-->
Jo vetëm me mend
por edhe i bërtita me sa pata në kokë:
"Bajgë, krimb, tutkun!"- kështu
e shava atë xhelat të pagdhendur
që shkeli thelbin e patundshëm të proverbit
"Koka e falur nuk pritet",
kur ai preu një kokë të falur,
madje tepër, tepër të falur...
"I metë, budalla, - i klitha -
ç'pate që shkele traditën etike
të popullit tonë
duke shpërfillur një nga proverbat
kombëtare?!"
Dhe si mendoni që m'u përgjegj xhelati? Se
"në hapësirë jetohet
në kohë vdiset
dhe kurrsesi nuk është e mundur ta përmbysësh
këtë raport- domethënë
rokada është e përjashtuar dhe pra
e pashpëtueshme nga mbreti
në lojën e jetës që mund të ishte
një spektakël i shenjtë
apo vetëm diçka absolutisht e rastit
dhe thjesht vulgare", më tha
proverbshkelësi
duke mos ngjarë aspak me një të metë, përkundrazi-
dëshmoi se ishte një xhelat tepër i kulturuar.
Operacion në zemër
... Dhe gjetën në zemër
thellë
dy flatra të mëdha
të palosura...
Që prapa gardhit
Përmbi gardhin e Parajsës së humbur
të poshtëruarit thonë lutjen me zë të lartë
që nuk honepset nga Providenca:
Na rivllazëro, o Zot, neve
të çvllazëruarit
që kemi kafshuar në zemër
si mollën
e sherrit...