Vasile Andru: ”... si një betim që ve vulën mbi të ardhmen„

(hija e të lumturit Vladimir Gjika në Japoni / umbra fericitului Vladimir Ghika în Japonia)



Kur mbërrita në shtator të 2010-ës në Tokjo, mësova se japonezët i numurojnë ndryshe vitet: ata janë në vitin 22 të erës Heisa. Ata i numurojnë vitet qysh nga hipja në fron e perandorit. (Përdoret edhe numurimi i zakonshëm, 2010, kuptohet). Perandori japonez, kur hip në fron, përuron një erë të re dhe i jep epokës së vet një emër-emblemë, një emër-program. Perandori i tanishëm, Akihito, i ka dhënë epokës së vet emrin Heisa, që përkthehet qetësi, paqe.
Mua fjala heisa më tingëlloi si hesychia (isihia), term grek që ka kuptimin po ‚qetësi’, qetësi e ndritshme. Ky paralelizëm m’u duk hyjnor. Të shkosh në Japoni bash në epokën e isihisë! E mora si një dhuratë vetjake, gjithsesi ogurmirë.
Luta një sivëlla japonez (të cilin e pata njohur në Kongresin e shkrimtarëve, ku isha delegat) të ma përkthente në japonisht formulën isihaste, fjalinë me 5 fjalë „Zoti Jezu Krisht, mëshiromë” (në origjinalin rumanisht – sh.p.), e cila përsëritet gjatë lutjes së mendjes (që doja ta bëja të njohur në Japoni, aq sa mundej). Kësisoj nocionet fillestare të gjuhës japoneze i mora nga mësimi i formulës isihaste; kjo tingëllon si më poshtë:

Shu Jesu Kirisuotoyo, watashi wo awarende, kudasai.

Në japonisht fjalia ka 7 fjalë, pra është më e gjatë se në rumanisht apo greqisht. Fjala e shtuar është një përkulje nderimi. Japonezët nuk mund të heqin dorë nga përkuljet e nderimit as në lutje. Ata janë të sjellshëm gjer edhe ndaj Zotit! (...)

Një tjetër derë e hapur ndaj ‚genius loci nipponensis’ ishte ngjarja me prejardhje hyjnore: bekimi që udhëtari mistik, Monsinjori Vladimir Gjika, i pat dhënë Japonisë tetëdhjetë vjet më parë. (...)
Legjenda thotë se perandori i tanishëm i Japonisë erdhi në jetë si dhuratë e Zotit, pas bekimit të Monsinjorit Vladimir Gjika.
Ka qënë një mrekulli. Ka ndodhur në vitin 1933. Do t’i rrefej faktet ashtu siç i di nga dokumentet apo dëshmitë, disa të botuara, të tjerat mbetur në arkiva, ose në kujtesën e disa bashkëkohësve.
Në vitin 1933 Monsinjori Vladimir Gjika udhëtoi drejt Tokjos me vaporr. Shkonte të ndihmonte ngritjen e një manastiri karmelit. Shoqëronte një grup murgeshash, të cilat patën ngulmuar që Monsinjori t’i ndihmonte në misionin e tyre. Sepse Monsinjori kishte të njohur e miq anembanë. Po ai kish siguruar edhe udhëtimin falas me vaporr.
Monsinjori kishte të njohur me emër e peshë në Tokjo. Në radhë të parë admiralin Yamamoto, të cilin e pat njohur në Romë. Admirali Yamamoto pat qënë i ngarkuar me punë në Romë dhe qe konvertuar në krishterim. Në vitin 1933 admirali Yamamoto doli e priti vetë Monsinjorin, kur zbriste nga vaporri.
Monsinjori e luti Yamamoto-n që t’i lehtësontë një takim me perandorin Hirohito. Donte t’i jepte bekimin perandorit! Kish dëgjuar për hidhërimin e perandorit: nuk kish një djalë që ta pasonte në fron. Monsinjori i tha Yamamoto-s: „Po e bekova Perandorin, ai do të ketë një djalë!”
Yamamoto u përgjigj se është një absurditet, madje një krim, të synosh t’i japësh bekimin Perandorit, se Perandori është një me Zotin; dhe s’mund t’I japësh bekimin Zotit! Perandori ka prejardhje hyjnore, është biri i Amaterasu-t, perëndia e diellit dhe e dritës.
Monsinjori Gjika ngulmoi me qetësi: „Bëj që dëshira ime e përunjur të arrijë tek Madhëria e Tij, më mundëso një takim... dhe lere Perandorin të zgjedhë vetë nëse do, apo jo, ta bekoj”.
Për këtë takim Monsinjori kërkoi t’ia përkthenin në japonisht formulën „Zoti të bekoftë”. Admirali Yamamoto i rikujtoi se Mikadou (Perandori – sh. p.) është një me Zotin, prandaj edhe e ndreqën formulën me: „Të bekoftë I Plotfuqishmi!”
Takimi ishte tejet i lirshëm dhe i qetë. Perandori Hirohito bisedoi me Monsinjorin në frëngjisht, krenar që e fliste frëngjishten përkryer. Në sallë ndodheshin zyrtarë të lartë, oficerë. Kam lexuar nga një burim se vetë Perandori i tha Monsinjorit se është i hidhëruar që nuk ka pasardhës meshkuj, dhe se dëshiron të ketë një djalë. Monsinjori iu përgjigj se, po i dha bekimin, Zoti do t’i falë perandorit një djalë. Perandori pranon. Ngrihen të dy në këmbë. Perandori përkulet para Monsinjorit, që bën shenjën e kryqit në ballin e Perandorit... Truprojat sulen me duart në shpata, se është e papërfytyrueshme që një njeri të prekë Perandorin. Hirohito i qetëson rojet me buzëqeshje. Monsinjori shqipton në japonisht: „Të bekoftë I Plotfuqishmi” dhe „Dhashtë Zoti që emri yt të jetojë dhe të të lindet një djalë!”
Vetë Monsinjori do të shprehej më vonë se „Vërtet, një vit më vonë, Perandorit i lindi një djalë”. Djali është Akihito, perandori i sotëm i Japonisë. (Disa të dhëna i kam marrë nga një libër i Elisabeth de Miribel, e cila citon tekste në thonjëza, por nuk jep burimet). (...)
Perandori Akihito erdhi në Rumani në vitin 1979, kur ishte ende princ trashëgimtar. Ishte tetor. Vizitoi Bukovinën, zonat vojvodale dhe fetare, Suçeavën, Suçevicën, Marginean, Voronecin[1]. Unë isha tepër i ri asokohe dhe isha aq i prekur nga ajo ardhje e Akihitos në Bukovinën time... (...) Besoj se politikanët që Princi takoi në vitin 1979 nuk dinin gjë për Monsinjorin Gjika, ndërsa ata që dinin, e mbanin gojën kyçur. Komunistët që e vdiqën Monsinjorin Gjika në burgun e Zhilavës, në vitin 1954, s’besoj se mezi prisnin t’ia nderonin dhuntitë. Gjithsesi, ekziston një tragjizëm i rrugëve paralele: historia profane e shmang dhimbshëm historinë hyjnore... (...)
Çfarë mund të bëjnë fjalët? Është një pyetje-alarm, të cilën e shtron sot çdo shkrimtar; kjo ishte edhe pyetja-temë e Kongresit të Tokjos („What can words do?”)
Dhashë përgjigje përmes titullit të kumtesës që paraqita në kongres: „Fjalët mund të bojkotojnë fundin e botës” (...) Lidhur me rrafshin psikik, metanoik, kisha ndërmend fjalët shpirtbartëse, fjalët teoforike, të të bekuarve që ndryshojnë fate. Ekziston fjala-bëmë. Shqiptimi dhe veprimi i Monsinjorit Gjika janë dëshmi për fjalën-bëmë. Po e mbyll me një fjali të Monsinjorit, zgjedhur si lajtmotiv, dhe që më duket një çelës i vetë fatit të tij:

Do të jesh i bukur dhe i paprekshëm, si një betim që ve vulën mbi të ardhmen”.

[Fragmente nga: Vasile Andru, „Kujtime nga krishtosfera”
(Amintiri din hristologie), Editura Antet, Bukuresht, 2014]



[1] Manastirë të famshëm rumunë në krahinën e Moldavisë, pjesë e pasurisë botërore, të pikturuar edhe në muret e jashtëm, unikë për afreskët dhe ikonat e tyre.

No comments: