Robert Walser: Shëtitja

Paraqitja dhe shqipërimi: Feride E. Berisha

Autori

Zvicerani Robert Walser (1878-1956) është, pranë Franz Kafkës, njëri ndër prozatorët më të shquar të letërsisë gjermane, të ashtuquajturit “minimalistë”.
Robert Walser (i lindur me 15 prill 1878 në Biel, Kantonin e Bernës, vdiq me 25 dhjetor 1956 pranë Herisau, Kantoni i Appenzell Outerrhodes) ishte një shkrimtar gjermano-zviceran. Ai shkroi vjersha, tregime, romane, etj. Proza e shkurtër u bë karakteristike për krijimtarinë e tij. Edhe pse vlerësohej shumë nga autorët si Christian Morgenstern, Robert Musil, Kurt Tucholsky, Franz Kafka, Walter Benjamin dhe Hermann Hesse, Robert Walser mbetet një kohë në harresë për lexuesin. Zbulohet sërish në vitet '70. Sot ai cilësohet si një nga autorët më të rëndësishëm gjermanë të shekullit të 20-të dhe ndikimi i veprës së tij mund të gjendet edhe në krijimtaritë e autorëve bashkëkohorë.
Walseri i kaloi 23 vitet e fundit të jetës në një qendër për trajtimin e shëndetit mendor. Vdiq në ditën e Krishtlindjeve në 1956, gjatë një shëtitjeje nëpër borë.

Novela “Shëtitja”

Ky tekst i Robert Walserit cilësohet nga disa njohës si “proza më e bukur e letërsisë gjermane”.

Novela “Shëtitja” e Robert Walserit, e krijuar në vitin 1917, bën fjalë për një rrëfimtar të paemër, i cili del nga dhoma e tij e shkrimit, apo e fantazmave, siç e emërton ai vetë, përjashta, me qëllim që të bëjë një shëtitje. Kjo shëtitje, e treguar, zgjatë një ditë; ajo fillon paradite dhe përfundon në mbrëmje. Pra, tërë ditën e gjatë rrëfimtari hulumton qytetin dhe rrethinat dhe përjeton ngjarje të ndryshme, të cilat nuk kanë asnjë ndërlidhje logjike mesveti. Objektet radhiten në mënyrë të njëtrajtshme, njëri pas tjetrit. Në kontrast me rastësinë e shtesës së ngjarjeve, qëndron teksti i përshtatur saktësisht me kohën. Rrëfimtari na jep kohë pas kohe udhëzime në lidhje me kohën. Shëtitja e një njeriu të vetmuar don të thotë përvojë në vete dhe shtyn shëtitësin kah një ballafaqim me frikën, me mendimet dhe ëndrrat e veta. Duke u bazuar në ecjen e tij të ngadalshme, e cila e detyron jo vetëm trupin, por edhe mendjen të lëvizë, shëtitja konsiderohet si një gjë e domosdoshme për krijuesit.
Ai ec përmes fshatit dhe fushave, vëren çdo imtësi. Njësimi i tij me mjedisin ndërpritet oreçast nga takimet me një profesor, me një libërshitës, me një nëpunës banke, apo me një gjigand me emrin Tomzeck. Ata e nxjerrin nga ëndërrimi. Ecja është parë si një alegori e procesit krijues, në të cilën shkrimi është një mjet për të shpëtuar jetën.
Kohëzgjatja e shëtitjes mund të përkthehet figurativisht si vetë jeta, kurse mëngjesi dhe mbrëmja – si rinia dhe pleqëria. Ndërrimi i rrobave i ndan këto dy faza të jetës dhe, në fund të tekstit, rrëfyesit i kujtohen ngjarjet e kaluara.
Shëtitja si element letrar këtu përdoret si një mundësi për hulumtimin e natyrës dhe si kritikë ndaj shoqërisë. Njohuritë për natyrën rrëfimtari i ndan me lexuesin.
Shëtitjen si element letrar e gjejmë edhe në veprat e Johann Wolfgang Goethes, Fridrich Schillerit, Jan Paulit, Marcel Proustit, Franz Kafkës, Robert Schindelit, etj.

Përkthyesja Feride Berisha jeton dhe punon në Prishtinë dhe Berlin. Kjo është vepra e pestë e përkthyer prej saj.

  
Po marr t’ju tregoj se një paradite të bukur, nuk e di tamam se sa ishte ora atë mëngjes, më zuri një qejf të dilja në shëtitje, vura kapelën, dola prej dhomës së shkrimit, apo të fantazmave, nxitova teposhtë shkallëve për në rrugë. Mund të shtoj se në shkallë u ndesha me një grua, e cila dukej si spanjolle, peruane apo mulate. Zbehtësia e lehtë në fytyrën e saj zbulonte gjurmët e madhështisë së një bukurie tashmë të vyshkur. Unë duhet t'ia ndaloj rreptas vetes të qëndroj qoftë edhe dy sekonda te kjo braziliane, apo çfarëdo që mund të jetë, sepse nuk kam as kohë e as hapësirë për të çuar dëm. Për aq sa më kujtohet mua sot, teksa marr t'i shkruaj të gjitha këto, isha në një gjendje shpirtërore lumturie të thellë, kur dola në rrugën e ndritshme dhe plot zhurmë. Bota mëngjesore, e cila m’u shfaq para syve, m’u duk aq e bukur, sikur ta shihja për herë të parë. Krejt çka më zinin sytë, më mbushte me ndjenjë dashamirësie e rinie. Shpejt harrova se vetëm para pak çastesh në dhomën time, i ngrysur, po shkarrashkruaja mbi një letër të bardhë. Krejt mërzia, krejt dhimbja dhe krejt vramendjet thuajse ishin zhdukur, edhe pse unë ende mbartja në vete një ton serioziteti. I ngazëllyer, isha kureshtar për çdo gjë që do të gjeja, apo do të më dilte para gjatë shëtitjes. Hapat e mi ishin të matur e të prajshëm, dhe kjo më mundësonte të shihja shumë qënie të mrekullueshme. Ma ka ënda t'i mbaj të fshehta përshtypjet faqe hallkut, por pa u munduar me ankth, për një gjë e cila do të më dukej një shkarje e madhe dhe marri e pashoqe.
Nuk kisha ecur as njëzet apo tridhet hapa, në një shesh me njerëz mizëri, kur u ndesha kalimthi me profesor Meilisin, një mendje e klasit së parë. Si çdo autoritet i padiskutueshëm, zotnija e tij, Meilisi, ecte serioz, solemn dhe madhështor. Ai mbante në dorë një bastun shëtitjeje shkencëtari, i cili më kallte datën, e bënte gjithkënd me pasë nderim e përulësi për të. Hunda e profesor Meilisit ishte autoritare, e mprehtë si sqepi i një shqiponje apo skifteri, dhe goja e tij ishte juridikisht e mbyllur dhe e rrudhur. Mënyra e ecjes prej dijetari i ngjante një ligji të hekurt. Historia botërore dhe pasqyrimi i ndodhive heroike të moçme shkëlqenin nga sytë e fshehur nën vetullat e trasha të zotnisë së tij, Meilisit. Kapela e tij i ngjante kapelës së një prijësi të përjetshëm. Prijësat e fshehtë janë më kryelartët dhe më të rreptët. I marrë në tërësi, me qëndrimin e tij, profesori Meilis ngjante i butë, si të kishte qenë e nevojshme me mbartë aq pushtet dhe peshë sa personifikonte edhe shtati i tij, pa marrë parasysh paepshmërinë dhe sertësinë, megjithatë më dukej i përzemërt, dhe guxoj me thënë se për mua njerëzit që nuk qeshin me stil të ëmbël dhe të bukur janë më të sinqertit dhe më të besueshmit. Siç dihet, ka keqbërës që shtiren si të dashur dhe të mirë, të cilët e zotërojnë talentin e tmerrshëm që të bëjnë të pabëra, e të qeshin përzemërsisht dhe gjithë mirësi.
Mu bë se nuhata në ajër një librari me librashitës brenda; pas pak mu shfaq një furrë buke me emrin e gdhendur në shkronja ari. Por në krye të herës më duhet të përmend edhe një famullitar. Një ngasës i biçikletës, apo një mekanik i qytetit me një çehre serioze në fytyrë, që drejtonte një biçikletë krejt pranë këmbësorëve, pra edhe pranë meje e edhe pranë mjekut ushtarak të një shtabi, apo regjimenti. Nuk duhet lënë pa vënë re as këmbësori i thjeshtë; për shkak se ai dukej sikur më bënte thirrje, që së paku të përmendej. Ai dora vetë është pasuruar nga shitja e vjetërsirave dhe zheleve. Me lirshmëri të pashoqe vajzat e djemtë e vegjël shkapërderdhen në dritë të diellit. “Më mirë që lodrojnë të lirë dhe të shpenguar, sepse do t'i lidhë dhe trembë mosha! Dhe mosha t'i lidh duart, medet, tepër herët.”, them me vete. Një qen shuan etjen në ujin e shatërvanit. Më bëhet se dallëndyshet pingërojnë në ajrin e kaltër. Tek-tuk ndonjë zonjë elegante, me fundin çuditërisht tepër të shkurtër dhe çizme laramane dhe me taka të larta, tërheq vëmendjen si gjithçka tjetër. Dy kapela verore, apo prej kashte, bien në sy pak më tej. Ja si qëndron puna me kapelat e meshkujve prej kashte: befas i shoh dy kapela në ajrin e kthjellët dhe të butë dhe, nën këto kapela, dy zotërinj fisnikë, të cilët e përshëndesin njëri-tjetrin me një lëvizje madhështore të kapelës dhe dukej sikur ashtu po i uronin shoshoqit një mëngjes të mirë. Gjatë kësaj ceremonie, kapelat kanë më rëndësi se sa mbajtësit dhe pronarët e tyre.
Në mes tjerash shkruesi është i lutur që t'i kursejë shpotitjet dhe llafet. Nga shkruesi kërkohet që të mbetet serioz dhe shpresojmë se këtë e ka kuptuar njëherë e përgjithmonë.
Atëbotë më tërhoqi një librari shtetërore që më ra në sy për mirë, e qënë, dhe ndjeva një shtytje dhe një dëshirë ta vizitoja sa nuk ngurrova të kuturisja brenda me një mirësjellje të theksuar, me hamendjen se unë dukesha më fort si një inspektor, apo një revizor i llogarive, se sa një njohës dhe koleksionist i mirë, apo blerës i pasur dhe myshteri i mirëpritur. Me zë të njerëzishëm dhe duke u përpjekur t'i zgjidhja fjalët, u interesova për librat e rinj më të mirë në fushën e letërsisë artistike. “A mundem”, pyeta unë me pasiguri, “ta di çfarë ka më të kërkuar, më të shitur, më dinjitoze, dhe, afërmendsh, më serioze të admiruar dhe të blerë më shpejt?”. “Do t’ju isha mëse mirënjohës deri në përjetësi, po të kishit mirësinë të ma paraqisnit librin që ka bërë bujën më të madhe si tek lexuesi, po ashtu edhe tek kritika e frikshme, por pa dyshim edhe e lajkatuar. Mendoj se askush nuk do të ishte në gjendje të vlerësonte më mirë se Ju. Nuk mund ta besoni se sa shumë më intereson, që njëkohësisht të mësoj se cili nga këta libra apo nga këto vepra të grumbulluara dhe ekspozuara, është i penës më të mirë. Pamje kjo, që mua me siguri menjëherë do të më bënte një blerës të gëzuar dhe entuziast të këtij libri. Më vërshon nëpër të gjithë gjymtyrët shtytja e madhe që të njoh shkrimtarin më të preferuar nga njerëzia me shkollë, dhe veprën e tij më të admiruar, kryeveprën më të duartrokitur rrufeshëm, dhe, siç thashë, me siguri ta ble. A guxoj me mirësi t’ju lutem të ma tregoni këtë libër të suksesshëm, në mënyrë që kjo dëshirë e flaktë që ka kapluar tërë qënien time të ngopet dhe të mos më shqetësojë më?” – “Me shumë kënaqësi”, tha librashitësi. Ai u zhduk si një shigjetë nga sytë e mi, por pas pak u kthye te blerësi i interesuar dhe entuziast dhe në dorë mbante librin më të blerë dhe më të lexuar dhe më me vlerë. Këtë krijim shpirtëror të vlefshëm ai e mbante në duar sikur të mbante një relike të shenjtë. Fytyra e tij ishte e mahnitur; çehrja i rrezatonte një respekt plot ndruajtje dhe me një buzëqeshje, siç e kanë vetëm ata besimtarët që e kanë arritur shenjtërimin, e uli triumfalisht atë që kishte sjellë me vete. Unë e këqyrja librin dhe pyeta:
A mund të betoheni se ky është libri më i suksesshëm i vitit?”
Pa dyshim.”
A mund të thoni se ky është një libër që do të duhej lexuar patjetër?”
“Absolutisht.”
A është vërtet edhe i mirë ky libër?”
Çfarë pyetje krejtësisht sipërfaqësore dhe e pavend!”
Ju falemnderit shumë”, thashë unë me gjakftohtësi, e lashë aty ku ishte librin, që pa asnjë diskutim kishte pasur suksesin më të madh të shitjeve, ngase duhej lexuar patjetër, dhe u largova pa zhurmë dhe pa nxjerrë asnjë fjalë. “Njeri i pashkollë dhe i pagdhendur!”, më bërtiti nga pas shitësi tepër i hidhëruar me të drejtë. (E lashë të flasë dhe vazhdova me nge në drejtim të bankës hijerëndë jo larg prej aty, gjë të cilën do ta zbërthej dhe shpjegoj më gjerësisht më poshtë.)
Në bankë, ku mendoja se duhej kaluar për të marrë informata të besueshme për disa letra me vlerë. “Me hy kalimthi në një institut kreditimi, ashtu veç sa për të shtjelluar ndonjë çështje financiare, dhe për të shtruar pyetjet, të cilat njeriu i thotë vetëm në pëshpëritje, është e këndshme si gjë, pa dhe lë përshtypje të mirë”, mendova, ose thashë me vete.
“Sa mirë dhe po na vjen përshtat, që ju vetë personalisht erdhët tek ne”, më tha nëpunësi përgjegjës tek sporteli, me zë të ëmbël dhe, duke më buzëqeshur gati si me shaka, vijoi: “Siç thashë, bëtë gjënë më të mirë që erdhët. Posa deshëm t’ju drejtohemi me shkrim që t’ju informojmë, çka tani mund të ndodhë gojarisht. Një lajm për ju padyshim shumë të mirë, se me porosi nga një organizatë e grave bamirëse, që me siguri ju simpatizojnë juve, ne jo vetëm s'po ju ngarkojmë me Njëmijë Franga, por, përkundrazi, ju kemi kredituar atë shumë, çka për Juve duhet të jetë edhe më e mirëseardhur dhe ne, me anë të kësaj, tani po ua konfirmojmë dhe ju mund ta shënoni menjëherë në kokë, apo ku ta keni qejfin. Na duket se ky lajm gëzon; sepse Ju, nëse guxohet të thuhet, po lini qartë përshtypjen se e keni mëse të nevojshme një ndihmë ekonomike të një natyre të tillë delikate. Qysh sot të hollat janë në dispozicion tuajin. Po shihet se në këtë çast një shend i gjallë po ua lezeton tiparet. Sytë po ju shndrisin; goja ju ka marrë një buzëqeshje të lehtë, të cilën me siguri nuk e keni pasur qysh prej një kohe të gjatë për shkak se ju kanë penguar brengat e shumta të përditshme dhe të shëmtuara, se sëfundmi jeni gjendur në një gjendje shpirtërore trishtimi, ndërkaq mërzitë dhe mendimet e këqija ju kanë rrudhur ballin. Mund t'i fërkoni lirisht duart nga gëzimi dhe jini të kënaqur që disa bamirëse fisnike kanë pasur mendimin e lartë, se është mirë të zbutet vuajtja dhe mjerimi, dhe menduan se një poet i varfër dhe i pasuksesshëm (apo s’jeni pikërisht ju?) do të kishte nevojë për mbështetje. Ju përgëzojmë, pra, për faktin se dolën disa njerëz të cilëve u ra ndërmend për ju, si dhe për atë se ka nga ata që nuk rrijnë mospërfillës ndaj ekzistencës aq të përçmuar të poetëve.”
“Këtë shumën që ma dhuruan kaq papritur me duart e buta dhe të mira këto gra a zana”, thashë unë, ”do ta lë patjetër këtu tek ju, që, qysh tani e ruani më së miri, pasi ju keni në dispozicion edhe arka sigurie që s'duan t'ia dinë për zjarrin dhe hajninë, ku pasuritë janë të mbrojtura nga çdo lloj shkatërrimi dhe rrënimi. Pos kësaj, ju paguani edhe interesat. A kam pse guxoj t'u lus të më jepni një dëftesë marrje? Ma do mendja se do të kem të drejtë që, saherë të kem dëshirë apo nevojë, të vij të tërheq shuma të vogla nga shuma e madhe. Meqë jam edhe nikoqir, do të veproj si burrë i mirë dhe me një okë mend, pra, me një kujdes të përsosur, dhe bamirëset e mia do t'i falënderoj duke ju qendisur një letër me arsye dhe bukuri, dhe këtë mendoj se do ta bëj menjëherë nesër, që mos e lë në harresë. Ka mundësi që përsiatjet tuaja të shprehura kaq haptazi, ndonëse me kujdes, se unë qënkam i varfër, bazohen në vrojtime të mençura dhe të drejta. Por, sa i përket personit tim, mjafton plotësisht që unë vetë e di se ç’di, dhe që unë jam personi që është më së miri në dijeni. Shpesh dukja mashtron, zotëria juaj, dhe prurja e një gjykimi në lidhje me një njeri është më mirë t’i lihet vetë atij njeriu. Askush nuk mund të njohë një njeri që ka përjetuar dhe i ka ndodhur shumëçka, më mirë se sa ai vetveten. Ka pasur kohëra kur jam rropatur nëpër mjegulla me mijëra dyshime dhe telashe, dhe shpesh ndihesha i braktisur. Por mendoj se të luftosh është gjëja më e bukur. Një burrë përsëmbari nuk është krenar për kënaqësitë dhe qejfet, por vetëm tejkalimet e vështirësive dhe përjetimi i vuajtjeve me durim e bëjnë të ndjehet krenar në thellësi të shpirtit. Por për këtë gjë s'ka pse harxhohen fjalët. Cili burrë i besës nuk ka qenë asnjëherë në jetën e tij i lënë mënjanë dhe cilës qenie njerëzore gjatë jetës së vet i kanë mbetur të pashkatërruara shpresat, planet, ëndrrat? Ku është ai shpirt të cilit iu plotësuan mallëngjimet, dëshirat e guximshme, parashikimet e ëmbla dhe të larta për lumturinë, pa ju dashur të humbte shumëçka?
Dëftesa e plotësuar për njëmijë franga m’u dorëzua, ku vetëm personi-emërtar-depozituesi mund të hiqte, apo shtonte diçka, pra, askush tjetër veç meje.
I kënaqur thellë në shpirt për këtë kapital të pikur krejt papritmas si prej qiellit, dola nga dhoma me arka në ajër të pastër për ta vazhduar shëtitjen time.
Dëshiroj, mundem dhe ndoshta mirësisht guxoj të shtoj (pasi për momentin nuk më bie ndonjë gjë tjetër më e mirë në mend) se në xhep kisha një ftesë të bukur, të lezetshme, nga zonja Aebi. Ftesa më shtynte dhe inkurajonte me respekt, që, sidoqoftë, të paraqitem fiks në orën dymbëdhjetë e gjysmë për një drekë modeste. E ndava mendjen t’i përgjigjem ftesës dhe që menjëherë me kohë të paraqitem tek personi i nderuar.
Teksa ti, i dashuri dhe i prajshmi lexues, po e merr mundimin me kujdes, së bashku me hartuesin dhe shpikësin e këtyre rreshtave, të dalësh në botën miqësore në këtë mëngjes, jo me ngut, por me rehati, i kthjellët dhe i qetë, me nge, ja tek po arrijmë të dy para furrës së bukës me shkronja të arta, që e pata përmendur më parë, dhe ja tek ndihemi të prekur, që stepemi të lemerisur aty përpara dhe me trishtim habitemi me gjithë këtë mburravecëri të tmerrshme dhe me këtë fotografi të dhimbshme provinciale.
Papritmas brita: “Për Zotin, njeriu i ndershëm duhet të tërbohet me kësi barbarie me shkronja të arta te reklama e një dyqani, që këtij vendit ku gjendemi ia përplasin karakterin egoist dhe krejt të mjerueshëm. Një zhveshje krejtësisht barbare e natyrës së këtij vendi. A ka nevojë një furrxhi i thjeshtë llafazan të xiglojë në diell me këtë xhongël me këto shkronjat e tij shpotitëse të praruara në ar, si një princ, apo një zonjë e dyshimtë e dhënë pas pastrimit? Le ta mbrujë dhe ta pjekë bukën e tij me nder dhe me thjeshtësinë që i ka hije! Në çfarë bote të rrejshme po fillojmë të jetojmë, kur nga rrethi, gjitonìa dhe opinioni jo vetëm se toleron, por fatkeqësisht edhe lavdëron atë çka fyen çdo njerëzillëk, çdo ndjenjë hijeshie dhe ndershmërie, një ves të sëmurë dhe zhelane për mburrje, e cila nga largësia prej njëqind metrash bërtet në ajrin e mirë dhe të sinqertë: Unë jam filan filani. Unë kam kaq e kaq parà dhe guxoj të jem i pafytyrë dhe të bie në sy në këtë mënyrë të turpshme. Unë pa dyshim jam harbut dhe mashtrues dhe një i pacipë me krekosjet e mia të shëmtuara: por asnjëri nuk guxon të ma ndalojë këtë.”
Po këto shkronjat e arta, shkëlqimtare, shkronja me një shkëlqim të krupshëm, a kanë ndonjëfarë lidhjeje me bukën? Kurrnjëgrimë! Diku, në një qosh të botës, në një çast prej çastesh, kanë filluar këto mburravecëritë, të cilat vërshuan dhe u shpërndanë mjerueshëm, me vrull, duke shkulur e marrë me vete barishtet e këqija, llucën dhe marrëzinë dhe duke e shpërndarë nëpër botë rrokën edhe furrxhiun tim të ndershëm, për t’ia prishur shijen e deritashme të mirë e t’ia minojnë mirësjelljen që e pati pasë të lindur. Do të jepja shumë, do të jepja dorën ose këmbën e majtë, po të isha i sigurt që përmes të këtij flijimi do të mund ta sillja sërish atë ndjetin e vjetër për dëlirësinë, për thjeshtësinë e bukur të kahmotit, po të mund t’u sillja njerëzisë dhe vendit nderin dhe thjeshtësinë, veti këto, të cilat, siç thonë edhe shumë njerëz me keqardhje, me siguri kanë humbur. Djalli le ta marrë atë ngutin e tmerrshëm që ka njeriu, për t’u dukur më shumë se ç'është! Kjo është një katastrofë e vërtetë, është rrezik lufte, vdekje, mjerim, që shpërndan urrejtje dhe lëndime nëpër botë dhe çdo gjëje që ekziston i vesh një maskë të së keqes dhe së shëmtuarës. Dhe ustai nuk mund të më rrejë për Monsieur, as dhe një grua për Madame. Por sot gjithçka u dashka të shkëlqejë dhe të verbojë, të jetë e re dhe e bukur, Monsieur dhe Madame, që është turp i madh. Por mbase do të vijë koha kur do të ndryshojë kjo punë. Dua të shpresoj.”
Do të kujdesem edhe vetë për kapardisjen dhe sjelljen prej burri, siç do ta dalë më poshtë. Se në çfarë mënyre, do të shohim. Nuk do të ishte gjë e hijshme sikur vetëm të kritikoja pa mëshirë të tjerët, kurse veten time ta trajtoja me kujdesin më të madh të mundshëm. Një kritik që vepron kështu nuk është i vërtetë, dhe shkrimtarët nuk duhet ta keqpërdorin shkrimtarinë e tyre. Shpresoj që kjo fjali do t’ju pëlqejë të gjithëve, të zgjojë kënaqësi dhe të gjejë miratimin e përgjithshëm.