Simona Nicoleta Lazăr: Shtatë poema dashurie (Şapte poeme de dragoste)*


1. I dashuri im nga vendi me flamuj mesjete
(Iubitul meu din ţara cu armoarii)

I dashuri im nga vendi pa gjuhë
nga vendi pa stinë e falje
ma shtrëngoi në krahë heshtjen që gjembon
edhe ashtu e plagosur
duke rrjedhur gjak / mbi dete
me mburoja të holla akujsh të bardhë
çapitem ngadalë si n’ëndrra të frikshme

(i dashuri që sapo kish mbërritur
u shpu sërish në botën e tij prej mjegullash)

i dashuri im nga vendi me flamuj mesjete
në sëndukë paje të mbyllur / fshehtas
ikur është sërish
marrë nga kuajt
një muzg më i ftohtë / më i hidhur

vate në vendin e tij prej flatrash dëboruar
i dashuri im që sapo kish mbërritur


2. Zodiaku nga dashuria kafshuar
(Zodia de dragoste muşcată)

Si të mos zhytem në himera
si të mos shkundem nga fruta të vyshkur
kur dashuria jote është një mburojë
e trallisur nga betejat
dhe fluturat?

si mbi harresat e lëngta
të mos përfytyroj urë prej vese?
Ike me zodiakët e tu
më le vetëm me zodiakun e ri

në pyllin me fier / të brymur
zodiaku nga dashuria kafshuar
  
3 … E në mos ardhsh më
(… Şi de n-ai să mai vii)

Mund të marr trajtën e mëkateve të tua
veshur me vapë
(kurrë me brymë)
do të kisha fjetur në një natë plakë
pranë trajtës së zemrës sate

ose në një të moçme
pasqyrë të trishtuar
thurur me fije dashurie dhe ari
jeta jonë si endet
do të kisha ndenjur të shihja

... e në mos ardhsh
në mos u kthefsh nga botët minerale
do të marr fytyrat e të dashurave të tua

4. Burri im / për të cilin
(Bărbatul meu / pentru care)

Je burri im për të cilin vjeshtës
ndizen në akacje fenerë lulesh
në udhët që lindin zodiakë
vallzojnë hetera prej shkëmbi
në diell

je burri im / për të cilin
koha i ka marrë rrotat e zjarrit mbi shpinë
më shpejt të rendë me ne
në kufij

je burri të cilit i këndoj
si në det
sirenat u këndojnë marinarëve
(këngë kripe)

je edhe burri im
burri im / për të cilin
  
5. Deti prej Alefi
(Marea de Alef)

Arkipelagë guackash / nanuritje sedefi
dhe mjekra algash duke na ledhatuar këmbët
ishim bashkë në ëndërr
në detin prej alefi
duke lënë heshtjet pas / errësirën

më mblodhe nga bregu lule margatitari
m’i struke në shuplakë
stolì e rrallë
unë dridhesha nën hënë
nga dashuria dridhesha
dhe më vare në fytin tënd / gjerdan i brishtë

arkipelagë guackash në detin prej alefi
mbretëria e dashurisë sonë të fshehtë

dhe era nga skajet mbi rërë na solli
të përqafuar / në nanuritje sedefi
  
6. Dhe qeshja / si qeshja!
(Şi râdeam / cum râdeam!)

Dhe qeshja! Si qeshja në rrugët e trallisura nga nata!
u ndaja kalimtarëve të humbur
lule dhe gështenja të kuqërremta
(ti më doje unë të doja / në kështjellë
Ishte teprì lulesh)

nga e qeshura jonë buronte rruga e qumështit
dhe lumin prej yjëzish
e kaptonim me not
(që të mos i paguanim rojes monedhën e përjetshme)
deri në truallin tim prej gjysmë-zane

dhe qeshja! sa qeshja në qytetin e hapur
si një libër me vargje harruar mbi tryezë

dhe qeshnim dhe qeshnim dhe qeshnim me humnerën
duke u hedhur në të / shtëpia jonë e ngrohtë
  
7. Hollakë dhe të dashuruar
(Subţiri şi îndrăgostiţi)

Sa vjeshtë e bukur! i dashur
sa vjeshtë e bukur
Zoti ledhaton barin me kosën e tij zemërbutë

ne jemi hollakë dhe të dashuruar
bari na shmang dhe këndon
Zoti me kosën e tij të ndritshme
bekon

sa vjeshtë e bukur! i dashur
sa vjeshtë e bukur

Shtatë vjershat e mësipërme janë botuar në vëllimin Vjeshta në Kasiopea, Sh. B. Ager, Bukuresht, 2004 / Cele şapte poeme au fost publicate în volumul Toamnă în Casiopeea, Editura Ager, Bucureşti - 2004