Yang Lian është një
nga poetët më të shquar kinezë. U lind në Bernë në vitin 1955, nga prindër ish
funksionarë të shtetit kinez në ambasadën e Zvicrës. Yang Lian ka punuar në mbi
20 vende, ka botuar 6 vëllime poetike. Cilësohet si një nga zërat më të mëdhenj
në panoramën letrare, politike dhe kulturore botërore. Në vitin 1994 vendoet në
Londër, ku jeton e punon edhe sot. Më 1999 merr në Itali: “Çmimin Ndërkombëtar Flaiano” për poezinë, me librin “Atje ku Deti Rri i Qetë”. Gjatë viteve
të fundit, falë një klime të ndryshme kulturore dhe politike, Yang Lian është
rikthyer shumë herë në Kinë, ku veprat e tij janë botuar me sukses të madh.
Korrje
Këto çati me maja pas korrjes
ndrijnë në lëmin veror
këta qiej që i janë hapur qiellit nxihen papritur
deti tkurr tjegullat verbuese të argjendta
dy pemë rrëzohen në drejtime të kundërta
dy mungesa të mbjella me grurin e një burri
vdekja e vitit të shkuar është lajm i vjetër
dielli theu qafën
sytë e tu rrafshojnë dhe i heqin maskën qytetit të çmendur
Libri i zogjve
Në teatrin e errësirës jemi më të mëdhenj
dhe më të zbehtë se këta zogj
me të përbrendshmet e nxjerra jashtë
një libër që urren veten
një palë krahë që nxjerrin tinguj letre
një dorë që kontrollon fluturimin
kur preket nga drita dhe eshtra
e gozhduar egërsisht në shpinë zhurma
vazhdon të shkruajë fjalë
era e pllakës së varrit godet
dardhat e zeza të ngrira në majë të degëve
një libër përçon qëllimin ta zhysë detin në verbëri
zogj të lodhur nga zemërimi
i japin jetë një skenari për ata
që kanë jetuar mjaft
kthehen të kërkojnë arin e vjetër
që vetë e kanë gëlltitur
por sëpata nuk zgjedh një faqe çfarëdo
pasi pendët e çdo faqeje janë shqyer
duke plagosur një qiell të tërë
atëherë pushojmë së duartrokituri
thërrmohemi
Ku deti ndalon
Mbi detin e asfaltuar
një zog i bardhë si fantazmë
e ndjen bregun që si far
ndalet pikërisht në të majtë
ku takojmë një vdekje aksidentale
mbi detin e asfaltuar gjendet ende
një parmendë e thyer
njëqind vjet për shkatërrimin
e një memoriali
rishkruajnë emrat tanë
në syprinën e tavolinës prej guri të kuq
u pamë gjatë drekës
ujë deti zjarri i halave të pishave
smeraldi i gjelbër ngroh skeletin
u tregon të gjithëve dhëmbët e prishur
nga ndryshku vallëzues
maja e mprehtë e tempullit të vogël
ngatërrohet në këtë natë si çdo gusht
shi furtune lexim i detyrueshëm
në leksionin e vdekjes
Biografi
në varrezat kineze pishat
marrin frymë ashtu siç rriten
por era drejtimin e ditës
ndryshon qetësisht
lart e poshtë shkon parmenda
deri në fund të fushës
së gjelbër pjellore të librit të gushtit
jeta mbjell farat e vdekjes
natën të gjithë yjet udhëtojnë
brenda një pusi smeraldesh
gjatë verës lexon një biografi
hija e pishës është zhytur në ujë
një karrige mbushur ujë
është skalitur në një basoreliev
deti i largët ikën i vetëm i zemëruar
këngët e zogjve pushtojnë qiellin
thuajse si në përrallë
lexon sikur nuk ke lexuar kurrë
vetëm arti është ai
që shkund një pasdite
dhe e bën të zezë
Përgatiti Hiqmet Meçaj