Paul Goma: Letërsia e sirtarit – një kapitull i historisë së letërsisë


“… Më parë, në kohëra të natyrshme, domethënë jo-komuniste, letërsia e sirtarit ekzistonte në sirtarin e secilit shkrimtar: shkrime të papërfunduara, shkrime nga të cilat autori nuk ishte i kënaqur dhe i linte të prisnin një përmirësim (ose braktisjen përfundimtare), shkrime të kthyera mbrapsht nga revista apo shtëpi botuese… Vetëm se, qysh në gushtin e 1914-ës hymë në zodiakun Sarajevë, kurse qysh në tetorin e 1917-ës: në panatyrshmëri. Sintagma ‘letërsi sirtari’ mori një tjetër kuptim.
Nuk e kam shpikur unë këtë term - dhe realitet: letërsi sirtari, por vetëm e kam rimarrë, duke u përpjekur t’ua përshtat realiteteve të Rumanisë. Ky term qarkullon qysh përpara Luftës së Dytë Botërore tek rusët, dhe më vonë u shfaq një term i ngjashëm: samizdat. Kësisoj, sipas rusëve (por edhe ukrainasve, balltikasve, kaukazianëve, ‘moldavianëve’, polakëve, çekëve, hungarezëve, bullgarëve, gjermanolindorëve, letërsia e sirtarit ishte ajo që:
a) në ato që thosh (me shkrim), nuk binte dakord me Pushtetin (mirpo: “Kush nuk është me ne, është kundër nesh!”);
b) e gjetur gjatë ndonjë bastisjeje, do të kish shkaktuar jo vetëm arrestimin dhe dënimin - ‘për agjitacion e propagandë’, ‘për vënie minash pushtetit popullor’ – e autorit, por edhe të ‘mbajtësit’ (një mik, një koleg, një i afërm, një dashnore);
c) nuk mund t’i ofrohej për botim shtëpisë botuese (vetvetiu përdora njëjësin), pra: tekst, për të cilin punonjësit e Sigurimit nuk kishin dijeni…

… E nisa me fundin: pasojat e gjetjes, gjatë një bastisjeje, të letërsisë së sirtarit… Por është më mirë kështu. Gjithsesi, në vazhdim, pa synuar të imponoj kriteret e mia në ‘klasifikim’, po shpreh vetëm pikëpamjet për fenomenin e mësipërm, qoftë edhe për faktin se edhe unë kam pasur në sirtar letërsi (e mirë a e keqe nuk ka rëndësi).
Nevojiten edhe dy ‘gjëra’:
1. kohë, që t’i përgjigjesh pyetjes: “Kur është shkruar teksti përkatës: para apo pas 22 dhjetorit të 1989-ës?”.
2. vend, që t’i përgjigjesh pyetjes: “Ku është shkruar ky tekst: brenda kufijve të Rumanisë komuniste – apo jashtë kufijve (në mërgim, ose në syrgjyn?)”
3. Besoj se një shkrim, që të mund të bëjë pjesë në letërsinë e sirtarit, në pikëpamjen e sotme, përtej ‘rrezikshmërisë’ dhe fshehjes së tij, duhet të ish shkruar përpara dhjetorit 1989 dhe në Rumani.
Duke u mbështetur në këto kushte, në prill 1990 kam pohuar: “Nga shkrimtarët, letërsi sirtari kanë pasur: Blaga, Noika, Steinhardt, Ioan D. Sarbu dhe Teohar Mihadash“. Pas tetë vjetësh, më vjen keq, se lista ime ka mbetur e pandryshuar…

… Romanin „Gherla” e kam shkruar në vitin 1972 në Paris. Më 1973 u ktheva bashkë me dorëshkrimin në Rumani, ku kreva edhe një motërzim… Sigurimsat që më hynin në shtëpi dhe më vidhnin dorëshkrimet nuk para dukeshin të joshur nga motërzimi që po përkthehej në frëngjisht e suedisht - mirpo, kurreshtarë gjer në histeri, bënin çmos të shtinin në dorë motërzimin ‘tjetër’, atë të riun. Ky i fundit nuk ishte më ‘armiqësor’ sesa ai që do të botohej më 1976 tek Gallimard-i - unë asokohe banoja në Drumul Taberii (lagje e madhe bukureshtase - sh. y.) - por Sigurimi nuk i dinte këto hollësira.
Sigurimi nuk e dinte se ndërkohë shkruaja romanin Garda e kundërt (1973-1975); me gjithë ‘vizitat’, nuk gjetën asgjë për të konfiskuar: shkruaja drejtpërdrejt në makinë, fshihja fletët, secilën në një vend më vete, kurse kur mbaroja një kapitull, e dërgoja  drejt e në Perëndim… Nuk i uroj askujt që të ‘vazhdojë’ të shkruajë çdo ditë një libër, pa mundur të lexojë ç’ka shkruar një ditë më parë…

… Natyrisht, unë nuk i shoh gjërat kështu. Qoftë edhe ngaqë jam më plak tani; ngaqë kujtesa ime rreh, pavarësisht nga ç’besojnë kolegët e mi, përtej çastit të shkatërrimit të librave të mi, përtej ngjarjeve të mia – dhe kulmi, në sytë e disa autokronikëve: gjer edhe përtej çastit të lindjes sime. Për një arsye të thjeshtë: unë besoj në kujtesë, besoj edhe në histori – ndërsa, në lidhje me çështjen e trajtuar më sipër, besoj në historinë e letërsisë.”

Shpellanë

“Me kalimin e kohës njerëzit dolën prej shpellave, gërmuan kasolle, ngritën shtëpi, madje shtëpi-mbi-shtëpi, por gjithsesi me mendësi shpellaku mbetën. Kjo mund të përmblidhej: individi që ik nga bashkësia, quhet i ikur edhe po qe se rikthehet; cilësohet “tradhtar” i huaj dhe s’ka më vend në shpellën e lindjes. Shpella në fjalë është vendi ku nuk mund të depërtojë më asnjë i huajsuar! ‘Ne jemi të këtushmit, ne jemi më të zotët, më qerratenjtë, të mençur qysh kur dolëm nga barku i nënës, s’duam të na vijnë të tjerë, nga vise të tjera, të na mësojnë ç’duhet të bëjmë e sidomos... ç’duhej bërë’”.

Shkëputur nga Revista Haemus Nr. 2-3 dhe 4-5-6 / 1999; Nr. 36-40 / 2009



[1] Libra të botuar: La cellule de liberables - Gallimard, 1971 (Ostinato); Elles etaient quatre… - Gallimard, 1974; Gherla - Gallimard, 1976; Dans le cercle - Gallimard, 1977; Garde inverse - Gallimard, 1979; Le tremblement des hommes - Le Seuil, 1979; Les Chiens de mort - Hachette, 1981;Chasse-croise - Hachette, 1983; Bonifacia - Albin Michel, 1986; Le Calidor - Albin Michel, 1987; Gherla - Humanitas, 1990; Vuajtjet e Piteshtit - Cartea Românească, 1990; Nga Kalidori: Një fëmini basarabiane - Albatros, 1990; Bonifacia - Omega, 1991; Sabina - Apostrof, 1991; Ushtari i qenit - Humanitas, 1991 etj.