Ivo Muncian: Magjia e udhës (Magia drumului)

 

Magjia e Udhës

(Magia drumului)

 

Besoj se do t’ia dalësh mbanë me lehtësi

mes rrjetës prej merimange të ideve –

ato që janë kundër mendimit tënd

do të vuajnë mënjanë

meqë nuk sjellin fat.

 

Do të përshtaten, besoj, rruginat

me hapin tënd të vogël e të fisëm

dhe do të të dhurojnë mundësinë e përsosur të kaptosh udhëkryqin

kanë ato – rruginat –

disa fuqi mrekullibërëse.

 

Afër fundit, me përvojën e fituar

mbase do ta kesh më lehtë

të mposhtësh çdo pengesë

që s’është mjaftueshëm në ujdi

me këto kohërat e reja.

 

 

Rapsodi vjeshte

(Rapsodie de toamnă)

 

O Zot, ishte aq e harlisur

dhe vështronte me aq dhimbsuri rreth vetes

sa trembesha ta prekja edhe me shikim

se mos ndoshta ia turbulloja ëndrrat

 

Dhe ditët kalonin, kalonin

me mua të tërhequr në heshtje

me atë që kaptonte botën mbarë

me freskinë e saj të pafajshme.

 

Koha dukej të kish braktisur

çdo preokupim tjetër

duke i lënë të gjitha në ndryshkje

vetëm për t’ia bërë qejfin asaj.

 

Kur kuptova se ajo as që kish ekzistuar,

qe tepër vonë të ndërroja mendje –

vjeshta më bëri fole në ëndrra

dhe era fishkëllente si humbje. 

 

 

Në fshatin e lindjes

(În satul natal)

 

Si i bëhet që gjithë ditën

s’takova asnjë të njohur

s’njoha asnjë rrugicë

ndër ato ku endesha dikur

si?

 

Si shpjegohet: as kumbari që më ka pagëzuar

s’më paralajmëroi të hap sytë

se janë shtuar qentë rrugaçë

dhe as dyqani me bombone

nuk është më hapur,

si?

 

Më në fund, u ftillova:

as fëmija e treçerek shekulli më parë

nuk ekziston më në fshatin tim të lindjes.

 

Shqipëroi: A.-Ch. Kyçyku