Octavian GOGA
(1881-1938)
Pleqtë
Përse më çuat, përse, larg jush,
Të kisha mbetur dhe un' plugar,
Përse më nxorët që nga shtëpia?
Të isha bërë më mirë kosar.
Aher' patjetër dalldi s'do njihja,
Do të më kishit në oborr tani,
Në vend të udhëve pa krye, qorre,
Krah do më kishit për pleqëri.
Do të martohesha kur të mbaroja
Ushtrinë, ashtu si shumë të tjerë,
Shtëpinë do kisha me fisin pranë...
Do më nderonte fshati përherë...
Dhe do të kishe tani zotrote
Nipër e mbesa, që thoshin: "Gjysh..."
Do t'u tregoje ndodhi, përralla...
Me perandorë, me si e qysh...
............................................................
Kështu... kaloni, ju, pleq të gjorë,
Te Shën Mëria, me rrudha ballit,
Qan mbi ungjill nëna me orë,
Qan dhe babai pa zë, prej hallit...
George BACOVIA
(1881-1957)
Poemë fundore
Unë duhet të pi, të harroj ato që nuk i di njeri,
Fshehur në qilarin e thellë, pa thënë asnjë fjalë.
I vetëm të tymoj atje, pa më ditur as ti,
Përndryshe, qënka zor mbi dhé çdo e dalë...
Në rrugë ulërin jeta, edhe vdekja,
Vajtojnë poetët poemën e tyre të kotë...
E di.
Por uria e tmerrshme nuk është shaka, as ëndërr, por
lotë-
Plumb, dhe furtunë, shkreti,
Fund...
Historia bashkëkohore...
Erdhi çasti... tërë nervat më dhembin...
Oh, eja pra, e ardhme madhështore.
Më duhet të shkoj, të harroj ato që nuk i di njeri,
I mllefur nga krimet njerzore pa nxjerrë asnjë fjalë,
Fillikat të përhumbem në botë, pa më ditur as ti,
Përndryshe, qënka zor mbi dhé çdo e dalë...
Constant TONEGARU
(1919-1952)
Vendi
i shkretë
Këtu ka rënë Ylli Polar.
Kthetrat e shtrembra kanë rrëmuar thellë në tokë
ku janë djegur plotësisht një mbrëmje
dhe qetësisht u fikën pa erë, pa flokë.
Kali e kërkon në kullotë.
Në përjetësinë e lënë prapa,
pasi më kot veshët i mprehen,
në dheun shterp me patkoin zgërmit me hapa.
Buzë gropës kalojnë mjeshtra
dhe llogaritin e matin pa pushim
Të kërrusur e kanë lëkurën të ndehur mbi draprinj
dhe çajnë në tokë një shkallë, një thellim.
- Djalosh, që plotëson vetëm pesëqind shkallë,
këtu të gjitha gjërat kanë thelb hiri,
të bardhë janë vetëm yjet me qoshe të drejta rrallë
dhe sikur kërcet në qiej një derë prej bliri.
Më thuaj nga na vjen
të të them ku shkon duke gabuar -
e kam folenë mbi barna të këqia
me të cilat kavilja e përgjumur është ngatërruar.
Fjalët nuk i ke më të rënda, as të mjafta,
ujra të zeza i tërheqin prapa dhe i lajnë;
bie shi në këto vetmi, qentë nisin të ulërijnë,
qënia jonë e re përjetësisht mbi katër këmbë çohet, le të
qajnë.
Kalon e dashura pa u njohur nga mbeturinat e sapunit -
Gjer në kockë jemi lagur.
E dëshpëruar thërret dashuria gjysmën e saj të gjallë, të
çunit
siç kërkon gjer në agim me flokun të ndezur, zvargur.
Radu
CÂRNECI
(1928)
Shtator! Vdesin valët ngadalë
Shtator! valët vdesin ngadalë
beharet mbyllen tek ne si thesar
mendimet duan të mos dhembin në sirtar:
mendimin asketik përqafojmë pa fjalë.
Lart mbi zogjtë sytë e tu - dhe flatrojnë
në sytë e mi tufa të mëdha dhe përsëris
për një psalm me diell mbështjellë keq më vjen, u nis
tek ne vjeshta me hapa që kumbojnë!
Shtator! dhe valët vdesin nga halli
rrimë drejt në breg si në petk kishtar:
pa klerikë, detin e kemi altar,
shkretia është e gjatë nga ujrat dhe nga malli.
Le të përgjunjemi, vasha ime, drejt hënës
dhe lotin ta qajmë sëbashku si në gji të nënës.
Gheorghe ISTRATE
(1940)
Kthjellti
Kutia e kujtesës - shoshë; rrjedhin kujtimet
Mes qëpallash të thara, pragu i shtëpisë
Tymon gjatë; zëri i nënës harkon
Ajrin mbi shtëpi
Prindi zmadhon tokën
Duke ngritur sytë stërgjyshorë
Mbi llampë shekulli vonohet
Ndjej mall për fëmininë
E udha thërrmohet nën thembër
Gjethet lehin adresa të panjohura - ndal:
Një flutur të nuhat
Si të jesh syth luleje
Nga i cili ende frymëtojnë
Aromat e dikurshme.
Zgjodhi e shqipëroi Kopi Kyçyku