ION D. SÎRBU: Izma / Isme

Përmes vdekjes, ajo që është universale në unin tonë i rikthehet, ose i shtohet njësisë, ashtu siç bula e vesës kthehet në oqean...

Vetëm kush di të vdesë meriton të jetojë!

Pushteti është gjithmonë i djathtë. E majta mbetet e majtë vetëm për aq kohë sa ëndërron, ose lufton për pushtet; me ta shtënë në dorë atë pushtet (dhe në rastin e saj s’mund të jetë fjala veçse për pushtetin Total), dalngadalë, falë qënies së gjërave (dhe të njerëzve), ajo kalon, qetë, por me siguri, drejt së djathtës (nacionalizëm, shovinizëm, autoktonizëm, protokronizëm, ksenofobi). Nga ky çast, tek e majta nuk mbeten veçse vejushat, jetimët, librarët vetmitarë, disa ish-mësues, shumica e komunistëve naivë, tepër sentimentalë, ose tepër të kulturuar.

Mbase Historisë, konceptuar si një lumë i kujtesës kolektive, i shpëton, gjatë çasteve të veta të mjegullta, nga një fletë në erë; dhe atëbotë, ajo fletë e harruar, tashmë e jetuar, mund të na fanitet si ndonjë vegim, vizion, zgjidhje përfundimtare... Për shembull, duket se tani po jetojmë duke rijetuar një kapitull nga epoka fanariote.
[Nga interneti]