-->
Asnjëherë vjeshta m’e bukur s'ka qënë,
Si për shpirtin tonë, që vdekjen s'e njeh,
Shtrojë faqezbehtë - dheu mëndafsh-hënë,
Drurët sikur grinden me të hirtat re.
Grumbull rrinë shtëpitë, njëlloj si bucela,
Vera është trashur në fundin thjesht baltë,
Jam në breg të kaltër të lumit me vela,
Nga ku kemi pirë arin porsi mjaltë.
Zogjtë e zinj po ngjiten tej në perëndim,
Si një gjethe e ligur e të shenjtit bli,
Shkoqin, tek përshkundin lart, në fluturim,
Krahët frymëmarrës në aq kaltërsi.
Cili do të qahet, cili do të qajë,
Vjen për t'i vënë veshin ngasjes gjë a gjëzë,
Plepat - sy drejt qiellit, ndezin një flaknajë,
Hija e tyre hijen e gropos në rrëzë.
Mes dy netësh
Në dhomë e ngula vrrullshëm lopatën e mprehtë,
Përjashta frynte era dhe shiu ish i shpejtë.
Gërmova në krejt dhomën, jo pak, në thellësi.
Përjashta frynte erë. Përjashta binte shi.
E hodha nga dritarja, nga gropa dhenë e zi.
I zi ishte vërtet, e kaltër perdja e tij.
U ngrit deng gjer në xham, u ngrit dheu lirisht.
Sa bota ngjiti majën, në majë qante një Krisht.
Gërmo, gërmo, u thye sakaq lopata e shkretë,
Në kockat si prej guri të Tij, të Atit vetë.
U ktheva nëpër kohra, u ktheva në pikënisje,
Në dhomën krejt të zbrazët, mërzitse, në vithisje.
Dhe desha atëçast të ngjitem gjer në majë,
Një yll në qiej endej. Ish vonë në qiellin pllajë.
Sapo kishe ikur
Sapo kishe ikur. Të shkoje të luta.
Me sy po të ndiqja, ndaj shtigjesh u futa,
Gjer humbe larg, tutje, tërfilit me erë,
S'i ktheve më sytë nga pas asnjëherë!
Një shenjë do jepja kur tej ikje ti,
Po ç'është shenja-hije në aq largësi?
Ah, desha të ikje, por edhe të rrije.
Mendimin e dytë, me ç'duket, s'ma dije.
S'të ndali për fat, jo, mendimi pa zë.
Përse ike, vallë? Po pse të rrish më?