A u t o r i
Prozator
i shquar i gjuhëve frëngjisht e rumanisht, lindur në qytetin Braila të
Rumanisë, më 10/22 gusht 1884. U end për të fituar bukën e gojës si punëtor me
mëditje, por edhe si gazetar e fotograf, që nga Bukureshti e Kostandinopoja, në
Aleksandri, Kajro, Napoli, Paris, Gjenevë, Lozanë etj. Për shkak të
vështirësive të mëdha, në vitin 1921, kur ndodhej në Nisë, u përpoq të vrasë
veten. Në xhep i gjetën një letër drejtuar nobelistit francez Romain Rolland, i
cili ia lexoi shkrimet dhe e mbështeti fuqishëm. Pritja që iu bë librave të tij
dhe ndikimi që patën në mjediset letrare evropiane
e botërore, ishin të jashtëzakonshëm. Pas peripecish e vështirësish
të shumëllojshme, i sëmurë nga tuberkulozi, Istrati kthehet përfundimisht në
Rumani në vitin 1933. Ndërron jetë në Senatoriumin Fillaret të Bukureshtit, më
16 prill 1935. Librat e tij janë përkthyer në mbi 30 gjuhë.
L i b r i
Rrëfimi
„Kira Kiralina“ u botua së pari në gushtin e vitit 1923 në Paris, në
frëngjisht, shoqëruar me një parathënie nga Rolland, dhe korri sukses të
pazakontë te kritika dhe lexuesit. Kjo kryevepër e letërsisë evropiane vjen për
herë të parë në shqip nga Kopi Kyçyku.
Shtëpia Botuese PA, 2015
Botimi i kësaj vepre u mbështet financiarisht nga
TRADUKI, një rrjet letrar ku bëjnë pjesë Ministria Federale për Evropë,
Integrim dhe Punë të Jashtme e Republikës së Austrisë, Ministria e Jashtme e
Republikës Federale të Gjermanisë, Fondacioni zviceran “Pro Helvetia”, Zyra e
Kancelarit Federal të Republikës së Austrisë, “KulturKontakt Austria”, Instituti
“Goethe”, Agjencia Sllovene e Librit “JAK”, Ministria e Kulturës e Republikës
së Kroacisë, Departamenti i Kulturës i Qeverisë së Principatës së
Lihtenshtajnit, Fondacioni Kulturor i Lihtenshtajnit, Ministria e Kulturës e
Republikës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës dhe e Informimit e Republikës së
Serbisë, Ministria e Kulturës e Republikës së Rumanisë dhe Fondacioni “S.
Fischer“.
„Dy apo tre
vite rodhën të lumtur, të vetmit vite të fëmijërisë sime, që më kanë mbetur të
kthjellët në kujtesë. I kisha mbushur të njëmbëdhjetat. Kira ishte
pesëmbëdhjetë dhe nuk ndaheshim asnjë çast. E ndiqja këmba-këmbës, kudo, si
këlysh, s’ia ndaja sytë as kur shkonte në nevojtore, ia puthja rrobat e
parfumuara. Dhe vajza e gjorë mbrohej ashtu siç mundte, me ëmbëlsi, duke më
pandehur të pafajshëm. Me thënë të drejtën, nuk kisha asnjë mendim të saktë,
nuk dija çfarë doja, vdisja nga ëndja dhe shkrihesha pas saj.
Duhet të
shtoj se, në shtëpinë e nënës sime, jetonim në ferrin e dashurisë. Gjithçka
ishte dashuri: të dyja femrat dhe adhuruesit e tyre, tualeti, likeret,
parfumet, këngët e vallet. Edhe ikja qesharake nga sytë këmbët e dashnorëve më
dukej joshëse dhe argëtuese. Vetëm ardhja e babait dhe përplasja e kokave tona
pas mureve ishin të papëlqyeshme dhe pa dashuri. Por i merrnim si një çmim që
duhej paguar: çmimi i kënaqësisë. Mamaja thosh:
- Çdo
lumturi ka anën e vet të trishtë: madje edhe jetën e paguajmë me vdekjen.
Prandaj edhe duhet ta jetojmë. Jetojeni, fëmijë, jetojeni sipas shijeve tuaja,
dhe në mënyrë të atillë që të mos ndjeni keqardhje për asgjë në Ditën e
Gjykimit të Mbramë.
Të prirë nga
një „filozofi“ e tillë, është e lehtë të kuptosh me çfarë nguti përpiqeshim unë
dhe Kira të ndiqnim shëmbullin e nënës. Grua me pasuri të vetën, lënë në duart
e sigurta të të vëllezërve, kontrabandistë mallrash orientale, ajo pranonte çdo
kënaqësi, e linte veten ta adhuronin, i ndërronte dashnorët më shumë a më pak
të kënaqur, njëlloj si fustanet, bindej të shqepej në dru nga im atë, duke
mbrojtur vetëm fytyrën, për të kaluar fill paskëtaj në një zbavitje të re.
Madje kishte një virtyt: kur e ndjente se e kish derdhur kupën e mëkatave dhe
ndruhej se mos mllefi i babait mund të shkarkohej mbi fëmijët, pra mbi ne, e
mbante derën mbyllur derisa të mundnim të iknim duke u hedhur nga dritarja. Më
pas e hapte trimërisht dhe merrte mbi vete edhe dajakun që do të kishim ngrënë
ne.
Kur
ktheheshim pas disa orësh, e gjenim të shtrirë mbi divan, me fytyrën mbuluar me
tul buke të bardhë, të njomur në verë të kuqe, për të shëruar të enjturat dhe
njollat mavi. Ngrihej duke qeshur si e marrë dhe, me pasqyrën në dorë, duke na
treguar fytyrën e mufatur, na thoshte:
– E shihni
që s‘më ka shëmtuar shumë? Pas dy ditësh nuk ka për të mbetur pikë gjurme...
Dhe atëhere prapë do të ftojmë mysafirë! Nuk ka vdekur njeri nga dajaku!
Shqetësoheshim
për trupin e saj. Po t’ia shihnim, vërtet do të ishte diçka e tmerrshme. Ajo
thosh me zë të lartë:
- Eh, trupi!
Trupi nuk duket!
Me t’u
fshirë shënjat e rrahjes, ahengu rifillonte me vrull. Në shtëpi nuk gatuhej
kurrgjë, ngaqë nëna s’e duronte dot erën e qepës së fërguar. Ishte pajtuar në
një klub fqinj, i cili na dërgonte gjithçka na duhej: supa, gjellë me mish,
ëmbëlsira, kremra, të gjitha në enë bakri, që ua jepte nëna. Një femër vinte
çdo mëngjez për të marrë plaçkat e palara të javës dhe na sillte të tjera, të
pastra.
Po të shtosh
edhe plakun turk, - tregtar parfumesh dhe rrobash, - këta ishin njerëzit që na
hynin në shtëpi, natyrisht përveç mysyfirëve, të cilët jo gjithmonë ishin të
sigurtë se mund të dilnin andej nga patën hyrë. Gjithashtu, përveç tim eti e
tim vëllai, që ishin „mysafirët e paftuar“ dhe që na bënin vizita tejet të
pakëndshme. Meqënëse babai prej mëse dy vjetësh nuk flinte tek ne dhe vinte
vetëm tri ose katër herë në muaj për të na cfilitur, shtëpia ishte e qetë.
Pa telashe
amvisash, të dyja femrat e kalonin kohën me konfortin, me banjën, me tualetin,
me shurupet, me të ngrënat dhe pritjepërcjelljen e dashnorëve. Nuk harronin as
lutjet, por nuk shkonin kurrë në kishë. Koha që i kushtonin Perëndisë ishte
tepër e shkurtër. Nëna shfajësohej duke thënë:
- Zoti më
sheh që nuk i kundërvihem: unë rri ashtu siç më ka bërë... Dëgjoj përunjësisht
thirrjet dhe urdhëresat e zemrës sime.
Kira e
paralajmëronte:
- Mirë, moj
nënë, por nuk beson se nganjëherë na futet në mes edhe djalli?
- Jo, - ia
kthente ajo, - nuk besoj në djall; Zoti është më i fuqishëm se ai. Dhe, nëse
jemi kështu, jemi se kështu do Zoti.
Dhe,
sigurisht, nëna ishte e kënaqur nga çka Zoti donte që ajo të bëjë, meqë nuk i
honepste punët e rënda. Ai donte, para së gjithash, që nëna dhe e bija të
qëndronin në shtrat në mëngjez aq sa t’u pëlqente, vend i përshtatshëm për të
përtypur bukë të thekur me gjalpë dhe mjaltë e për të pirë kafe me qumësht.
Zoti i urdhëronte më pas të bënin banjë dhe ta lyenin trupin me eliksir smirne,
t’i spërkatnin faqet me avuj qumështi, me zjarr të pakët, t’u jepnin shkëlqim
flokëve me vaj bajamesh të parfumuar me mysk dhe t’i lustronin thonjtë me një
furçë të ngjyer në rrëshirë të përzier me akazhu. Vazhdonte më pas një avaz i
gjatë me përkujdesjen e qerpikëve, vetullave, buzëve dhe faqeve. Kur gjithçka
kishte përfunduar, vazhdonin me ngrënien e mëngjezit, me tymosjen e duhanit dhe
me gjumin e drekës. Zgjoheshin me diellin e muzgut për të djegur erëza, për të pirë
shurupe dhe, më në fund, për të filluar zallamahinë e madhe: këngët, vallzimet,
zbavitjen, deri në mes të natës.
Mamaja ishte
shumë më e kamur se babai dhe, megjithë shpenzimet marroke, pasuria e saj, e
vendosur në sipërmarrje jo fort të kthjellta, nga vëllezërit, i sillte të
ardhura aq të mëdha saqë i mbetej mjaft për të lënë mënjanë çdo muaj (gjithnjë
në duart e vëllezërve) të holla për Kirën dhe për mua.
Unë nuk e
njihja fort mirë jetën e nënës sime. Më kujtohet që e pata dëgjuar të thoshte
se prindërit e saj patën qënë pronarë të pasur bujtinash. I ati, një turk i
mirë dhe zemërgjerë, ishte dërguar me ferman nga Porta e Lartë për të hapur një
hotel në qytetin rumun Braila, aty nga fundi i shekullit XVIII, me detyrën për
të pritur e sajdisur të gjithë zyrtarët që Sulltani i dërgonte në pashallëkun e
vet. Gjyshi kishte tri gra: dy greke dhe një rumune. Rumunka pat qënë nëna e
nënës sime. Dy gratë e tjera lindën tre fëmijë, njëri nga të cilët u çmend dhe
u vetëvar. Por nëna nuk merrej dot vesh me vëllezërit-thjeshtër. Kështuqë
shtëpia prindërore ishte gjithnjë në rrëmujë. Me sa duket, në atë shtëpi asgjë
më interesante nuk kryhej përveç grumbullimit të të hollave dhe lutjeve në dy
Perëndi, në tri gjuhë të ndryshme.
Të dy djemtë
iu futën kontrabandës, ndërsa mamaja ime, ende tepër e re, ishte e gatshme t’u
bashkohej, por turku e ndau mendjen ta martonte me një burrë të rreptë, të
pashpirt, pra me tim atë, i cili ra në dashuri me të, „ndoshta, - thoshte nëna,
- në një çast kur Zoti po kruante hundët“. Im gjysh i dha tim eti shumë flori
dhe i la trashëgim nënës sime një pjesë të madhe të pasurisë, me të drejtën për
ta administruar sipas dëshirës, me kusht që të rrinte e martuar.
E lidhur
kësisoj me një njeri, të cilin e urrente, ajo diti t’i nënshtrohej vullnetit të
turkut, nga frika e shpronësimit, u soll si një mace e butë me të atin, i fitoi
besimin dhe, kur ky vdiq, ia doli mbanë t’ia shkëpuste pjesën e vet të
pasurisë, për t’ua kaluar vëllezërve që e adhuronin.
Atëhere zuri
fill jeta me argëtime, me kënaqësira e me dashurira të çmendura, jeta që ne
shihnim me sy dhe që im atë, megjithë ashpërsinë e tij, nuk mund ta pengonte
dot. Mamaja do t’i kishte bërë një dhuratë nga prika e saj, po qe se do të
kishte mirësinë ta linte të lirë, por ai këmbëngulte të hakmerrej për çnderimin
që ajo i bënte. Ditën kur u ndanë, tek po merrte me vete gjithçka që i
përkiste, duke drejtuar gishtin nga unë dhe nga Kira, babai i tha nënës:
- Këta dy
gjarpërinj po t’i le ty. Nuk janë fëmijët e mi, se i ngjajnë s’ëmës.
- Mos dashke
t’i ngjajnë atit të tyre? - ia ktheu ajo. - Zotrote je një njeri i thatë, një i
vdekur; i pengon të gjallët të rrojnë. Dhe, duke vështruar nga vëllai im i
madh, shtoi: - Çuditem se si thatësia jote ka qenë në gjendje të ngjizë edhe
këtë të pacipë, që të përshtatet kaq shumë, por që nuk është im bir!
Dhe e gjora
nënë kish të drejtë të thosh se ky i vdekur na pengonte të jetonim. Dhe këtë e
bënte gjithnjë e më shpesh. Duke e ditur që nëna kujdesej për fytyrën më shumë
se për jetën, ai vazhdimisht e godiste në këtë thelb të vetëqenies së saj dhe,
kohët e fundit, e shkreta duhej t’i mjekonte plagët e vuratat tetë deri dhjetë
ditë me radhë, që të zhdukeshin. Gjatë kësaj kohe nuk mund të bëhej më fjalë
për argëtim e as për pritje mysafirësh. Kjo gjendje e shembte në trishtim, nuk
na përkëdhelte si zakonisht dhe, për të parën herë, një ditë e pashë të
vajtonte e pezmatuar.
Por këto
dëshpërime e shtynin të dëshironte të hakmerrej me mllef të dhjetëfishtë, duke
e bërë tiranin edhe më të tërbuar. Egërsia e tij qe fatale për ne. Një mbrëmje,
shtëpia gumëzhinte nga mysafirët. Ishin të paktën shtatë. Nëna vari katër
fenerë në mure, përveç atij të tavanit. Numuroi qirinjtë: ishin njëzet e katër.
Drita - verbuese.
Pò atë ditë
ajo thirri një mekanik, që vuri bravë të madhe në portën vigane të oborrit, e
cila mbyllej vetëm me çelës. Duke qenë mëse e siguruar, ajo e lëshoi veten në
një zbavitje të shfrenuar, siç nuk e kisha parë ndonjëherë. Besoj edhe sot e
kësaj dite se e parandjente fundin e jetës së lumtur dhe donte t’i kalonte
çastet e mbrame me tërë fuqinë.
Nga shtatë
të ftuarit, tre ishin muzikantë grekë, të famshëm për argëtimet e kohës. Duke
hapur vallzimin, nëna i dha secilit nga një qese të vogël prej lëkure me nga
dhjetë florinj, të mbështjellë me shami të mëndafshtë, të qëndisur, dhe u tha:
- Palikarë! Në këto qese keni pesë herë më
shumë se sa u takon, për të kënduar gjithë natën! Nuk po e bëj vetëm për
bujari. Në këtë shtëpi hareja paguhet shtrenjt dhe, ndoshta, sonte mund të
dilni nga dritaret që shihni atje. A jeni të shpejtë nga këmbët?
Dhe ua çeli
dritaret, që vareshin mbi shpatet. Palikarët u zgjatën mbi pervaz, e matën me
sy thellësinë, peshuan arin duke i tundur qeset dhe pranuan me një „Evallah!“,
të përulur. Sakaq kënga, vallja dhe ahengu filluan. Të tria veglat: gërneta,
flauti dhe kitara luanin me mjeshtëri. Kira dhe nëna, të gremisura si kadënat
mbi divan, dëgjonin të joshura melodinë vajtuese, pastaj të vrullshme, të
dojnave, manelet qaramane turke dhe baritoret greke, të shoqëruara nga pëllëmbët
e nga zërat e të katër mysafirëve.
Pas çdo
kënge, nëna servirte likere, kafe, nargjile. Dy tava të mëdha me kadaif e
bakllava u zgjateshin ngacmueshëm syve të hamësve. Meqënëse atë mbrëmje nuk
ishte e nevojshme të bëja roje, vallzova me time motër, me nënën, pastaj vetëm,
derisa m’u morën mendtë. Vallzimi ishte pasioni më i madh i fëmijërisë sime të
shkurtër në shtëpi, si dhe mjet për të marrë prej Kirës ledhatimet më të
çmendura. Loja arabe e prehërit, që e ekzekutova i vetëm, ishte aq e pasur në lëvizje
atë mbrëmje të argëtimit të fundit, saqë të tre muzikantët specialistë më
lavdëruan dhe më përqafuan me ngrohtësi. Kira ishte në kulmin e ngazëllimit.
Nëna bërtiti:
- Ja, pra!
Ky me të vërtetë është djali im! Nuk kam pikë dyshimi!
Gjatë një
pushimi, kur të gjithë burrat, ulur këmbëkryq mbi qilima, tymosnin me zhurmë
nargjiletë, Kira pyeti se çfarë po bënte një nga admiruesit e saj më të
vendosur.
- Ka
ndrydhur këmbën kur kërceu herën e kaluar nga dritarja, - iu përgjigj mysafiri.
Dhe, në
rrëmujën e përgjithshme, ai shpjegoi se si rënkonte i gjori në ato çaste, në
shtrat, me masazhistin pranë. Ky rrëfim e futi në mendime kitaristin, i cili
ishte shkurtabiq e bullafiq. Shkoi te dritarja dhe e hetoi sërish humnerën. Një
mysafir e qetësoi duke i thënë:
- Nuk është
edhe aq e thellë, nja dy metra e pak. Vetëm se nuk duhet të kërcesh shumë
përpara dhe të rrëshqasësh ngadalë; pastaj të mbahesh fort, kur të fillosh të
rrokullisesh në shpatin e madh. Në fund të tij ke për të gjetur qylafin dhe
kitarën!
Qeshëm të
gjithë dhe vallet rifilluan
*
Kjo po
ndodhte në muajin qershor, pak para të korrave. Dritaret e oborrit kishin perde
të rënda, ndërsa ato që shihnin nga Danubi - perde të vogla dhe të holla. Ishim
të gjithë të kapitur atë mëngjez kur agimi e derdhi bardhësinë e vet mbi xhame.
Gati sa s’po na mbytte ajri i helmuar prej tymit të nargjileve dhe nga erëzat e
djegura. Nëna kish hapur një dritare dhe po thithte thellë ajrin e parfumuar.
Pranë saj, Kira dhe unë vështronim agimin që po ndriçonte pellgun me pyllin e
sallkëmeve përqark. Pastaj u drejtua nga mysafirët:
- Epo, të
dashurit e mi, argëtimi mbaroi! Tani gjumë!
Në ato çaste
zhurma e një trupi që ra rëndshëm në oborr na bëri të hidheshim përpjetë. Pas
pak u dëgjua kërcitja e bravave dhe e llozeve të portës.
Nëna thirri:
- Ikni! Kanë
kapërcyer murin!
Ndërkohë që
babai dhe i biri po shkundullonin derën, mysafirët u hodhën nga të dyja
dritaret, duke harruar të tregoheshin të kujdesshëm, sikur përposh po i prisnin
dyshekë të leshtë. Muzikantët ishin të parët që ia mbathën, ndërsa të tjerët i
shtynin nga pas, pavarësisht nga këshilla që u ishte dhënë për të mos kërcyer
shumë larg. Brenda disa çastesh shtëpia qe zbrazur: Qejflinjtë po
rrokulliseshin njëri mbi tjetrin në shpatin ranor. Sa për fshehjen e gjurmëve të
ahengut, as që bëhej më fjalë. Atëhere nëna, si trimëreshë, vajti të hapte
derën. Babai e kapi menjëherë për flokësh dhe e përplasi përtokë. Të njëjtën
gjë bëri edhe vëllai me Kirën. Unë, i tmerruar ngaqë po e shihja time motër të
shkelur me këmbë, mora një nargjile dhe e thyeva në kokën e mizorit. Ai e
lëshoi Kirën, e vuri dorën në kokën plot gjak dhe m’u vërsul. Ishte afro njëzet
vjeç dhe tepër i fuqishëm. Më rrahu gjersa u bind se ishte mjaft. Gjaku po më
rridhte nga hundët e nga goja.
Në atë kohë
nënën po e vrisnin. Ndonëse pa ndjenja, me veshjet të shqyera, me trupin
thuajse lakuriq, babai vazhdonte ta qëllonte. Im vëlla shkoi të shpëlante kokën
e përgjakur, ndërsa Kira vrapoi drejt një sirtari, nga ku u kthye me një thikë
në dorë. Mirpo mbetëm të shtangur para tmerrit që po na shihnin sytë: babai
kish marrë një sandale të drunjtë, që do t’i kish rënë ndonjë mysafiri në ikje
e sipër, dhe me takën e saj po e godiste në fytyrë të shkretën nënë, që mezi i
lëvizte krahët. Fytyra e saj, e mbytur nga gjaku, i ngjante një plage.
Kira bëri
përpara për ta goditur barbarin në shpinë, u lëkund dhe i ra të fikët. Babai e
ngriti, e flaku në shtrat dhe tërhoqi llozin. Mua më la nën mbikëqyrjen e tim
vëllai, i cili po e lidhte kokën me një copë beze. Babai e mori nënën në kurriz
dhe doli në oborr. Pas disa minutash dëgjova kapakun e rëndë të bodrumit që ra
me zhurmë mbi të shkretën nënë, të cilën po e mbyllte kësisoj si në varr. Kur
hyri sërish në shtëpi, ai shtrëngoi grushtet dhe po më vështronte sikur donte
të më thoshte se më kish ardhur fundi. Por nuk më preku. Vetëm ulëriu:
- Kështu,
hë? I çan kokën tyt vëllai, ndërsa ajo paçavurja, jot motër, donte të më
vriste! Epo mirë, tani morët fund të gjithë!
Fikën
qirinjtë dhe më morën me vete. Duke kaluar nëpër oborr, hodha një vështrim mbi
kapakun e bodrumit: një dryn i madh, kaluar nëpër dy hallka, e bënte të
pamundur arratisjen. Rënkova kur mendova se e mjera nënë, e plagosur për
vdekje, e shfytyruar, por ende gjallë, ishte e groposur në atë varr të
tmerrshëm, ndërsa Kira dergjej në shtrat shpresëhumbur.
Ishte ditë.
Qymyrxhinjtë turq me samarin në shpinë dhe me shkopin e mprehtë nën sqetull,
shkonin drejt portit për punë. Po unë ku po shkoja? Mbërritëm në banesën e
babait dhe më vunë menjëherë të vërtisja gurin zmeril, ku çirakët mprihnin
jataganë dhe dalta. Rreth meje dergjeshin trungje lisi, bliri dhe plepi, midis
qerresh të zbërthyera: rrota, boshte, rrathë, timonë. Të gjitha të zhytura në
grumbuj tallashi. Deri në drekë nuk më dhanë asgjë për të ngrënë. Si i pamësuar
me punë, u ndjeva i drobitur. Im vëlla më futi ca fshikulla. Pastaj babai më
solli bukë, ullinj, ujë. E keqja ishte se sytë e të gjithëve më ndiqnin çdo
lëvizje dhe nuk kisha asnjë mundësi për t’ia mbathur. Pasdreke më mbrehën prapë
në punë, ndërsa kur djersija, vëllai më kalonte pranë dhe më shkelte me çizma
në kërcinj. Të veshur me përparëse prej lëkure, si të gjithë çirakët, babai dhe
vëllai punonin, ecnin poshtë e lart, të heshtur, të vrenjtur, mes një qetësie
të trishtë, ku nuk dëgjohej veçse zhurma e veglave. Sqarimet dhe urdhërat ishin
të shkurtra, të ftohta, si shpirtrat e tyre.
Natën më
kyçën në një dhomë me dritare me hekura. Atje, mbi një minder të puthitur pas
tokës, pa pikë drite, e kalova kohën duke qarë dhe duke menduar për qeniet e
mia të dashura, që ishin më fatkeqe se unë. Të nesërmen, koha rodhi njëlloj. Më
cfilitte mendimi se mos egërsia e xhelatëve tanë mund të shkonte deri atje sa
t’i linte në harresë të dyja femrat e rrahura, të sëmura dhe të burgosura. Në
mbrëmje e ndava mendjen të mos qaja më dhe të përpiqesha të ikja me çdo mënyrë.
Në oborr syri më pat zënë llojlloj shkallësh, ndërsa në qelinë time - një mal
me hekurishte të prera trashë. Në to qëndronte liria ime. Shërbëtorja më solli
darkën: bukë me djathë, dhe më foli me keqdashje:
- E, si të
duket, zotrote? Këtu s‘është aq mirë sa në shtëpi, hë? Epo, jeta s‘ka vetëm
kënaqësira! Duhet edhe punë! Duhet edhe të djersish!
Ma kyçi
derën. Dremita menjëherë. Kur u zgjova, nuk ishte gdhirë ende. Mendimet më
kapluan dhe nisa të qaja, duke kujtuar fytyrën e gjakosur të nënës. Nuk kaloi
shumë dhe gjelat ia nisën këngës. U bë ditë. Por krejt shtëpia ishte e zhytur
në gjumë. Hapa dritaren dhe me një hekurishte i hepova paksa shufrat e
dritares, që nuk ishin shumë të trasha. Një sëpatë ishte ngulur në një kërcu,
në oborr. Munda të dal dhe, duke hipur majë një shkalle, u zgjata gjersa kapa
një tjetër, për të kapërcyer murin. Kur e pashë veten jashtë fare, ia dhashë
vrapit sa më mbanin këmbët në rrugën drejt portit.
Drita kish
filluar të zbardhte plotësisht, kur ia beha në rrëzë të shpatit, majë të cilit
shtëpia jonë bënte gjumin e pashpresës. Për herë të parë nisa t‘i ngjitesha
asaj pjerrjeje, sepse deri atëhere vetëm e kisha zbritur me të katra.
Kur mbërrita
në pirg, e shtriva shkallën dhe, teksa zemra më rrihte me një forcë të
jashtëzakonshme, e qëllova xhamin, që u bë thërrime. Atëhere, - pas një çasti
vilanie, - dëgjova zërin e ëmbël të Kirës, që rënkonte në burgun e saj:
- Ti je,
Dragomir?
U tranda dhe
thirra:
- Unë jam!
Kam ardhur t’ju shpëtoj!
U futa
brenda nëpër të çarën e xhamit dhe hapa bravën. E zbehtë, e fryrë nga të qarët,
Kira m’u hodh në qafë dhe më pyeti me shqetësim:
- Po mamaja?
Ç’po bëhet me të?
- Është e
mbyllur në bodrum, duhet ta nxjerrim së andejmi dhe të ikim!
Dera e
shtëpisë ishte e mbyllur me çelës. E hapa dritaren dhe kërceva në oborr. Me
ndihmën e sëpatës i thyeva hallkat e derës së bodrumit dhe zbrita shkallët, i
pasuar nga Kira. Një erë e rëndë lakre armé dhe perimesh të kalbura na i shpoi
hundët, ngaqë nja dy a tre vjet askush nuk pat hyrë aty. Breshkat lëvrinin me
përtaci dhe vezët e tyre, pak më të mëdha se të zogjve, rrinin në rresht
përgjatë mureve. Në këtë skëterrë nëna dergjej prej dy ditësh. E gjetëm më
këmbë, sikur të qenkej duke pritur ta vrisnin. E kishte lidhur kokën me fasho
nga rreckat që ende i vareshin mbi trupin e coptuar. E ndihmuam të ngjitej në
shkallët e rrëshqitshme, ndërsa, kur dolëm jashtë, i ramë në gjunjë, si para
një martireje, asaj fantazme që ishte nëna jonë.
Një sy
fshihej nën fasho, por ç’po ndodhte me të mund ta kuptonte cilido, duke gjykuar
sipas ç’kish mbetur nga trupi i saj i dërrmuar. Hunda i qe coptuar, buzët -
çarvalitur, qafa dhe gjoksi - mbuluar me gjak të mpiksur. Ajo na ngriti më
këmbë dhe na tha me zë të shuar:
- Të ikim sa
më parë! Merrni me vete diçka për të ngrënë!
Hymë në
shtëpi. Ato u lanë dhe u veshën me ngut. Nëna mori arkën me të holla e me
xhevahire dhe zbritëm ngadalë shpatin, pasi e hodhëm shkallën brenda dhe
mbyllëm dritaret nëpër të cilat aq mysafirë tanët patën gjetur shpëtimin.
Paskësh qënë e shkruar që e zonja e shtëpisë të dilte më në fund pò që aty, pra
nga dritarja“.
Më shumë në: www.shb-pa.ks