TRAIAN T. COŞOVEI (1954): Mjeshtrat e durimit


-->
Ah, fëmijëria ime i ka parë mjeshtrat e durimit
duke ngrohur duart në flakën e vajzës me shkrepse
dhe vetminë më të pacipë
si e shkruante emrin në mure
me një thikë në trajtë peshku.
Dikush duhet të vijë në zemrën e gurit - thosha.
Dikush duhet ta lustrojë gjakun si armën
dhe dikush me një gërshërë argjendi
ta qethë gardhin e gjallë të dashurisë.
Vetëm shënja në xham, amerika të zbuluara në
bëlbëzimin e dëborës - vetëm dridhja e gishtave mbi
shkëlqimin verbues të dëborës.
Shurupi i vdekjes sate ngulte në dritare hekura prej dhëmbësh gorille
dhe dikush që duhej të vinte
të lexonte në gjelbërimin e gjethes diçka për të qënë,
në qafën e gjirafës - dikush që duhej të më dëgjonte
në qetësinë më shurdhuese.
Ndofta pikërisht ti, që thurr shalle për të varfrit,
ndofta trupat e të dashuruarve që thurrin një frazë;
ndofta brilantina me të cilën marrëzia e shtron flokun,
ndofta ti, që dëgjon pincën e erës
që shkul nga çatitë vetulla e zëra,-
ti, që më rrëfen mbi tavolinë syzet e të verbrit të madh të pulave;
ti, që më pret nga letra e gazetës
puthje të ëmbla në një botë të çuditshme.


Pleqëritë e një djaloshi të urtë


Edhe unë dikur kam qënë një djalosh i prapë.
Kam filmuar, kam pirë, kam qëlluar në xhame prej gjaku
me zemra të sfilitura, prej guri.
Kam mbajtur nëpër gojë kofshët e vajzave të lagjes -
U kam ngritur hallka pëllumbave, hallka të rënda prej hekuri
fjalëve dhe bukurive,
Kam pasur paturpësinë të dëgjoj gjer në fund
rrëfimin e një mijë e një jetëve.
Pronaren plakë jo unë e shtyva nëpër shkallë.
Në pasqyrën e ashensorit jo unë shkrova një fjalë tepër të vockël.
Mund të kisha pasur një zemër të madhe. Mund të kisha pasur
një gjak xhuxh.
Me grushta kam nxjerrë vetëm grumbuj monedhash
në telefonat publikë.
E kam lyer trupin me zëra, frymëmarrje, buzëqeshje të dyshimta
të ardhura nga net dhe mjegull, nga humnera, nga gremina...
Kam qënë fëmijë i prapë.
Gishtat e mi kanë prekur diçka të paqartë, ndërmjet sëpatës dhe xhelatit,
flokët e mi të verdhë kanë ëndërruar edhe flutura e piramida -
të thithin parfume nga Trinidadi, kurora dhe gjerdane.
Duart i kam djegur në mirazhin e viseve të nxehta.
Duke bredhur nëpër botë, kam qënë fëmijë i keq dhe leshverdhë
i shpresës për të qënë, i dëshpërimit që pata qënë.
I harruar nga të gjithë, në papafingon e një buzëqeshjeje mësova
përmendësh rrëfenjën e një mijë e një netëve.

(Shqipërime nga Kopi Kyçyku)