Tridhjetë vjet më pas
Në pranverë të
vitit 2007, në një sallë të vogël njëqindvendëshe të Teatrit Kombëtar në
Tiranë, luhet premierë absolute dhe vetëm për një natë, drama “Pesha e paqes”[1]. Autori është
Shpëtim Gina.
Emri i Shpëtim
Ginës ishte mbuluar në harresë dhe ajo premierë përmendi bashkëpunëtorët e
magjepsur nga puna e një dramaturgu të ri në vitet shtatëdhjetë, veprat e të
cilit i kishin kaluar dorë më dorë, madje i kishin ruajtur pas vdekjes së tij
pa dijeninë e familjes.
Regjisori Viktor
Gjika, një pionier i kinemasë shqiptare, i dorëzoi familjes Gina asaj vere të
2007-ës, dramën “Shtëpia Nr. 1961”. Autori që kur e kishte nxjerrë nga duart ia
kish dhënë mikut për ta lexuar. Ashtu si Pesha e paqes ose Akuzë kishte dalë në
dritë nga aktori Minella Borova i cili e ruante prej viteve shtatëdhjetë. Kur
Akuzë u përball me skenën, publiku e pa veten në pozitën e atij që mbërrin kur
festa ka mbaruar. Prezantimi pas çerek shekulli me Shpëtim Ginën linte të
kuptohej që ai, edhe pse jo njohës i kultivuar i teknikës dramaturgjike,
ndërton një arkitekturë teksti të vetën që forcën e ka në dialogët e dendur dhe
të tendosur psikologjikë, në shthurjen e monotonisë së rrëfimit teatral, në
kapërcimet e befta nga skenat e vogla të realitetit konkret në ato të mëdhatë,
të botës së mendimit abstrakt dhe asocasioneve, një procedim jo i zakontë për
dramën shqiptare të realizmit socialist.
Të nesërmen,
publiku priste ta ridëgjonte këtë tekst të tjetërlloji në sallën e vogël të
Teatrit Kombëtar, kur aktori i personazhit të ushtarit (ushtarin e luftës në
askund do të takonim më vonë në dy dramat më të plota që ka lënë Gina), doli në
skenë i veshur me kapotë dhe njoftoi që ai dhe kolegët e kanë bojkotuar shfaqjen
për mosmarrëveshje financiare me regjisorin.
Pagëzimi i Ginës u
la në mes për motive banale. E njëjta gjë, por për shkak të censurës, kishte
ndodhur më 1972. Puna për dramën “Armiqtë” të cilën Mihal Luarasi po e
përgatiste për premierë në skenën e Teatrit Kombëtar u ndërpre si “vepër
moderniste”[2].
Disa dëshmi
Më 1972 Shpëtim Gina kryen studimet për
Gazetari dhe fillon punë në Radio-Televizion, skenarist në Redaksinë e
Kulturës. Atë vit realizon me regjisorin Mevlan Shanaj dhe operatorin Pali Kuke
dokumentarin “Berati” i shfaqur për ekipin e TVSH, por jo për publikun. “Berati u ndërpre dhe për këtë na çuan
deri në Plenumin IV. E gjithë aroma e Beratit, si xhirohej, si flitej, ishte
ndryshe dhe për rrjedhojë i shtyu aparatçikët për të cilët mendonim se nuk mund
ta lexonin metaforën apo elipsën në atë film, ta ndalonin. Në fakt ata i lexuan
këto tek Berati.”[3]
Të tre punuan për dokumentarët
artistikë mbi qytetet e Korçës dhe Kukësit.
Kuke i ka lexuar dramat e Ginës në
kohën kur janë shkruar dhe dëshmon që ato nuk janë aspak të errëta siç mund të
mendohet. “Ky çun në një kohë kur shteti që kishte vendosur telin me gjemba,
nuk lejonte qarkullimin e modernistëve, dhe Shpëtimi s’i njihte modernistët, ai
shkruante si një modernist.”[4]
Adhuronte Dostojevskin[5], pëlqente Heminguejin, lexonte Elyarin, Aragonin, Jevtushenkon, (Gina nuk
njihte ndonjë gjuhë të huaj) por ishte vonë të thuash që ai u influencua nga
këta dhe të tjerë. Faktin që ai lëvroi, pas poezisë[6] vetëm dramën, kolegu e komenton si një ambicje për të kërkuar në një shteg
të pashkelur.[7]
Për të gjitha këto, vepra e Ginës
ngjallte kuriozitet në rrethin e artistëve në Tiranën e viteve ’70. Kishte
shkruar Një në katër dashuri[8], Shtëpia nr. 1961, Akuzë, Armiqtë,
kishte në dorë Venema, e papërfunduar
për shkak të vdekjes së papritur.
Regjisori Viktor Gjika ishte lexues i
Ginës. “Nuk them që dramat e tij ishin të përsosura, por kërkimet brenda tyre
ishin tejet interesante sidomos për kohën.”[9] Dramën “Shtëpia Nr. 1961” Shpëtimi ia kishte dhënë me dorën e tij. “Kishte
nevojë për ta përpunuar. Por ndodhi ajo që ndodhi. Lajmin për vdekjen e tij e
përjetova si një fatkeqësi totale. Dramat e Shpëtimit duken të errëta, por ato
kanë një gjuhë të nëndheshme. E tillë është Shtëpia
Nr. 1961. Por ajo që më ka pëlqyer më shumë është Akuzë. Të bën përshtypje kurajoja e një djali kaq të ri. Për mua
mbeti një talent që fatkeqësisht nuk e arriti plotësisht atë që kërkonte.
S’mundi.”[10]
Gjika nuk bie plotësisht dakord me
opinionin që mendimi dhe filozofia e dramave të Shpëtim Ginës bie ndesh me
frymën e regjimit komunist. “S’mund të thuhet plotësisht kjo. Ai e kishte më
tepër si kërkesë ndaj artit dhe jo ndaj marrëzive të së përditshmes sonë.
Përfundimisht them se edhe aty ku Shpëtim Gina arriti me artin e tij, për mua
është shumë. Ajo që të godet në atë që krijoi është alegoria, sepse ky djalë
donte të mbërrinte tek e vërteta e madhe. Nuk është çështja këtu as ta
mbivlerësojmë, po as ta nënvlerësojmë duke mos e botuar. Vepra e Shpëtim Ginës
ka nevojë të redaktohet nga dikush që e do këtë autor.”[11]
Nga shënimet
Nga shënimet dorëshkrim të Shpëtim
Ginës që ruhen nga motra Mira, nuk mund të rindërtosh qoftë dhe një gjysmë
drame. Por konceptet, strukturat, skicat dhe përshkrimet e linjave dramatike, e
personazheve, situatave me dialogë të plotë, e vendit dhe kohës ndihmojnë për
të kuptuar busullën dramaturgjike të një të riu në kohën e kaosit dhe
mishmashit ideologjik në kulturë e arte.
Për shembull. Në këto fletë shkruhet
një skicë për dramë ndoshta: “Jeta e një
aktoreje e mbyllur në një dhomë në Gjirokastër. Dashuritë e saj. Monologu
shoqërohet me veprimin.”
Shënimet janë përzier me fletoret e
hartimit të vitit 1967. Nëse ka gjë që duhet marrë seriozisht në ato radhë
është ndikimi i helmit ideologjik që servirej si një pjatë e ftohtë në menytë e
programeve arsimore. Shpëtimi 16-vjeçar, gjimnazist në Qytetin Stalin,
përshkruan heronj si Adem Reka që nuk vdesin kurrë, përshkruan heroizmin e një
naftëtari dhe sekretarin pranë aksidentit që mban shtrënguar në duar teserën e
Partisë.
Po të duam t’i kërkojmë në të ardhmen
këto gjurmë të hershme të indoktrinimit, mund t’i gjejmë tek “Zema”. Shënimet tregojnë për një projekt
drame për t’u vënë në skenë. Themi për
t’u vënë në skenë, sepse ka menduar aktor-protagonist Sandër Prosin për
rolin e Vedat Kazadesë. Ky është ndërtues, i biri i një gurëgdhendësi të
vjetër, dikur luftëtar, Jaho Kazadeja. Familja e Injac Mesarejës është,
gjithashtu, protagoniste. Shtëpia e tyre është shkatërruar nga lufta.
Janë dhe dy të huaj që kërkojnë të
thellojnë fatkeqësinë e njerëzve që i ka zënë tërmeti. Grigor Zastreha, rus,
ndërtues.
Shpëtim Gina ka dhënë një skicë-ide për
katër skenat e dramës. Thelbi i konfliktit është prishja e marrëdhënieve
Shqipëri-Bashkimi Sovjetik, të cilën Gina e rimerr tek Shtëpia nr. 1961.
Shkruan: “Akuzat dhe lufta ideologjike e politike midis partive dhe qeverive tona
të jepet në debatet – dialogjet midis Vedat Kazadesë dhe Grigor Zastreha... Të
paraqiten në formë digresioni dialogë politikë.”
Përshkrimi i dalogëve politikë është në
stilin e realizmit socialist, opozicioni i karaktereve – gjithashtu. Gina u
është referuar disa raporteve koncize për “gjendjen
e Kampeve të pas LDB, çështjen e kufijve dhe krijimin e vendeve të demokracive
popullore dhe lufta e tyre kundër ndërhyrjeve imperialiste. Demokracia në
esencë është formë e diktaturës së proletariatit, plus që përcaktoi karakterin
e luftës nacional-çlirimtare në vendet e Evropës Lindore. U krijua premisë për
fitoren e revolucionit socialist në këto vende”.
Për linjat dramatike ai mendon këtë
operacion
- Të individualizohet reagimi i personazheve të thjeshtë
- Të thuhen qartë pikësynimet e revizionistëve – reagimi i njerëzve tanë
- Vijnë me idenë që të na qytetërojnë
- Në planet e qytetit (ashtu si e duan ata – të futin degjenerimin moral)
- Vedat Kazadeja – udhëheqës konkret jo figurë simbol
- Rusi është i orientuar – (përçmimi ndaj popullit si turmë) – Shqipëria si
pengesë në planet që ka revizionizmi – kështu duhet
Plus idetë e Plenumit të Katërt:
- Lufta jonë në plan ndërkombëtar
- Vigjilenca
- Të shihet mundësia e futjes së çështjes së Teme Sejkos, ose ndonjë
agjenti dhe grupi tjetër agjentural revizionisto-imperialist
E dhamë këtë shembull procedimi për të
kuptuar evoluimin e dramaturgut në veprat e ardhshme, e sidomos vetëdijesimin
për rolin e ideologjisë në një vepër. Ose ka të ngjarë që një dramë si e
lartpërmendura, për të parë dritat e skenës, duhej të shkruhej me destinacion
për skenë dhe të merrte në konsideratë çfarë lloj drame pëlqehej e pranohej.
Drama historike duhej të ketë qenë në
interesat e tij. Gjejmë shënime për dramën “Petralba”, mbi legjendën për
ndërtimin e një kështjelle ilire. Injaci është kthyer nga lufta i gjymtuar. I
ngrys ditët në shtrat i palëvizur. Pranë tij është vëllai i vogël Petri. Kori
është aktor në këtë dramë me sfond fundin e luftës iliro-romake.
Për dramën “Pa të nesërme” gjejmë aty
këtu ndonjë fletë në dorëshkrim. Personazhet janë një partizan, një fshatar,
një ballist një kapiten gjerman, Gëteri. Ky i fundit thotë diku: “Idealet e vërteta të njerëzve janë ndjenjat
humanitare. Më dëgjoni? Ato përjashtojnë çdo ideal tjetër, çdo pseudoideal. Ta
marrë djalli, vetëm të xhveshur nga çdo ideal, njerëzit janë njerëz.”
Nuk dimë nëse këto copëza u bënë
ndonjëherë drama të plota, e nëse po, a e morën statusin e dramës, u shtypën në
makinë shkrimi, siç ka bërë Gina me dorën e vet për ato drama që kanë mbetur?
Statusin e dramës së parë e mban “Një midis katër dashurive”, 1971,
rezulton e humbur. Në mars të vitit 1972 Gina humbet të ëmën. Gjatë prillit
shkruan “Armiqtë” që ia kushtonte së
ëmës, Fotini. Teatri Popullor do ta vinte në skenë në studion e teatrit. Roli
kryesor, i Terrinës, iu besua Edi Luarasit. Aty mendohej të luante edhe Prokop
Mima. Siç u përmend më sipër, puna për dramën u ndërpre. Regjisori Mihal
Luarasi kishte shkuar deri në porositjen e kostumeve dhe skenografisë
(skenograf Agim Zajmi) gjithçka në të zezë.
Nga drama e fundit “Venema” gjejmë pak fletë të
daktilografuara. Adelina Gina kujton: “Më
1973 shkruan “Venema” për eksperimentimin e revolucionit socialist në një
ishull. “Me të vërtetë beson se socializmi do të dështojë?”, e pyeta unë e
habitur. “Po, tha ai. Nuk e shikon se çfarë dhune ka? Dhe ka po aq varfëri
ekonomike!”[12] Me “Armiqtë” (teksti I), “Akuzë” po edhe me dramën “Shtëpia nr. 1961” (teksti
2), pavarësisht se nuk është dramë kundërskemë, Gina ndërkohë e kishte shpënë
në krizë mendimin mbi komunizmin si vend askundi.
Vdekja
Më 15 gusht 1974 Shpëtim Gina, 23 vjeç,
u gjet i vdekur, nga një asfiksi mekanike, në një gropë pranë lumit Droje në
Mamurras, gjatë zborit ushtarak.[13] Në katër vitet pas vdekjes familjarët përpiqen edhe pranë organeve të
rendit e të drejtësisë të hedhin dritë mbi vdekjen e të birit. Këmbëngulja e
tyre bazohej në faktin se: dëshmitari në vendngjarje nuk u mor në pyetje, por u
lejua të shkojë dy javë në shtëpi, meqë ishte shumë i tronditur; Organet
hetimore të Krujës kishin mbërritur në vendngjarje pas tetë orësh dhe familjes
nuk i janë bërë të ditura rezultatet e autopsisë.[14]
Mira Gina, motra e vogël e autorit, nuk
e i ka hequr dyshimet për vdekjen e të vëllait: “Ai thoshte më ndjekin. Dramat e tij lexoheshin
fshehur, gjërat e tij lexoheshin fshehur, emri i tij doli në 2-3 gjyqe, ai
përmendet në dosjen hetimore te Minush Jeros. Si të mos kem dyshime që ajo nuk
ishte vdekje aksidentale?”[15]
“U fut në lahej dhe u mbyt... kjo u
tha. Por unë kam bindjen se ai u mbyt vetë, bëri vetëvrasje. Ai nuk duronte
dot, ishte shumë i ndjeshëm, pati frikë nga arrestimi.”[16]
Mihal Luarasi ishte dënuar për
agjitacion e propangandë krahas Minush Jeros, Todi Lubonjës e Fadil Paçrami
armiqtë e popullit që vepronin në kulturë dhe arte. Por Luarasi nuk e përmend
kund që puna e tij me dramën “Armiqtë” e Ginës dhe ndalimi i saj të jenë
llogaritur në aktivitetin e atij armiqësor kundër pushtetit popullor. Lajmin
për vdekjen e Shpëtim Ginës e mori në burgun e Ballshit. “Unë besoj që Shpëtim
Gina është vetëvrarë.”[17]
Utopia
Të huaj
Ngjarja e dramës me dy pjesë Armiq zhvillohet në Itali, viti 1943.
Një fshat i humbur në një krahine të largët. Shtëpia e plakës Terrinë. Në anën
tjetër të kënetës, një kamp përqendrimi nga vijnë krisma, thirrje, lehje qensh.
Është arratisur dikush. Postieri Tore dhe vajza e tij Orjeta 16-vjeçare
shpërndajnë letrat e ushtarëve. Kanë qëndruar para derës së Terrinës. Plaku Tore
shfaq një qëndrim delikat ndaj të bijës, e virgjër, e padashuruar. Sepse gjithë
djemtë janë ushtarë. Vetë babai e ka ndaluar të bijën të mos shoqërohet me djem
duke e ditur që do të thirren ushtarë. Toreja shfaq frikë për ditën kur e bija
do të dashurohet! E bija shfaq një ndjenjë faji kundrejt të atit. Një raport i
çuditshëm!
Prej këtij prologu të nëndheshëm
psikologjik, Armiq hyjmë drejt e në
temë. Dy të arratisur nga kampet fashiste italiane: Mifoli shqiptar, komunist,
i angazhuar me lëvizjet antifashiste, i internuar në Itali; dhe Totoja,
fotograf civil italian. Kërkojnë të fshihen. Vendi më i mirë është shtëpia e
plakës Terrinë, sepse tek ajo, si për një të marrë, nuk dyshon njeri.
Totoja është njeri i frikësuar së
tepërmi, me parandjenja. Vazhdimisht përsërit: Këtë luftë unë i kam frikë
plakat! Ka krijuar marrëdhënie varësie prej bashkëudhëtarit të tij komunist,
është në të njëjtën kohë dyshues. Ndihet i rrethuar. Fuçitë me turshi
kastravecash i shembëllejnë me një batalion ushtarësh që kanë zbathur këpucët.
“Të gjitha luftërat”, thotë Totoja, “kanë ushtarë dhe për mua janë njëlloj.” Ai
mendon se lufta dhe politika janë për njerëzit që s’kanë zanat dhe s’dinë të
përfitojnë në mënyrë të ndershme. “Kjo luftë e bëri gjysmën e njerëzimit me
zotin. Zoti e fitoi luftën e vërtetë.”
Mifoli nuk e humb toruan. Ai e quan
luftën një gabim i natyrshëm dhe i pashmangshëm dhe ka këtë përgjigje për
frikën e tjetrit: “Ti je mbështetur në telat e kampit tënd të përjetshëm. Kampi
është pasiviteti ndaj një lufte që vret popujt. Kampi është pasiviteti ndaj një
lufte që vret popujt. Mos i mbro njerëzit që ëndërruan kur duhej të luftonin
kundër luftës. Ti fsheh veten. Mos u mbështet në tela.”
Mifoli nuk ndjek njeri pas. Madje ai do
të sjellë në vete Terrinën.
Plaka Terrinë shfaq shenjat e gruas së
traumatizuar. Ka humbur të birin, Alfredon. Ajo edhe beson që ai i rron diku
dhe njëri prej të arratisurve që ajo strehon, e mendon si Alfredon. E ndjen
veten një grua mit që lind dhe rilind të birin që shkon ushtar, vritet dhe nuk
vdes. Ka humbur të shoqin në Luftën e Vlorës, ndërsa të birin në malet e Kuçit.
Por nuk është shkak që shqiptari në shtëpinë e saj të shihet si armik.
Terrina mendon për një kohë tjetër:
“...pas luftës thonë se do ngrenë një shtëpi të madhe. Njerëzit do flenë
njëkohësisht dhe do zgjohen po ashtu nën çatinë e përbashkët. Thonë se kjo
është mënyra më e sigurtë për të zhdukur luftërat”.[18]
Po cili është armiku? Cili do ta
asgjësojë tjetrin? Sepse dikush duhet ta justifikojë atë presion të botës dhe
luftës që vjen nga jashtë brenda mureve.
Absurdi
Në pjesën e dytë hyjnë në skenë (Lo)
Dezzi, fashist dezertor dhe Bertari, civil italian. Duan të shkojnë në Zvicër
dhe këtë e përsërisin parreshtur. Në gojë të Bertarit janë vënë batuta të
ngjashme me të Totos. Ai e ka frikë shokun i tij, Dezzi, mendon që ai do ta
helmojë, ka frikë të flejë, do të qajë, ka parandjenja të këqija, i vjen erë e
djegur, i ngjan se i digjen rrobat në trup.
Tablotë ndërrohen shpejt dhe
marrëdhëniet në rreth të personazheve futen në një centrifugë dialogësh plot
ankth e frikë. Secili e mendon tjetrin armik të mundshëm. Kanë ndjenjën e
persekutimit. Përsëritjet e tyre kalojnë deri në paranojë.
Gina e ka futur dramën në një terren të
absurdit. Përmbajtja është bërë e pashpjegueshme, është zhbërë; personazhet
janë në kundërvënie me vetveten dhe me tjetrin; dialogët më vete janë
natyralistë, në tërësi përbëjnë absurditet; situatat duken si në një atmosferë
ëndrre dhe gjumi, pavetëdije ku personazhet vetanalizohen. Gina operon me
silogjizma të dendur.
Në bodrumin e shtëpisë së Terrinës janë
bërë bashkë katër të arratisur.
Kanë provuar rolet e njëri-tjetrit e
tani janë ata që duan të jenë.
Totoja rob i frikës që kërkon të ecë
vetë e të mos ndjek njeri pas.
Bertari është kthyer në gjendjen e frikacakut.
Ndërsa Mifoli më në fund gjen
kundërshtarin e tij ideologjik, Dezzin fashist: “Edhe fashizmi një diçka e
tillë është. Një rendje për t’u larguar nga lufta. Luftë do ketë dhe pikërisht
kësaj lufte ju i trembeni. Ajo është lufta e vërtetë. Lufta çlirimtare e
popujve.”
Finalja e dramës duket një zgjidhje
artificiale. Në derë dëgjohen të trokitura. Është AI. Dezzin e ka kapur
histeria, frika mos ushtarët e gjetën. Vret të panjohurin që ka behur në derë
dhe bie i qëlluar nga Terrina. Të tjerët largohen.
Armiqtë, pritja dhe ëndrra
Imazhi i armikut është interpretuar dhe
lexuar si një kryefigurë në gjithë letërsinë e dramaturgjinë e realizmit
socialist. E në njëfarë mënyre lexuesi që i njeh kodet e metodës nuk mund t’ia
largojë menjëherë vetes paragjykimin për të gjetur te “Armiqtë” e Ginës njëfarë
aksioni demaskues ndaj armikut të popullit, partisë, socializmit, komunizmit.
Zakonisht ky armik quhet sabotator, tradhtar. Gjithsesi, diçka që presupozon
kundërvënien ideologjike apo klasore midis njerëzve.
“Prapa çdo armiku të vërtetë ose të
supozuar do të zbulohej një organizatë, komplot ose grup armiqësor. Aq e fortë
ishte alergjia e totalitarizmit ndaj individit, sa as armikut nuk i lejohej
luksi që të vepronte si subjekt i lirë dhe individual.”[19]
Gina e ka shprishur imazhin e atij lloj
armiku. Njerëzit e tij janë krijesa të rrethanave, që ëndërrojnë vende që nuk
ekzistojnë, rende shoqërore të përsosura, kolektive, në fund të fundit
totalitare.
Personazhi i Totosë ka një pyetje
tensionuese të vazhdueshme drejtuar Terrinës: Pret njeri? “Mua s’di pse më
duket sikur pret njeri.” Totoja e shpjegon këtë obsesion tijin me gjestin
universal të njerëzve kur dalin në fotografi. Të gjithë i vendosin duart njëra
mbi tjetrën “sikur janë duke pritur dikë”.
I terrorizuar, i papërmbajtur, në
panik, i varur, i obsesionuar, akuzues, i paqëndrueshëm qoftë ndaj opinionit
për plakën, qoftë ndaj bashkudhëtarit komunist, i flet Terrinës:
“Përse nuk kërkon ndihmë? Fundja
s’është heroizëm të fshehësh armikun tënd dhe biles t’i japësh bukën dhe gjumin
tënd. Dëgjo! Mos mendo për mua. Unë mund të iki. Nëqoftëse ti do që të jem
këtu, atëherë mund t’u thuash se jam djali jot. Unë dua të ndihmoj. Ne të
gjithë nuk e duam luftën. Nëqoftëse je i ndershëm kjo s’do të thotë se nuk e do
luftën. Mjaft më duruam! Përse duhet të flasim me një zë të tillë. Njëlloj
sikur lutemi. Vetëm ne mendojmë si mos t’i fyejë të tjerët. Ata po na vrasin!
Dhe kur vjen puna paturpësisht vijnë të fshihen në shtëpinë tonë.
Kërkojnë t’i shpëtojmë ne. Dëgjo! As ti
s’besoj të jesh me fashizmin, por gjersa shumë nga ne luftuan për të, fashizmi
ka të drejtë të marrë hakun. Vetëm ne mendojmë të jemi sa më njerëzor. Kurse
ata na shkatërrojnë diku dhe vijnë të shohin si jemi hutuar dhe si përpiqemi të
hiqemi heronj. Tallen me ne! Po na tallin! Kështu përdhosen kufomat e atyre që
luftuan. Mirë ishte mos të kishin shkuar në luftë, por tani që ndodhi kjo, ne
dimë dhe si duhet sjellë me trimat e vrarë. Më dëgjon? Ti duhet të vendosësh.”
Gina i shtron personazhet e tij në
diskutime për konceptet liri, paqe, jo si koncepte mbi sovranitetin e masave e
të popujve por si aspirata utopike, të pamundshme, kontradiktore me prirjet e
natyrës njerëzore e për pasojë të ankthshme.
Origjinali i dramës “Armiqtë” 1972, që
mendohet të jetë ai që ruhet në katër kopje në Bibliotekën Kombëtare, nuk është
i botuar. Familjarët nuk kanë dijeni për të. Madje ata kanë botuar në vitin
1994 dramën “Armiq”, “Naim Frashëri”, 1994, f. 99 e cila paraqitet si “variant
për skenë”. Regjisori Mihal Luarasi konfirmon se drama që u pezullua në vitin
1972 nuk është ajo që është botuar më 1994. Drama e botuar dhe ajo e pabotuar
që gjendet e shaptilografuar në Bibliotekën Kombëtare, kanë shumë dallime mes
tyre. Drama e botuar nuk i ka dialogët reflektivë mbi komunizmin si utopi dhe
aludimet mbi ideologjinë komuniste si fe, të cilat përbëjnë provokacion te
“Armiqtë”.
Armiq të tjerë
Drama me dy pjesë “Njerëzit që jetojnë
në shtëpinë Nr. 1961” e njohur si “Shtëpia nr. 1961” nuk mban datë shkrimi.
Mendohet se i përket kohës kur Gina shkroi gjithë dramat, pra në mes viteve
1970-1974.
Më 1959 Hrushovi vuri tullën e parë në
themelet e Pallatit të Kulturës në Tiranë që do të ndërtohej sipas modelit të
arkitekturës ruse. Dy vjet më pas, 1961, çifti Hrushov-Hoxha u prishën përgjithmonë.
Drama e Ginës ngjizet në këtë konflikt
ideologjik. Personazhet qendrorë janë një arkitekt, Madu dhe gruaja e tij,
Besa, dy të huaj dhe një koleg arkitekt i përzënë si sabotator nga projekti për
ndërtimin e një pallati të madh. Është një kohë e trazuar. “Kudo flitet se
punët janë keq. Ne u prishëm me miqtë dhe dikush tha se zemërimi i miqve të
prishur është më i tmerrshmi.” Imazhi i armikut është i ngjashëm me imazhin që
jep letërsia e realizmit socialist. Por refleksionet e personazheve marrin
kthesa të befta (shih teksti II).
Drama “Akuzë” me dy pjesë është shkuar
në vitin 1972-1973. Në një takim paqeje të vitit 1949, një kont dhe një
diplomat inskenojnë në një hotel një ngjarje të vitit 1943 në Shqipëri. Aty
pranë fle Maria. Kështu duhet të quhet gruaja që evokon paqen (shih teksti
III).
Diplomatët ftojnë në skenë Ushtarin,
Plakun, Rabin dhe Kenon. Përsëri dy fronte armiqsh (teksti IV): Ushtari
italian, një dezertor i fshehur në një shtëpi shqiptare dhe në anën tjetër Rabi
e dashuruar me këtë njeri. “Akuzë” është një bashkëbisedim me historinë, për të
sqaruar disa gjëra, në shërbim të paqes.
Tekste
T. I
Po botojmë një pjesë të bisedës Toto-Bertari të cilën nuk e gjejmë në
botimin e 1994-ës, që është i pari botim zyrtar i veprës, i quajtur variant për
skenë. Dy personazhet kanë pak që janë takuar. Dialogu i tyre është një pazar
për t’u bërë komunist, si Pazar me djallin, fl. 45-48:
Bertari - Tani do të bëj ca gjyq. Miku im do të vrasë. Unë jam më njerëzor.
Unë propozova që në Romë të botohej një buletin i vogël për njerëzit që vdisnin
çdo ditë. Numurin e parë e mendova me një vejushë që vdes në banjo. (ndërron
ton) Flas seriozisht! Ti më dukesh njeri i mirë. Gjer sot nuk kam vrarë njeri
pa gjyq. Vendimi është marë po sidoqoftë ke shanse të apelosh tek zoti. E di ku
është zoti? Dhoma e fundit, majtas.
Toto – Parandjej se do të ndodhë diçka. Ai është njeri i tmerrshëm. Mos
flisni kështu! Unë s’mund ta mendoj të fshehur atë njeri. Është pa trup dhe
s’ke ku ta vrasësh. Unë kam frikë.
Bertari – Di ti të mbash proçesverbal? (nuhat përreth). Ç’është kjo erë e
rëndë? Fillojmë pa procesverbal. E plotësojmë më vonë. Kur të jetë paqe.
Atëhere do shtrihem gjithë ditën në diell dhe në vend të kujtimeve do mbush
procesverbalin. Të siguroj se do paraqes një gjyq madhështor. Ti do shkëlqesh
si hero! Të themi të drejtën tani je i zakonshëm. Atëhere mund të mësosh dhjetë
gjuhë dy orë pas vdekjes. Do përpiqem të bëj sa më të pabesueshëm.
Je komunist?
Toto – Jo.
Bertari – Si nuk u bëre komunist? Megjithse njeriu nuk mund t’i parashikojë
të gjitha. Sidoqoftë unë do them se je komunist. Kjo është e nevojshme. Për
komunistët do hapet rrethi i dhjetë i ferrit. Ka për të qenë thjesht
eksperimental. Nga je ti?
Toto – Unë? Italian. Nga Periko. Periko është përballë bregut. Deti është
në mes.
Bertari – (mendohet) Unë them se ti je komunist.
Toto – Nuk jam.
Bertari – Të pëlqen të mos e pranosh? Unë them se kështu është më mirë.
Biografia jote del më interesante.
Toto – Unë nuk kam qenë kurrë komunist.
Bertari – Ashtu?! S’më besohet! Është e çuditëshme! Megjithatë përpiqu ta
ndjesh vehten komunist. Nuk është aq vështirë. S atë gjej ai atë komunistin jam
i lirë. Mund të ndihmoj. Sa bukur do ishte sikur gjer atëhere ti të bëheshe
komunist. Ne do ju vrisnim të dyve njëlloj. Është puna mos të mbeteni të
pakënaqur nga njëri tjetri. Jo se komunizmi është ndonjë gjë e madhe, por si
gjithë gjërat e reja. E provojmë njëherë? Unë kam besim tek ty. Me popullin
tonë mund të bëhen gjëra të mrekullueshme. Fillojmë?
Toto – Më lini të rri sonte me ju. Nesër do iki. Unë jam i martuar dhe
s’dua të rri të stabilizohem dhe njëherë. Komunizmi nuk është për njerëzit e
martuar.
Bertari – Përse mos të përfitojmë nga ajo që s’e ke gruan këtu? Dëgjo! Ti
duhet të kesh besim tek unë. E sheh mikun tim? Unë e bëra fashist. Unë jam i
pasur dhe mund të të bëj dhe ty komunist. Unë të mendoj ty se si do jesh. Vetëm
ki parasysh mos ta harrosh ndihmën time! E fillojmë nga e para?
Toto- Sikur mos ta merrte vesh Klodi! Ajo do dyshonte!
Bertari – Është gruaja?
Toto – Gruaja.
Bertari – Mendo se ta kanë vrarë. Është mirë të kesh një familje tragjike.
Ti ndoshta je i butë por të paktën dhëmbët duhet t’i shtrëngosh. E lëmë kështu?
Gruan ta kanë vrarë dhe ti kërkon hakmarrje.
Toto – Unë kma tre fëmijë të vegjël! T’ju vijë keq! Unë vetëm njëherë i kam
menduar jetimë fëmijët e mi. Atëhere gjithë fotografëve ju kërkuan një taksë
për jetimoren.
Bertari – Ke bërë pjesë në ndonjë organizatë?
Toto – Për çfarë organizate flisni? Ç’më duhet mua të ngatërrohem në
organizata. Ajo i do të gjitha, edhe kuotizacionin, edhe mbledhjet. Si mund të
shkoj unë në mbledhje? Klodi është xheloze e tmerrshme.
Bertari – Ti nuk më kupton (pauzë) Unë e kuptoj që ti s’je futur në
organizata komunistësh. Por është më lehtë të kesh qënë në një organizatë
futbollistësh ose varrmihësish dhe të kalosh në një fazë më të lartë.
Toto – Mua s’më pëlqen kur njerëzit zemërohen. (i preokupuar) Ne nuk kemi
djalë. Unë dhe Klodi e parashikuam luftën. Mos më ngatërroni me gjëra të tilla?
Të gjithë ata që flasin janë të zemëruar.
Bertari – Më vjen keq për ty. Ti gjithë jetën e ke kaluar si brenda një
kampi.
Toto – Edhe ju thoni kështu? Por unë gjithmonë kam qenë njeri i lirë.
Bertari – Për asgjë nuk je kurioz. Komunizmi është i mirë.
Toto – As unë nuk them se është i keq. Por të jemi në paqe dhe ju të quani
komunizëm një dru të madh që unë mund ta përdor si tra në shtëpinë time, këtë e
pranoj. Më nevojitet!
Bertari – Dëgjo! Lëri falët e tepërta! Unë s’jam mësuar të dështoj. E sheh
mikun tim? Me pasurinë time e bëra fashist. Unë shpenzoj miliona dhe ti
komunist do bëhesh. Nuk më pëlqen të dështoj. Unë mund të ble dhe një ishull
dhe të lë ty të organizosh një revolucion. Shkurt, jam i vendosur. Ke vrarë
ndonjë armik? Sigurisht që duhet të kesh patur ndonjë njeri që të ka urryer.
Toto – Jo. Para meje të gjithë buzëqeshin.
Bertari – Ti i ke të gjitha të dhënat. Mbi të gjitha të është vrarë gruaja!
Patjetër duhet të kesh ndonjë njeri. Kujtohu mos ke vrarë ndonjë ordiner pastaj
ne themi se është armik. Këtë e kemi në dorë.
Toto – Ju lutem! Mos m’i lini fëmijët jetim!
Bertari – Unë s’dua të dështoj. Më pëlqen të krijoj komunizmin. Po ju jap
dhe fëmijëve tuaj dy milion. Ata mund ta studiojnë Marksin në një universitet
të ri. Prano se ke vrarë dikë. Do të jap tre milion. Bli një shkretëtirë. Çoji
njerëzit për t’i ekzekutuar dhe pastaj po deshe faljua jetën. Por ama çoji
njëherë. Prano!
T. II
Këtu është dialogu ndërmjet dy
personazheve qendrorë të dramës, arkitektit Madu që pushteti e ka ngarkuar me
detyrë të ndërtojë një pallat i cili do t‘i sillte një fatkeqësi, dhe
Skulptorit, një i huaj restaurator që kishte ardhur në Shqipëri në kohën e
miqësisë së vendit tonë me Bllokun Komunist. Referencat për figurën e
diktatorit janë të qarta. Ja dialogu, për shtetin, politikën dhe artin. f. 41-
43
Madu - Përse erdhe ti në Shqipëri?
Skulp.- Për të restauruar atë skulpturën që ju më vonë ta kishit si
perëndinë tuaj.
Madu - Ne nuk kemi perëndi.
Skulp.- Çdo popull ka bazën e tij shpirtërore. Ju do kishit atë.
Madu - Ku është statuja?
Skulp.- Po dehet.
Madu - Ajo nuk është njeri.
Skulp.- Artisti veprën e tij gjithmonë e jetëson duke e krahasuar me
njerëzit. Ky është ngushëllimi i artit. Në këtë mënyrë ne s‘jemi vetëm, ndonëse
jashtë gjithçkaje që s‘ka të bëjë me të bukurën, artin.
Madu - Ju pëlqen politika?
Skulp.- Koktejli më është dukur i kotë. Është i përzier dhe kuptohet se ka
mungesë sinqeriteti...
Madu - E dini sa peshon bllokada?
Skulp.- Pyetjet tuaja janë të çuditshme. Kurse jeni mjaft i ri!
Madu - Ju po ikni...
Skulp.- (E ndërpret) Unë akoma s’kam vendosur.
Madu – S’ju përket të vendosni. (Pas pak) I morët të gjitha dhe po ikni.
Shtritë përreth bllokadën.
Skulp.- Kjo është politikë e hapët. Do ju lutesha të mos e vazhdojmë në
këtë mënyrë bisedën. Një artisti të vërtetë mund t’i prishet shija në biseda të
tilla.
Madu - Kjo që flasim ka të bëjë me politikën?
Skulp.- Më duket se po.
Madu - Atëherë ju e njihni mirë politikën.
Skulp.- Unë njoh politikë statujash. Është shumë bukur të merresh me
diplomaci statujash. Ato kanë ecur me karvanet në mesjetë dhe kanë bërë
udhëtime të gjata nëpër viset e humbura. Ajo statuja e dehur ka një tendosje të
tmerrshme muskujsh, ma dhanë për ta restauruar. Sikur vazhdon të rendë mbi një
kalë fluturues, mes armiqsh që e ndjekin. Ja nga kush e njoh unë politikën dhe
ja cila më largon më tepër.
Madu - Edhe një statujë e lashtë ka diçka nga koha e sotme.
Skulp.- Si jo! Njerëzit janë si shtetet dhe në ndërtimin e tyre konstruktiv
s’kanë ndryshuar kurrë. Shtetet shahen me njëri tjetrin, përdhunojnë ishujt e
virgjër, bëjnë plot maskarallëqe dhe të nesërmen i qeshin njëri tjetrit.
Statujat nuk kanë ndryshuar vetëm se arti gjithmonë ka qenë jashtë politikës.
Ç’na duhet ne politika?
Madu - Po pallati?
Skulp.- Na duhet. Duhet të jetë një faltore për njerëzit që s‘përzjehen me
dobësinë e përgjithshme që quhet politikë. Politika është gjendja e të dehurit
e kombeve. Në në gjendje të tillë, e shumta mund të riprodhojë veten por asgjë
jashtë saj. Kështu artisti duhet t’i largohet...
Madu - Pallati që do t’iu shërbente njerëzve të cilët i largohen politikës,
në ndërtimin e tij i nënshtrohet kësaj. Përse ikët, kushe braktisi? Ai duhet
ngritur. Ndërtesa nuk i përket asnjë diplomacie. Mund të organizoni një
kryqëzatë artistësh (tallet) për të mbrojtur këtë ndërtesë "fatkeqe"
që duhet t‘i nënshtrohet politikës? Fati i saj është i tmerrshëm. Mendoni sikur
ju vetë të ishit prej tullash dhe t’ju nënshtronin në këtë mënyrë. Do ishit një
ndërtesë po në kubaturë por me kubaturë të...
Skulp.- Ajo është viktimë. Por mund të them se askush nuk do të më
ndihmonte mua. Biles s’do lejoja. Ai do zgjaste dorën do zhdukej në fatin tim.
Madu - Ikni!
Skulp.- Edhe kjo është politikë. Duket që ju i zgjatët dorën asaj ndërtese
dhe ajo ju dha fatin e saj. Të jesh viktimë është një kënaqësi e abstraguar për
një artist të vërtetë.
Madu - Edhe të jesh i ikur është një tradhti që politika e dënon duke e
quajtur armik. Kjo sjell luftën.
Skulp.- Ah luftë! (me ton indiferent)
T. III
Rabi takohet me Marinë, vajza që nuk ka
qenë në luftë ndonjëherë, e që duhet të jetë personifikim i paqes. Ja dialogu
mes tyre, f.13:
Rabi – Ikën ushtarët?
Maria – Unë s’banoja në qytetin tënd. Jam e huaj.
Rabi – E huaj? Si erdhe deri këtu? Babai e mbylli mirë derën!
Maria – Ke frikë nga lufta Rabi?
Rabi – Përse të kem. Pastaj unë një vëlla e kam partizan.
Maria – Ç’janë këta?
Rabi – Ata që vrasin ushtarët.
Maria – Tek ne nuk ka luftë, Rabi. Vjen me mua? Tek ne asnjëherë nuk është
bërë luftë.
Rabi – Nuk ka ushtarë?
Maria – Jo. Djemtë janë të bukur dhe të duan shumë. Ti nuk ke dashur asnjë
djalë. Kjo dihet. Ushtarët kanë të gjithë të njëjtën ngjyrë dhe duket sikur
janë lakuriq. Vajzat e kanë pisk në luftë. Mund të mos puthësh asnjë djalë dhe
në të vërtetë ke shkuar me të gjithë. Njerëzit janë lakuriq dhe kanë armë.
T. IV f. 32
Monologu i Ushtarit:
Ne s’lindim. Më shihni mua? Unë s’kam lindur. Ne shfaqemi në një copë tokë
dhe pyesim fytyrën tonë: Hej ti, erdhëm ne! Ku të futemi. Na caktojnë një copë
vend dhe jemi ushtar. Pyesim se kë kemi armik dhe na tregojnë fytyrën tonë.
Këtu mbaron jeta. Thashë se kudo nxitojmë. (pauzë. Nis e këndon këngën e
sipërme. Pastaj vazhdon:) Shilarësi lëkundet. Edhe ky nxiton. Mjerë ky!
Patjetër i kanë treguar fytyrën e tij për ta vrarë. Një ushtar. U mërzita. Ku
thua mbaron toka. Thonë se ajo rrotullohet kur vritesh. Unë dua ta provoj një
gjë të tillë dhe kam bërë shpesh si i vrarë por ajo nuk rrotullohet. Toka është
dinake dhe s’mund ta gënjesh lehtë. Si duket kjo është e fshehta e saj. Ku
mbaron toka? Përtej? Unë kam shumë dëshirë të di ku mbaron toka. (pauzë)
Fytyra imë është e bukur. Përse duhet ta vras gjithmonë. Për më tepër kur
është aq e bukur. Të ishte ndryshe unë do pranoja të rrija pa fytyrë. S’do jetë
aq keq! (pauzë) Pushka është e rëndë. Plumbi nuk duket, po ikën larg. Po sikur
të ketë andej ndonjë tjetër që mos të ketë fytyrën time? Sa keq! Unë e vras dhe
nuk di ç’bëj. Po të kishte fytyrën tim do ndjeja dhëmbje. (pauzë) Sa shumë tokë
që ka! Dhe e gjitha do më rrotullohet. Do jetë e rëndë? Sidoqoftë do jetë pesha
e fundit që do mbaj mbi supe. Ç’më duhet mua gjithë ky vend? Këtu ka vetëm
akuj. Unë kam shumë kurse ata s’kanë fare. Ekzistojnë të tjerë? S’e di. Le që
kjo është puna e tyre. Do më pëlqente të mi merrnin gjithë këta akuj? S’e di.
Ç’më mbetet për të bërë? (pauzë. Mendohet) Ndoshta duhet t’i kujtoj shilarsit
se është një ushtar i vdekur. Unë i rrotullohem mbi kokë si toka e madhe. Unë
dhe shilarsin do ta vras! Po sikur t’i shkrepet të kërkojë akuj? (përgjon
pyetjen e tij)
Shkurt mbi autorin
Shpëtim Gina.
Lindi në dhjetor 1951 në Berat. Në fëmini e tërhiqte bota e ngjyrave dhe e
muzikës. Në vitet e shkollës tetëvjeçare u mor me pikturë dhe në shkollë të
mesme u tërhoq nga poezia dhe shkrimet. Në vitet 70-74 kreu studimet e larta
fillimisht për Gjuhë-Letërsi e mandej për Gazetari në Tiranë. Shkruan novelën
“I braktisuri”. Përgatit për botim vëllimin “Valët e bardha”. Por e tërhiqte
mbi të gjitha dramaturgjia. Shkroi gjithsej shtatë pjesë për teatër midis
viteve 1970-1974. E para ishte “Një dashuri”, pastaj “Shtëpia Nr. 1961”, që
merr shkas nga prishja e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Asnjë dramë nuk iu botua
deri në vitin 1990. Vepra e Ginës kalonte megjithatë nën dorë në rrethet e
artistëve në Tiranën e viteve ’70. Shkroi skenarë për disa dokumentarë
artistikë për qytetet, prodhime të TVSH-së. Iu ndalua në fazën e provave, më
’72-shin, drama “Armiqtë”, me regji të Mihal Luarasit, atëherë i ndaluan
dokumentarin “Berati” ku ishte bashkautor i skenarit.
Drama e tij e
fundit “Venema” mbeti e papërfunduar, sepse më 15 gusht 1974 Shpëtim Gina, gjatë
kohës që ishte në zbor, u gjet i mbytur pranë lumit Drojë në Mamurras... Vdekja
e tij është trajtuar me detaje nga motra e tij, Adelina Gina, e cila rezultatet
e kërkimeve të veta dyvjeçare në vendet ku kish qenë dhe ndër njerëzit që
kishte takuar për herë të fundit i vëllai, i paraqet vite më vonë në librin “Ku
e çuat Shpëtimin?!” (SHBA, Kurti Publishing 2002); gjithë dyshimet e çojnë tek
Sigurimi i Shtetit.
Nga vepra e
Shpëtim Ginës është botuar deri më sot vetëm drama “Armiqtë”, Tiranë 1994.
Në mars 2007 në
Teatrin Kombëtar u vu në skenë për herë të parë drama e tij “Pesha e paqes”
(“Akuza” është titulli origjinal, e shkruar një vit para vdekjes).
[1] Regjisori nga Korça Llazi Sërbo e quan ringjallje të
autorit me premierën e dramës, e cila në origjinal mban titullin Akuzë.
[2] Nga biseda në gusht 2011 me Mihal Luarasin. Regjisor i
Festivalit të 11-të të Këngës, pas të cilit u zbulua i ashtuquajturi grup armiqësor në kulturë dhe arte, dhe
regjisor i disa spektakleve teatrale të ndaluara në proces pune, ndër to
“Armiqtë” e Shpëtim Ginës. Luarasi u dënua me burg. U kthye në skenë pas viteve
'90.
[3] Gazeta Shekulli - Nr. 2019, 15 gusht 2007, f. 14 – 15,
Diabolizmi komunist në vitin 1961: homazh shkrimtarit Shpëtim Gina, Elsa Demo
[4] Po aty
[5] Në dorëshkrimet e Ginës rrinin disa fletë të
daktilografuara nga Shënime nga shtëpia e të vdekurve. Çezar Kurti, mik dhe
kunat i Ginës, e kishte përkthyer nga rusishtja këtë vepër të Dostojevskit qysh
në vitet '70.
[6] Një sërë poezish të rinisë së parë të autorit ndodhen në
arkivën e dorëshkrimeve që ruan familja. Tani për tani vëmendja jonë është tek Gina
dramaturg.
[7] Po aty.
[8] Drama e parë e Shpëtim Ginës e prezantuar në Institutin e
Lartë të Arteve më 1971, për t’u punuar si punë diplome nga studentët e dramës.
Familja e deklaron të humbur.
[9] Po aty
[10] Gazeta Shekulli - Nr. 2019, 15 gusht 2007, f. 14-15, cit.
[11] Po aty
[12] Adelina Gina, Ku e
çuat Shpëtimin, Nju Jork, 2002.
[13] Adelina Gina e motra e autorit në librin Ku e çuat Shpëtimin ndërmerr një hetim
personal mbi rrethanat e vdekjes së vëllait. Ajo dyshon për vrasje.
[14] Po aty
[15] Nga biseda me Mira Ginë n, dhjetor 2010
[16] Maks Velo, Kohë antishenjë, Tiranë bot. II, 2006, f. 94.
Artisti Maks Velo, e kujton Shpë tim Ginë n në një takim të shkurtër në korrik
1974, në një gjendje ankthi. Mendonte se Sigurimi e ndiqte. Një muaj më vonë u
gjet i mbytur.
[17] Nga biseda me regjisorin, gusht 2011
[18] Shpëtim Gina, Armiqtë, dramë, 1994, f. 18-19
[19] Ardian Vehbiu, Shqipja totalitare: Tipare të ligjërimit
publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990, 2009, f. 102