Poemë e mundshme (fragmente)

Iulia Enkelana

*

Ky ravgim është rrënja e fundit.

 

Ushqehem me mall që të mos ushqehem me furi

Sot isha fantazmë –

si zakonisht, vetëm se këtë mbrëmje edhe trupërisht

dyert ishin hapur dhe hyra

e padobishme të them se hapësira qe mpakur

„Gjithçka është e vdekur”, thashë

teksa më mbytnin

të gjitha ato

copëza të ndritshme

që ndonjëherë më janë e vetmja ndihmë e parë.

 

Të tjerët i ndajnë disa dhjetëvjetësha

nga ky lloj malli

që mua më mpin gjithnjë

jam një adoleshente me rrudha të gjelbra në brendësi

dhe duhet të jetë diçka e trashëguar –

nëse jo, mbetet gjithsesi një përligjje e mirë;

duket se kam trashëguar nga të dy kahet

përzierjen e ngadalësisë me shpejtësinë:

tret me vështirësi

shënjoj gjithçka

ëndërroj me shpejtësinë e dritës

me çiltërsinë e dritës

mësohem me zor e kthehem shpesh

shijoj duke zgjedhur

çdo grimë nga drita e së shkuarës

disa herë me radhë

derisa grimcat harxhohen

pastaj i jap kohë dritës të rimbushet

dhe e shijoj nga e para

në rast nevoje

e jetoj të tashmen shumë herë

mbledh të tashme të paçmueshme

i vendos mbi dritaret që të tjerëve s’u thonë asgjë

mbi shkallët e errëta

mbi ngrehinën gjithnjë e më të hirtë.

 

jam një shkallë lirike*

kujtesa është paradigma ime

asgjë s’më tradhëton

fytyrën e kam të kthjellët

jam shpirtërore, di kufijtë e rrëfimit

ky ravgim është rrënja e mbrame

 

mësoj të mërgoj

* Ka edhe kuptimet shembull, copëz, "shkallë"-njësi që është e aftë të gjykojë vlera.

 

 

*

 

Çdo fjalë

një hap i mundshëm i gabuar

mbi një truall të minuar

Lëndohemi duke u ruajtur

thellohemi secili

si mungesa e tjetrit

rrënjosemi

njëri në pritjen e tjetrit

tjetri në dëshirën e njërit

 

a nuk të duket se është bukur

si çon një jetë të pavarur

në dëshirën time

si je shndërruar

në më të shquarën ndër mungesa

e vetmja përçartje me fytyrë njeriu në shkreti

 

rrënjosemi

me çdo hap

kujdesemi për mungesën tonë

si për një vend varri

ti më vdes në ëndërr e më dhemb gjoksi

se s’kam asnjë të drejtë të të vajtoj

s’kam asnjë të drejtë të mbaj zi

dridhem të shkruaj një letër

të fanitem në ëndërr si një prani e ndritshme

pabesueshëm e durueshme

bën një hap

të brishtë, por në siguri të plotë

nuk pyes pse

gërmoj ti shkund rërën nga duart

i them vetes e bëra timen

të them po plasën minat të paktën do vijë fshirja nga faqja e dheut

më thua mos mbaj zi para kohe

 

 

*

 

Në fillim të botës u nda nga fjalët.

Tha: Fjalët mund të lindin dhe ua kam frikën.

U nda nga meloditë me vargje, nga librat dhe poemat.

Vetëm për një kohë,

tha.

Duhet të mësoj t’i bëj ballë realitetit;

çdo fjali është një perde ndarëse më tepër.

I buzëqeshi ajo ide.

Hoqi dorë nga dialogë dhe dialogë të përfytyruar.

Iu avit thelbit duke arritur të mposhtë sipërfaqen –

Ose të paktën ta shohë.

Nuk takoi askënd.

Vëzhgoi.

U bë e tëra sy.

Ngujoi kujtesën, se nuk i vlente.

Shmangu ëndërrimet, se rrezikonin ta plagosnin –

Ishin si fjalët:

krijonin varësi dhe ishin prore shtatzëna.

Vërejti: I zgjoi interesin realiteti i parmë.

Ishte paqartësisht e thënë –

Nuk qe fjala për interes, po për nevojë.

Aty nga mesi i muajit zbuloi e gëzuar:

Po shërohem, po shërohem!

Planifikonte vagëllimthi të shkruante për këtë.

(...)


Curriculum Vitae i Autores 

Iulia Enkelana (pseudonimi i Iulia-Maria Kyçykut) është lindur në Bukuresht në vitin 1999 në një familje shqiptaro-rumune. 

Autore që shkruan rumanisht e anglisht, ka botuar romanin Dacă există o voce / Nëse ekziston një zë (2021) disa pjesë teatrore (tre prej të cilave u përfshinë në vëllimin DeMontat, Presa Universitară Clujeană, 2021), tregime të shkurtër (botuar në revista kulturore rumune dhe shqiptare: Neuma, Viața Românească, Haemus, Poeteka etj.), dhe poezi (botuar në The Bridge Magazine, Suprerpresent Magazine, A New Ulster Review, Liternet) dhe esesh shkencore apo letrare. 

Pjesët e saj teatrore „Skeleti i zogut” (Scheletul de pasăre) dhe „Nishani” (Semnul) kanë pasur lexime publike dhe shfaqje radiofonike (Reactor, Teatrul Postnațional Interfonic, Hearth). ”Skeleti i zogut” ishte njëra ndër tri pjesët finaliste në edicionin e parë të Çmimit për Dramaturgji „Tamási Áron“ të Institutit për Kërkime Teatrore dhe Multimedia (ICTM). 

Iulia Enkelana ka realizuar disa filma të shkurtër (Poezia e bërë me dorë, I dridhen qerpikët, M’u desh të lija peng diamantin, Qyteti i munguar, de/mascat, Rruga për në shtëpi, Lindja e një ideje, Prenaissance, Shkrepëse etj.), disa prej të cilëve janë përzgjedhur zyrtarisht në festivale dhe / ose kanë qenë finalistë në festivale ndërkombëtare të filmit, si Festivali i Filmit të Pavarur Ridgefield, Tirana International Film Festival, Her Independent Film Festival, Lift-Off Global Network, Festivali Rajonal i Filmit Juglindor, Retrospektiva e Jupiterit, Festivali SIMULTAN ose Channel BUEIFF. 

Iulia Enkelana ka botuar albumet digjitale: a ju kujtohet vetmia juaj e parë (fotografi, 2017) dhe Eyeland (vizatime, 2016). Ka qenë e pranishme në disa ekspozita fotografie (LoosenArt, ESPY 2019 Photography Awards në Elysium Gallery, Shame and Lost and found, Bucureşti – mon amour; Bucureștiul în alb și negru, Bucureşti – mon amour). Dy nga fotografitë e Iulias u përfshinë në albumin #OurLakeOhrid, Photo & Story Contest 2017, nga UNESCO. 

Në vjeshtën e 2019, Iulia Enkelana botoi kredon e saj artistike dhe një përzgjedhje fotografish në revistën The Bridge. 

Iulia ka mbaruar studimet për teatrologji në Fakultetin e Teatrit dhe Filmit, Universiteti Babeș-Bolyai, Cluj-Napoca, duke shkruar një tezë që shqyrton debatin mbi veprat kanonike dhe rëndësinë e Hamletit, Shtëpia e një kukulle dhe Gjashtë personazhe në kërkim të një autori.

Ndjek programin e masterit në CESI – Qendra e Ekselencës në Studimin e Imazhit pranë Universitetit të Bukureshtit. 

Vijon në Haemus Nr. 66-70

Shqipëroi nga rumanishtja. A.-Ch. Kyçyku