Vasile Andru: Mjeshtëria e të menduarit (Meseria de a gandi)

Vasile Andru (lexohet: Vasíle Ándru, pseudonimi letrar i Vasil Andrukoviçit; n. 22 mai 1942, Bahrinești, Rădăuți, sot Ukrainë, 22 maj 1942 - Bukuresht, 21 tetor 2016), prozator, dijetar, eseist dhe isihast* rumun, autor, mes të tjerash, i Nusja vjen me mbrëmjen, Arkeologjia e dëshirave, Nata e perandorit, Kulla, Mali i kalvarit, Një gjithësi me një dalje të vetme, Zogjtë e qiellit, Parajsa më e largët, Jetë dhe shenjë, Terapia e fatit, Mistikë nga Karpatet, Histori dhe fshehtësi në Malin Atos, Takime me mjeshtra e vizionarë, Isihazmi, ose mjeshtëria e qetësimit. Ka qenë anëtar i Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë, i European Academy of Performing Arts dhe i disa institucioneve të tjera të rëndësishme.

Në fillim një anekdotë. Një mësues thyen një degë shelgu para nxënësit. Pastaj i kërkon: ”Më përshkruaj çfarë bëra në këtë çast. Çfarë bëra?” Nxënësi përgjigjet: „Thyet, me veprime të shpejta, një degë të gjelbër”. Mësuesi e quan dembel në të menduar, të joshur nga përshkrimet dhe të paracaktuar që të huajsohet. Nxënësi kërkon një mënyrë tjetër për të ‚përshkruar’ gjestin e mësuesit. Ai jep shumë përgjigje shpjeguese, por mësuesi mbetet gjithmonë i pakënaqur; më një fund, nxënësi kupton se përgjigja e saktë do të kish qenë: të marrë (nxënësi) një degë shelngu dhe ta thyejë.
Me një fjalë: mund të shmanget e folura, e cila krijon realitete të dorës së dytë dhe na largon nga thelbi. Filozofia praktike ka parapëlqyer ta kuptojë veprimin përmes veprimit, dhe objektin përmes identifikimit me objektin, jo përmes koncepteve. Jo me shpjegim, por me njësim. Jo me përshkrim, por me rijetim. Përtej koncepteve. (Nuk di nëse  Wittgenstein-i ka ditur diçka për Hui Nang-un kur ky ka shkruar: „Ajo që mund të tregohet, s’mund të thuhet”). I mençuri ka synuar gjithmonë ta verë në jetë mençurinë, jo të filozofojë rreth saj.

Për një kohë, filozofia praktike shihej si tipar i Lindjes. Por ajo është veçanësi, siç shohim, e një niveli të mendimit, që arrihet përmes një disipline të qetësisë, pavarësisht nga hapësira gjeografike. Ajo është më fort një veçanësi e njeriut jokohor, të njësuar, e njeriut të shpirtëzuar në nivele të larta. Vërtet Lindja e ka çmuar më shumë këtë lloj njeriu dhe e ka kthyer në një ideal të kërkimeve... Por, mes kësaj, nuk e ka përvetësuar plotësisht dhe përjashtueshëm. Vjen vërejtja: Por janë, megjithatë, disa dallime mes Lindjes dhe Perëndimit! Për shembull, në marrëdhënien subjekt-objekt është vënë re se Lindja shtyn drejt njohjes përmes njësimit, shkrirjes, ndërsa Perëndimi mjaftohet me dallimin.
Një ecuri e optimizimit njerëzor ruan sidomos pikëtakimin mes shpirtrave. Ai që praktikon optimizimin fiton perspektivën e pikëtakimit. Çdo dallim Lindje-Perëndim zhduket gjatë praktikës. Vetëm një perspektivë didaktike, teorike, e historizuar, ndan mënjanë dallimet, dhe atëhere arrihet në laguna kulturore dhe paragjykime etnike. Mbajtja shënim e dallimeve nxjerr në pah mangësitë e praktikës dhe dobësitë e teorisë.
Në rrafshin e përmbushjes apo të Përsosjes shpirtërore nuk ka pasur kurrë dallime të mëdha, pavarësisht në ç’sistem kulturor rritej njëri apo tjetri.
Në mungesë të përmbushjes, shfaqen dallimet. Kësisoj, Evropa njihet si praktikuese e mendimit dyskajor (bi-polar), që e ndan subjekt-objektin gjatë njohjes.
Sot vihet re se në mendimin evropian po kryhen disa ‚ndreqje’. Alan Watts-i shkruan se tek perëndimorët është zhvilluar mendimi relativist. Po shtojmë se ka fituar mjaft truall mendimi i ‚dorës së majtë’, mendimi sipas kategorive dionisiake. Sot një perëndimor nuk befasohet prej një parim të tipit ‚rrjepu (zhvoshku / zhvishu) nga e menduara’. Ky parim nuk minon kultin e të menduarit, siç mund të duket, por e forcon atë. Ai të këshillon t’i shkatërrosh kushtëzimet mendore dhe shqisore, për të fituar freskinë e përftimit dhe qartësinë e gjykimit.
Ch. Humphreys shprehet se njeriu mund të shpëtojë nga çdo armik dhe nga çdo shqetësim: „e vetmja gjë të cilën njeriu s’mund ta shmangë gjithë jetën është ideja e paragjykuar”. Të rripesh (zhvoshkesh / zhvishesh) nga e menduara domethënë të luftosh kundër zhurmës parazitare mendore, me paragjykimet, me automatizmat psikikë. Të luftosh me stereotipitë e mendimit, me një mekanikë verbale, me gjurmët e hershme apo të freskëta që kanë mbetur në psikikë. Të arrish të kesh, më në fund, një ekran mendor të pastër, ku të projektohet një rrjet i pasur dijesh e të dhënash.
Mund të shihet se Rumania nuk e ka përjetuar betejën mes dy skajeve të kulturës (skaji Lindje dhe skaji Perëndim). Mbase ngaqë ajo ndodhet, gjeografikisht e shpirtërisht, mes Perëndimit dhe Lindjes; njëri nga ujqit tanë etnogjenë është latin, tjetri – aziatik...
Tjetër shkak i mungesës së konfliktit është një lloj pranimi, i heshtur dhe i fortë, i një gare përmirësimi, përherë të rrezikuar nga etja për çlodhje, përherë e rinisur nga etja për të qënë.

Shekulli XXI do të jetë një shekull i kërkimit të qartësisë së plotë mendore. Kështu njeriu do t’u japë një kuptim sprovave apokaliptike që do t’ia kërcënojnë eksistencën në Tokë.






* Praktikues i Oratio Mentis, ose Lutja e Zemrës, Lutja e Jezusit (Κύριε Ιησού Χριστέ, Υιέ Θεού, ελέησόν με τον αμαρτωλόν / Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, mëshiromë mua mëkatarin). Isihia rrjedh nga isychia – qetësim, gr.

No comments: