Prof.univ.dr. Ardian Kycyku: Panait Istrati dhe rrënjët e prozës ballkanike


(Fragment nga një studim i zgjeruar)

Panait Istrati, „Kira Kiralina, shqipëroi Kopi Kyçyku
Shtëpia Botuese PA, Prishtinë 2015,
me mbështetjen e rrjetit kulturor Traduki

Hyrje

Pa e synuar, ose pa ia dalë mbanë, - për shkak të vdekjes, të cilën e priste qysh fëmijë, por e cila duket më e parakohëshme se në raste të tjerë, - gjeniu i letrave Panait Istrati duket se u la lexuesve të zgjedhur një kryevepër të dyfishtë. Në thelb, çdo kryevepër mbështetet mbi një rrjet gojëdhanash[1] dhe / ose pamjesh me rrënjë të pakapshme në kohë, mbi durimin dhe hirin krijues të disa breznive, dhe është një kulm, ose një rrjet kulmesh. I bindur se njeriu nuk duhet ta shndërrojë veten në një kryevepër, por në një mjet lumturie (për të tjerët), sa i përket rrafshit artistik, Monsinjori Vladimir Gjika[2] shprehej se përcaktimi më i saktë i një kryevepre do të ishte: ”Nuk i ka të gjitha, por asgjë nga ato që nevojiten nuk i mungon”. Nga këndvështrimi i atij që i rrëmben kryevepra të padukshmes përmes skalitjes së gurit, Constantin Brâncuși, besonte se kryevepra është “barazpesha absolute[3].


Kryeveprës së dyfishtë të Istratit, e papërfunduar prej tij, por që vijon në vetëdijen e çdo lexuesi të përkushtuar, nuk i mungojnë as barazpesha e as ajo diçka që shpesh ua zgjat, ose ua shkurton jetën librave. Pjesë të kësaj kryevepre gjenden sidomos në ditarin e copëzuar të Istratit, botuar në vëllimin ”Si u bëra shkrimtar[4], që mund të kishte pasur edhe titullin ”Si mbeta shkrimtar”. Ditari nuk është mbajtur aq për të zbutur vetminë dhe për të zhvilluar paraprakisht një rrëfim ndaj Zotit. Ai i ngjan më fort një letre të hapur, që mund të lexohet edhe gjatë jetës së autorit, edhe pas vdekjes së tij, edhe gjatë vdekjes së tij, edhe pas jetës që fton të shkruhet nga tjetërkush. Po u paraqis këtu, - shkruan Istrati, - atyre që ndjejnë nevojën, jo aq një vepër arti, se sa një njeri. Vepra vdes. Njeriu është i përjetshëm. Veprat janë gjithmonë bindëse. Njerëzit – vetëm heraherës. Që të mund t’ia arrijë qëllimit, epoka jonë, - pra ata që nuk flasim dhe prodhojnë pa përfituar, - ndjen më fort nevojën për njerëz, se sa për vepra. Ose, më saktë: për njerëz që janë pasqyra e veprave të veta. (...)





[1] Teksa në shqip gojëdhana përfshin edhe të dhënat, edhe dhuntinë, dhantinë, dhuratën, në rumanisht togfjalëshi prin viu grai ka kuptimin: shprehur me të folme / gjuhë të gjallë.
[2] Autor i të paktën një kryevepre të mendimit dhe besimit në gjuhën frënge, mistik dhe martir (Kostandinopojë, 25 dhjetor 1974-burgu i Zhilavës / Jilava, Rumani, maj 1954). Shih Princi Vladimir I. Gjika - Mendime për ditët që vijnë / Prințul Vladimir I. Ghika - Gânduri pentru zilele ce vin, Revista Haemus Nr. 1, nëntor 1998, dhe Lulja dhe dora që e këput botuar në disa revista shkencore dhe organe shtypi në shqip, rumanisht e anglisht.
[3] Lexohet Konstantin Brënkúsh / Constantin Brâncuși (1885, Hobița, Rumani-1976, Paris) cilësuar si njëri nga etërit e skulpturës moderne. Shih Skulptor gjer edhe për të verbërit / Sculptor chiar şi pentru orbi, Revista Haemus, Nr. 9-10 / 2001; Brâncuşi şi treptele „orbirii”, sau universalizarea sculpturii populare balcanice (Brënkushi dhe shkallët e ‘verbimit’, ose përbotësimi i skulpturës popullore ballkanike), rumanisht, 2005 dhe 2010, mbajtur si kumtesë në 100-vjetorin e krijimit të Zogut Madhështor.
[4] Istrati, Panait, Si u bëra shkrimtar, (Cum am devenit scriitor), vëllim i hartuar sipas shembullit francez ,,par lui-même“, Editura Minerva, Bukuresht, 1985, hartuar nën kujdesin e Alexandru Talex (pseudonim i Atanase Alexandrescu-t, 7 dhjetor 1909, Bukuresht-17 nëntor 1998, Bukuresht, gazetar, përkthyes dhe historian i letërsisë, botues edhe i letërkëmbimit të Panait Istratit me shkrimtarë të huaj, veçmas me Romain Rolland-in, si dhe i librit Le pèlerin du coeur, Gallimard, în 1984).