datë, por ndoshta në prill 1961).



Dashuria për Zotin e për njerëzit u mboll në zemrën e Nënë Terezës qysh në fëmininë e brishtë. Kur krijoi “Misionin e Mëshirës”, përvoja e territ e gjeti të papërgatitur sa duhet. Dora-dorës që po njihte një shkallë shumë të lartë lidhjeje me Zotin, ndryshimi ishte jo vetëm befasues, por edhe mundues: duke qenë e paaftë të ndjejë praninë e Perëndisë, e këqyri veten të tronditur e të çoroditur. Duke u vënë në kërkim të shkaqeve të kësaj mungese të dukshme të Zotit, kur në të vërtetë prania e Tij ishte më se reale, ajo fajësonte para së gjithash mëkatet dhe dobësitë e veta dhe arriti në përfundimin se terri ishte një pastrim i mangësive. Me ndihmën e udhërrëfyesve shpirtërorë, ia doli mbanë që të kuptonte shkallë-shkallë se kjo përvojë e brendshme e dhembshme përbënte një element thelbësor të misionit që kish ndërmarrë tashmë. Ishte fjala për pjesëmarrjen e saj në Vuajtjet e Krishtit në Kryq me theks të veçantë në etjen e Jezusit, në të fshehtën e dëshirës së Tij të zjarrtë, e dashurisë dhe shpëtimit të çdo njeriu. Ajo njohu më në fund në vuajtjen e saj vulën e pashpjegueshme të Vuajtjeve të Krishtit në shpirtin e saj. Po përjetonte misterin e kalvarit – Kalvarin e Krishtit dhe Kalvarin e të varfërve. Përjetimi i kësaj përvoje të brendshme ishte pjesë e pandarë e vokacionit të saj; ishte kërkesa më thelbësore e misionit të saj dhe përvoja e epërme e dashurisë që ushqente për Zotin e për të vobektët e Tij.



Tashmë Nënë Tereza jo vetëm po merrej me njerëzit në nevojë të skajshme dhe me të përjashtuarit nga shoqëria, me të braktisurit, me të padëshirueshmit, me ata që ishin njeri pa njeri, por ishte e gatshme të bënte të vetat vuajtjet e tyre lëndore dhe shpirtërore. Në një kohë që ky ankth shpirtëror dhe i përhershëm mund ta dërrmonte, përkundrazi Nënë Tereza po shkëlqente nga një gëzim dhe nga një dashuri e jashtëzakonshme. Ishte bërë me të vërtetë një dëshmitare e shpresës, apostull i dashurisë dhe i gëzimit, ngaqë e ndërtoi ngrehinën e jetës mbi themelet e besimit të kulluar. Nënë Tereza po rrezatonte dritën që buronte nga lidhja me Perëndinë.



Libri i Genc Lekës, që mbështetet fort në dokumentet dhe në bëmat gati të mbinatyrshme të asaj gruaje shtatvogël-vullkan, që hapet me origjinën e familjes Bojaxhi duke theksuar se bija më e shquar e saj, Nënë Tereza, ishte nga Shkodra, vazhdon me kapitujt “Nënë Tereza nëpër botë”, “Nënë Tereza në Shqipëri”, “Mos më thoni mua të ndërpres punën”, ”Fakte të tjera për familjen e Nënë Terezës”, “Kalkuta vajtoi me dinjitet Nënë Terezën”, “Të gjithë shenjtorët duhet të gjykohen fajtorë derisa të provohet pafajësia”, “Nënë Tereza duhet të shpallet zyrtarisht Shenjtore” dhe mbyllet me vlerësimet për figurën e Nënë Terezës nga personalitete të ndryshme.



* Kavalier i Shën Silvestrit-Papë