1
Shkëputje nga dheu
Mundimet e shpirtit
Turren mbi trup
E ndjej tek paqja godet fort zemrën
Dhe si plumb rjedh ndër vena
Qarkullim i heshtur
Ka rrahje të forta
Kur shpirti shfaqet
Dhe hekur të shkrirë hedh mbi trup
Të kujton se ky mish
Është i dheshëm
Dhe yjet fshihen, dhe era nuk të rreh.
Kur tufani i madh të ka marrë
Dhe mikja ime në krah më flet
Tek gjendem në botën e nxehtë
Ku hijet janë të pa shoqëruara
Dhe dielli, hëna s'frymojnë jetë
U enda për pak çaste
Në botën e Hadesit
Shpirti im ish bërë një
Me tokën e nxehtë
Me hijet e vetmuara
Me zjarrin përvëlues
Me ty
Me mua
Dhe të ftohtin ndjeva të më prekë
Dhe një shtytje më ktheu mbrapa
Në mundimin e shpirtit
Në endjen e trupit në pluhur.
Bucuresti 2009
2
Brenda strukturës,
ku ngrohej ëndrra jonë
Hapet porta,
Hyn zbehtësisht e ftohtë
Struktura, brënda palltos sate
Rrëmoj thellë në të shkuarën
Në vegimet e mia të pakta fëmijnore
Plot vesë e pafajsi
Vështirë se ngatërrohen
Me terrin brënda meje, tani.
E kujtoj atë vijë të drejtë,
Të përcaktuar,
Që humbi.
Tiranë 2009
3
Mungesë e peshës,
Tym i rënë përtokë i rëndë,
I shpërndarë rreth fytyrës së varur prej hiri.
I afrohem dhe largohem, por largësia gjithmonë më rri pranë,
Është e vdekur kjo ndjenjë e pastër prej drite.
I shmangem këtij dielli sundues që brënda enëve të gjakut rri,
Doja ta takoja atë fytyrë prej hiri që hije largët le pas.
I afrohem në rrugët e errëta, po vetëm hijen arrij t’i shoh.
Koha ka krijuar një horizont prej mishi,
Dhe brënda kësaj kornize zhvillohen ngjarjet e historisë.
Ështe e ndaluar ta kalosh atë kufi të menduar,
Të prekësh boshtin bosh prej ajri.
Tiranë 2009
4
I
egërsi e trishtuar
verbuar bri cepit të hënës së thyer
shtrohet rrugëve me hijen lidhur në thembrat e sandaleve.
kërcitje dhëmbësh
parashtrohen si ushtri me nota muzikore të mbytura në erën e gojës
endja është përgjumur thellë në provincat e diellit
i cili në mesnatë ka shtrirë krahët e vetë tjetërkund
damarët e gjakut janë varur në lavaman dhe kthjellët pikojnë vesën e agimit
duke vështruar me habi
dhe kontrolli nis nga nervat qëndrorë të trurit drejt nje marshi funeber.
II
në dyqanin e antikuarëve në qëndër të qytetit dëshiroj të blej
një zemër me pluhur preardhjeje
lënë prej kohësh nga një poet i vjetër simbolist
kushton shtrenjtë për mua
për ty ndofta jo
por ty s'ka ç'të duhet.
III
kaloj përtej bulevardin e mendimit dhe hyj në shtëpinë tënde prej gome
sdi pse ndjenjën ndjej të pranishme aty.
Tiranë 2009
5
Mjaltë i ëmbël është nektari që marr nga goja jote,
Gjinjtë e tu si dy kodra, gjelbëruar dhe plot vesë,
Lëkura e njomë dhe e ftohtë si çaj kamomili kurmon.
I kthjellët trupi yt, i brishtë plot dritë
Trajta të pacënueshme
Struktura të thjeshta si kub, trekëndesh, reth... Je ti,
E bukur dhe e qetë, plot mirësi zgjuarësie,
Si afsh i ngrohtë parfumi yt,
Një ëndërr profetike shoh,
Përtej skajshmërisë sate
Si valë deti më ledhaton.
Mundohem te zgjohem,
Mundohem.
Tiranë 2008
6
Jo gjithmonë nata është e errët.
Dy trupa shtyhen fort, mundohen në mënyrë abstrakte
Mishi trupit epshin fal në errësirën pa hënë
Ta varim hekurin e rënë mbi zemrat dhe yjet t'i fikim
Qelqet s'e kanë më shkëlqimin e butë të verdhë
Tregëti trupash, aromë dheu i vjetër,
Kënaqësi skeletesh të verdhë
Alfabeti i dashurisë Tënd mungon o Zot i brishtë
Harrove të na falësh ëmbëlsinë dhe aromrat e Tua
Dritën e vërtetë prej dritës Tënde
E humbe durimin me ne
Dhe në humbje na le si trashëgim pavetëdijen
Më kot dy trupa shtyhen pa reshtur,
Mbetesh një UN i rëndomtë Krijues i Abrahamit dhe Moisiut
I Noes dhe i Lotit, i mëkatit dhe mëkatarëve
Dhe ja, lidhe dy trupa tokësorë, në bazë të virtytit dhe shëmbëllimit Tënd
I le dy trupa të humben në hapesirën e epshme bërë prej teje
Pushtetin, lavdinë dhe dritën i mban mbi tryezat e tua të bollëkut si zbukurime
Dhe me frutin tënd të vjetër mbarse botën dhe të vdekshëm na bëre
Po ku je, ku strukesh në orët e vona dhe shpëtim s'më jep
Të kërkoj në qiell ndër banesat e tua madhështore
Dhe ja, të gjej në tokë midis të vdekure duke i dhënë shëmbëllesat e tua të fundit.
E përdhosa tempullin tënd dhe e lashë në ikje
Asnjëherë këshillat e tua si mora të kaltra
Të lashë të harrohesh, të harrosh përjetë harresës tënde për ne.
Tiranë 2009
7
Ti nuk e di se unë netëve zgjuar rri dhe me vështrimin tim të përshkoj çdo damar
Dhe reagimet dhe shqetësimet e tua kur ti në tjetër botë të errët a të bardhë je
Ti nuk e di se kjo natë gjumin ma ka vjedhur dhe ty të ka lënë si frymëzim.
Ti nuk e di se vegimet e mia më shfaqen ende pa i mbyllur sytë nga hëna e kurmit tënd
Dhe ti në botën e ëndrave male dhe fusha me dëborë plot ndjen dhe ke ftohtë
Ti nuk e di se yjet një nga një filluan të shuhen dhe dielli herët krahët do shtrijë mbi qepallat e mia të plumbta.
Ti nuk e di në je a s'je me mua tek lehtaz ledhatoj me shpirtin tim lëkurën tënde të pastër
Dhe shoh se si ata sy çregullisht lëvrinë tek shohin të tjera gjëra tej vetmisë sime
Ti nuk e di se heshtur gjumin buzë shkëlqimit të xhamit ma ke varur dhe diellin pres të të ngrohë.
Unë e di, se dëshirë kam, zgjimin tënd të pres, plot aromë shpirtin të më mbushë.
Tiranë 2009
8
Shkëmbin e rrahu fort dallga e detit
E thau dhe e roniti dielli për vite me rradhë
Era copëza të vogëla i merr dhe si pluhur mbi hënën e detit i hedh
Në kohë të nxehta a kohë të ftohta i zhveshur dhe prapë i zhveshur qëndron me hirin e tij
Kaluan dhe u shkëmbyen, e panë nga larg e nga afër, e prekën dhe e shanë
Breza të tërë peshkatarësh i ndejtën pranë, rrjetat i ndenë dhe rrobat vunë të thahen
I dhanë dhe i morën kush një gur e kush një shkëlqim të kaltër,
E megjithatë, ai diellin e agimit pret i patrembur ta shohë dhe lëmyshqet
ngjitur si hije pas këmbëve t'ia ngrohë.
Tiranë 2008
9
Hingëllimën e fundit të rrugëve qielli gëlltiti,
Mbi gjakun e heshtur të ngrirë, të kuq,
Mbi fushat e nëmura të brengës, mendime të lagështa mbolli.
Qielli i vrenjtur plot me dritë të purpurt mendimit i hoqi skeletin,
Dhe me mishin e tyre dhe beton prej uji paqe të ngopur krijoi.
Fshehtësia u shfaq ndër fshetësitë dhe feja fenë zbuloi,
Kulla e Babelit mbi eshtra u ngrit, dhe themele
Prej hekuri të kuq ndërtoi.
Ika tutje, të gjej gjuhën time, armiqtë i lashë në rrugën me lule prej plumbi
Në ujrat e freskët kërkova të shoh fytyrën time që
Me retë ngatërrohej dhe si pluhur shformohej. Kështu
U përkula para altarit tim,
Altar i besimit të vetëm,
Dhe mbi jetën e zgjatur dhe të humbur krijova një zë të kthjellët si vesa.
U ula mbi qepallat e zjarrit të vonë, dhe qiellin e purpurt përlyer me gjak
E mora mbi altarin tim ta ngroh dhe këngë i këndova me ndjenjat e mia
Të gjata, në pyllin me pllaka dhe mure prej ëndrre,.
Një shirit i madh prej gome të zezë
Ngjiz të përzhitur një formë pa trajtë si qënie njeriu.
Tiranë 2009
10
Llampat ndricojnë mbi telat e rëndë që rëndesën e qiellit thyejnë
Yjet e treturr rjedhin poshtë mbi çatitë e zymta llamarine
Hijet e shumta lozin valle mbi njerzit kalimtarë
Hipin mureve të mpiksur
Në eshtrat e dritareve përthyhen dhe shkojnë në brendësi
Në tavolinat e gëdhendura me vdekje dhe humbje, mbi gjellët e ngrohta
Nata gjumin ka gëlltitur në fytin e saj të çjerë
Dhe heshtur përtyp çdo kujtim
Dhe në heshtjen e natës retë po shkelin.
Arkitektura e shkëlqimit psherëtin në fluturim.
U ndërtuan prej kohësh pallate prej guri e mishi, në formë kuboiti, pa shkallë
Vunë mbi kufijtë e vet shtazarakët gjemba, shtazarakët për të ndaluar
Dhe fanarët e gjatë dallimet na shfaqin mbi kokat tona
U lind nga kjo natë pluhur i ndryshkur ndriçimi dhe tinëz
U përdrodh ndër mushkritë tona prej plumbi.
Dhe duart i nxorëm nga trupi, këmbët i shkelëm dhe brinjët i hodhëm në tokë të mbijnë
Dhëmbët i shkulëm, gjerdanë për zonjushat prej bakri i bëmë
Dhe qamë të gjymtuar nëpër rrugët e botës të gjenim gjymtyrët
Por përpjekjet tona ishin nën erë.
Gjymtyrët ishin njëlloj, të mijat dhe të tuat me të tyret.
Viganë të uritur u sollën këndejmi dhe shtypën çdo hije në ecje
Dhe telat e varur për shpresat tona si gurë të çmuar i vunë në trup
Mbi çatitë e zymta u ulën, u çlodhën, ushqimin tretën
U ngritën dhe gishtat i zgjatën, brenda grykës tonë i shtrinë
Na nxorën prej andejmi çdo zorrë prej bakri,
Me kockat e njoma ndërtuan ushta dhe ushtarët pajisën për luftë
Lëkurat e dobta që era i përplasi ranë poshtë
Dhe ngritën kështu rrugë, trotuare, një qytetërim.
I heshtur mbi shkallët e mija po ri
Vështrimin gjithkund e lëshoj të lire në nuancat e kohës
Dhe viganët e lartë, përbindësha të djallëzuar me njëqind sy në stomak
Njerëz përtypin, në heshtje e zi
Edhe në këtë orë të vonë të natës.
Tiranë 2009
11
Të besoj në fjalët e mija shpesh e kam vështirë
Ndaj si bojë shpirtin le të rrahë në bardhësinë e patrajtë
Me gjurmë gjaku të zeza të njoma shoh tek mpikset e trashet,
Dhe në virgjërinë e fushës së bardhë të damkoset
Nga dejet e damarëve rrjedhin e mbushin këtë tubet të zi
Dhe varur mbi trup të ngrira rinë
Dhe nata e thellë zgavrat e syve më mbush
Me yjet shuar që përtej kafkës lodrojnë dhe në ajër peshë më mbajnë
Ndaj dhe nga enët e gjakut kam frikë mos përsëritem përditë
Dhe përditë i njëjti njeri lindet mbi tokën e bardhë,
Prej bakri lëkura ime më pushton fort muskujt
Dhe muskujt prej bronzi, eshtrat prej hekuri lidhin
Si burg i sigurisë më të lartë i formuar ky trup mban
Një frymë të heshtur ngjitur me luspa argjendi
Shpesh fjalë të ftohta prej qelqi thyhen mbi mua
Dhe frymëmarrja e ngurtë që thith më trazon
Ndaj ty të vështroj tinëz me sy të mprehtë, e përpiqem
Të hyjnizoj qënien tënde të lirë, të shkujdesur,
Kur unë si mallkim erdha mbi këtë tokë
Që netëve muret e rënda të përcjell me shkëndija zjarri që ngrihen në qiell
Dhe shuhen, humbasin përtej hapësirës
Si ky zjarr përvëlues në gjoks nuk doja të kisha
Për mallkim a dhuratë.
Tiranë 2009
12
Me padurim drita pret të dalë nga rezet e diellit dhe të përthyhet rrëzë maleve
Të prekë qëndrueshmërinë e fushave të kthjellta dhe të gëlltitet deri tej poshtë humnerave
Deti dallgët i përplas me forcë ujore dhe në gjoksin tim ngjan se hyjnë
Dhe era i tund dhe i hedh mbi hijet njerëz, përpara se hijet e mëdha të reve të vijnë.
Kërcitjet e degëve që drejt vdekjes shkojnë dëgjohen me përtesë dhe rënkime.
Tokën që këmba shkel dhe gjurmën e shkeljes le të vdekur ecën drejt padrejtimit
Nga flaka e diellit dhe hojet e avullit lind dhe rritet lehtaz gjelbërimi dhe bota
E cila anasjelltas ngutet dhe vdes në verbim të shohë më tej
Rrufetë presin të godasin dhe në shkëmb të bardhë të shndërrohen
Dhe pastaj perëndimi hijen time përcjellin në terr
Dhe me perëndimin vështroj se si perëndojnë portat e qytetit
Dhe vështroj se si gjithcka në hapësirë humbet dhe i drojtur pres
Agimin nga lindja të lindë sërisht.
Tiranë 2008
13
Të tërbohet heshtja kur takat e tua të puthin dyshemenë e drunjtë
T'u thyhet zemra të gjithë burrave kur në shtrat të biesh e zhveshur
E marrosur hëna të zbresë dhe me smirë të vështrojë dritën e kurmit tënd
Yjt vdiqën, nga shkëlqimi yt ranë një nga një duke u shuar
Pranvera si një gjethe e vyshkur thinjet dhe me lot sytë tek ty hedh
Dhe bota tundet sa herë ti shfaqesh në hapësirë
Hebrenjtë besimin kanë ndëruar dhe adhurimet ty t'i këndojnë ,
Ti je perëndesha e tyre
Lufta ka ndalur, të gjithë, çod gjë, të vështron parreshtur
Dhe heshtja do tërbohet
Dhe zemrat do thyhen
Dhe hëna dhe yjt do vdesin
Kur ti e dashur në shtrat të biesh e zhveshur
Dhe lehtas të më puthësh.
Tiranë 2009
14
Dhe kam një zjarr në gjoks
Kam një zjarr në gjoks
Një shpirt të përvëluar
Dhe fshehur dot s'e mbaj
Se ëndrat kanë mërguar.
Se çdo natë për mua
Yjet mban të shuar
Dhe dita ime e plotë
Diellin mban larguar.
Me bëhet sikur
Drejt universit shkoj
Ëndrrat të rilind,
Yjet të gjelberoj.
Por tok me hijen time
Po pijmë nganjë gotë
Dhe zemra ime e gjorë
Ma kthen në ujë të ftohtë
Dhe rreshtur më kujton
Se jam çmendur.
Bucureşti 2009
15
(Mos më gjykoni, nëse...)
Mos më gjykoni, nëse
Ju kam mashtruar
Falmëni që gjymtyrët ju mora
Dhe nga jeta ime ju dhashë.
Dashuria ime është larguar
Tejet ku ju s'mund të vini
Ndër yjet e flakëruar.
Hedh hapat e mi në hapësirë
Dhe pas ju lashë të gjithave
Ndaj ju
Mos më gjykoni, nëse
U duka për ju gjithmonë i huaj
Doja në pasqyrimet e mia
T'ju falja kuptimet e munguara të fjalës
Do doja që lulet t'i ndjenit
Qoftë edhe pa u ditur emrat.
Të flinit me mua mbi hënën e trëndafiltë
Dhe botës vështrimin t'i hidhnit
Doja të më kuptonit, si
Dhe përse unë e bëra dhe
Nuk e bëra atë apo këtë
Por s'mundem, ndaj
Falmëni dhe mos më gjykoni.
Bucureşti 2009
16
METAMORFOZA
Duar të mbështetura mbi tavolina gri
Dy duar
Tavolina pis
E njëjta ngjyrë me fytyrën e tij
Përpara një fibër çeliku e kalbur
Përdhe pikon lagështi
Dy llampa të vakëta
Verbim
Duart mbi tavolina nuk lëvizin
Vazhdojnë të jenë të ngrira
Asgjë s'ekziston më, në çdo tavolinë gri
Në çdo shtëpi kocka edhe njerëz
Për çudi flasin dhe heshtin
Nuk kuptojnë.
Tiranë 2006
17
U përpoqa të qetësoja rrëkenë
Pata vendosur t'i qëndroja larg
Ishte aq e fortë, kaq e heshtur
Nuk doja ta prishja.
Ndoshta disa zogj pinin ujin e saj të kaltër
Vendosa ta mbyll brënda, ta marr me vete dëshpërimin
T'i shfaqem përpara i urtë e i ftohtë
Noshta kjo rrëke po vrapon drejt plepit të lëkundur
U ktheva në fije hekuri dhe ujë
Me vaj nga altari i shenjtë u leva dhe
Iu afrova udhëtarëve, ballin tu ledhatoja
Rashë poshtë, ishin ujra të turbullt
Dhe pëllumba të zinj kish në qiell.
Bucureşti 2008
18
Kolona hekurash
Mundohen të prekin qiellin
T'i shpjenë dritën e tyre të vdekur.
Në rrënjët e tyre ndriçohen portrete
Portrete fëmijësh, të gjallë a të vdekur?
Zbehtakë
Përkëdhelin vetveten
Duke u ngrohur nën hijen e natës
Pastaj ngrihen dhe ecin lehtaz
Mbi kalldrëmet që hapin gojën për t'i kafshuar
Dritat lart janë ndezur
Poshtë, rrënjët e tyre
Po kalben
Jeta që gojë të fliste s'kish
Lart, llampat fiken
Poshtë, rriten eshtra.
Tiranë 2005
20
Tretem përsëri i vetmuar në praninë tënde
Je kaq pranë dhe kaq larg
Peshën e ajrit të rëndë nuk e thyejmë dot
S'kemi forcë
Dëshirë s'kam t'i bashkohem natës
Po s'kam dëshirë as agimin të pres
Dhe të më kujtojë se yjet janë shuar
Dhe orët e rënda m'i plagosën gjymtyrët një nga një
Të tkurrem në shtratin tonë është e kotë
Te dy kemi ikur
Dhe fjalimet tona mbetën të varura në mur
Kujtimet tona të jetuara padashur.
Të flas me hënën? E di
Nga pëshpërimat e mia do mendosh se
Kohët e fundit jam çmendur dhe se
Ngadalë po të harroj. Ah
Po ti fle, fle në paqen e luftës time
Dhe qepallat si perëndim t'u fikën në rregullat e jetës
Shkëlqimi t'u vel me kohën, dhe koha e pamposhtur
Me duart e saj plot muskuj i tret të gjithë
Dhe ky mbetet mallkimi jonë i parë
Kur frutin e ndaluar me duart e mendjes lakmues e prekëm.
Dëshiroja fort ta lidhja diellin në qiell, pranverën ta shtroja fushave
Dhe hëna Unë Jam-it ti shndriste si kurorë.
Dhe trëndafilat të çelnin pareshturr.
Dhe lumenjtë të rrjedhin pa u shterur
Ndër male e në zemrën time të kishte vetëm dritë
Dhe t'i shkelja me këmbë ata
Që hije diturie hodhën mbi kafkat tona të zymta
Dhe në kërkim të pafundësisë na lanë të endemi
Se zanafillën askush s'e zbuloi
Dhe mekanizimin tonë të ndërlikuar dhe hyjnor ta përtyp
Vetëm frymën do doja ta lija të lirë...
Por më kot.
Qepallat e tua si plumb janë mbledhur
Dhe fjalët e mia dëgjoj.
21
Më prit në 3 shtator do të vij
Takimi ynë do të jetë i çuditshëm kur ti të më thuash se s'je në qytet
Në profilet e dritareve do të shoh profile njerzish, vështrues të shkujdesur
Dhe duke të pritur të vish në trotuarin e djathtë
Do të shfaqet hija jote si postjer dhe do më thotë se ti s'mund të vish
Do më thotë edhe se vallzimi me ciganët do të zhvillohet njërherë tjetër
Dhe se ndalim makinash e kohe s'do të ketë
Do të shtrihem i lodhur nga e gjata rrugë në shesh dhe do të fle
Hija jote e gjatë dhe e shformuar gëzueshëm do të vijë deri te thembrat e tua
Dhe do më vijnë në ëndërr femra prej opiumi,
Barin e tokës si qeleshe sulltani në koke ta kem
Do vallzoj me shthurrjen mbi varret e motorrave të nxehur
Do them fjalë të mëdha që askush s'do ti kuptojë
Dhe me lakuriqësinë do përleshem lakuriq
Edhe kur nata yjet një nga një t'i varë mbi terrin e vet
Do zgjohem
Aty do jesh ti e pranishme pa postjer
Hija jote tjetërkujt një mesazh po i shpje
Se sot s'ke kohë, se vallëzimi me ciganët nuk do zhvillohet
Dhe se ndalim makinash e kohe s'do të ketë.
Tirane 2009
22
Spacio, spacio
Linja gri dhe të zeza bien poshtë
Pa peshë, pa vëllim
Trekëndësha të verdhë që puthen
Disa njolla të kuqe
Të gjitha në nje cep të spacios
Një ushtar i lodhur kalon në spacion e patrajtë
I prish të gjitha
Ikën. Zbrazëti.
Një zhurmë tingujsh nga e përtejmja e spacios
Nuk dihet se nga
Nuk dihet përse
Një pikë e njëtrajtshme
Peshon dhe bie në mes të bardhësisë
Humbet, mbytet dhe përsëri
Lindet.
Tirane 2009
23
Rrahja e zemrës një dhimbje të tmerrshme ndan
Një dhimbje të padurueshme.
Por dhimbja e saj prej vitesh na mban
Ndaj prej vitesh dhe është bërë e pandjeshme.
Pogradec 2004
24
Një yll i moshuar vendosi të vdesë,
U end nëpër qiellin me kaltërsi,
E ndjeva trishtimin e yllit në zemër,
E ndjeva si flakë m'u kthye në gji.
Lamtumirën e fundit ndër sytë e mi la,
Dhe lotët m'i ndriti në hënën e verdhë,
U shua ai yll dhe jetë më s'ka,
Në natën e vonë më braktisi.
Bucureşti 2009
25
Idhtar i ikonave më nuk jam,
Ato u thyen gjatë lutjeve të mia,
Ranë të rënda në tokën me dhjam,
Floriri i tyre si ndryshk psherëtiu.
Bucureşti 2009
26
Kush do t'u marrë aromë gonxheve të mia në dimër
Kush flokët e mi do përkëdhelë kur lehtaz nga koka do ndahen
Kush vallë do më përshëndesë
Kur rrugëve i gjymtuar dhe i marrë të dal?
Do shpërndaheni te gjithë në çdo anë
Të gjithë ju që deri dje
Ju kisha fare pranë.
Bucureşti 2009
27
Keni dëgjuar vallë për një djalosh të vogël
Që ëndrra të mëdha kish?
U end midis maleve të jetës
Dhe papritur
Në diellin përvëlues të dashurisë vdiq.
Bucureşti 2009