Në ceremoninë e promovimit të vëllimit të Ferik Ferrës “Diell i vështirë”, përkthyer në rumanisht nga Kopi Kyçyku, morën pjesë poetë, prozatorë, gazetarë, artistë, përfaqësues të disa pakicave kombëtare, kryetari i Ligës Kulturore të Rumunëve të Kudondodhur, profesor doktor Viktor Kraçun, sidhe personalitete të tjera të jetës kulturore e shoqërore të Rumanisë. Ndodhej edhe ambasadori i jashtëzakonshëm e fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Bukuresht, Dashnor Dervishi.
Duke folur në emër të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe të Shoqërisë Kulturore Shqiptare Haemus, drejtori i Shtëpisë Botuese “Librarium Haemus”, shkrimtari Ardian-Christian Kyçyku, autor i parathënies së vëllimit “Diell i vështirë”, vuri në dukje vlerat e shumta e të mëdha të verbit potik të Ferik Ferrës, duke theksuar se “rrallëherë ndeshet sot një motërzim kaq i dhimbsur e kalorsiak i dy të folmeve të shqipes. Ato gjejnë në poezinë e Ferik Ferrës dy djepa të nyjëtuar si enët bashkërrënjore, si dy binjake që kanë të njëjtën përgjigjje ndaj çdo ngacmimi poetik, por flasin në vend të njëra-tjetrës, ose të dyja njëherazi, pa dëmtuar as kohën, as frymëmarrjen e as jetëgjatësinë e shoshoqes”. Në vazhdim, Ardian-Christian Kyçyku shtoi se “vargjet e Ferik Ferrës sjellin ndërmend një përqëndrim drite, diturie e paqeje që gjendet vetëm në venat e Eposit të Kreshnikëve dhe në poezinë e Alpeve, gërshetuar me lirizmin e përhershëm tiranas”.
Të pranishmit i përshëndeti edhe ambasadori Dashnor Dervishi, i cili, ndër të tjera, nxori në pah vlerat shpirtërore dhe atdhetare të fisit Ferra në përgjithësi dhe të poetit Ferik Ferra në veçanti.
Në fund, poeti Ferik Ferra ua dhuroi të pranishmëve me autograf vëllimin e vet “Diell i vështirë”.
Në stendat e Sallës së Pasqyrave, ku u zhvillua veprimtaria e lartpërmendur, ishin vendosur ekzemplarë të librave të shumtë që Shtëpia Botuese “Librarium Haemus” e Shoqërisë Kulturore Shqiptare “Haemus” ka nxjerrë në dritë në rumanisht e në shqip gjatë viteve të fundit.